Qeveria jugosllave më 1926 kishte përfunduar Marrëveshjen e parë me Turqinë për riatdhesimin e «popullsisë turke» nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene. Por, në fakt, plani i kësaj Marrëveshje fashiste ishte dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre; si nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia etj… për në Turqi. Shovenët serbojugosllav kishin si qëllim realizimin e pastrimit etnik. Sipas shtypit turk të datës 7 prill 1926, nga Jugosllavia për në Turqi, në bazë të kësaj marrëveshje, duhet të emigroheshin jo më pak se 300-400 000 vetë. Ndërsa, sipas një llogaritje të bërë nga Legata Shqiptare e Ankarasë, në vitin 1928 në Turqi gjendeshin 27-30 000 familje shqiptare të shpërngulura me dhunë nga Kosova.
Kjo shpërngulje nuk i ngopi serbomëdhenjët dhe më 1938 u arrit një tjetër marrëveshje e dytë midis Jugosllavisë dhe Turqisë, në bazë të së cilës parashikohej «riatdhesimi» i 250 000 vetave të tjerë, ashtuquajtur «turq». Nga të dhënat që dispononte qeveria shqiptare emigrimet më të shumta të shqiptareve për Turqi bëheshin nga krahinat e Maqedonisë e nga Kosova (rrethi i Prizrenit, Gjilanit, i Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajit, Pejës) etj.
Shpërngulja e tretë me dhunë e shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi u bë pas vitit 1948 sidomos duke filluar nga vitet 1951-1952. Shpërngulja njihej si shkombëtarizim i Kosovës dhe krahinave të tjera të banuara prej shqiptarëve, që ishte një nga qëllimet kryesore të politikës jugosllave.
Arsyet e largimit të shqiptarëve ishin: shtypja kombëtare, vrasjet ilegale të UDB-së (Unutrašnja državna bezbednost – Sigurimi i Brendshëm Shtetëror), grabitja e tokave, taksat e rënda, papunësia, terrori e propaganda se gjoja myslimanët janë turq dhe si të tillë më mirë të shkojnë në Turqi se atje jetohet më mirë, etj.
Më poshtë do të lexoni një intervistë me shqiptarin nga Turqia (gjenerata e katërt) i cili do të na tregoj për jetën e të parëve të tij Turqi, për shqiptarët në Turqi dhe për kërkesat e tij ndaj dy qeverive shqiptare, në Prishtinë dhe Tiranë.
MekuliPress: A ka mundësi të na prezentoheni kush je ti?
Unë jam Hakan Filiz (Shehu). Kam lindur në Stamboll në vitin 1985 si fëmijë i një familjeje shqiptare të larguar me dhunë nga Kosova. Unë jam shqiptar, sepse edhe nëna edhe babai im janë shqiptarë me prejardhje nga Kosova. Nëna ime është nga Kosova, nga qyteti i Pejës dhe babai im, po ashtu është nga Kosova, nga Kaçaniku. Jam martuar me Didem Filiz. Ajo është shqiptare poashtu e lindur në Turqi dhe ka prejardhjen nga qyteti i Pejës. Punon si përkthyese shqip-turqisht në një spital privat, këtu në Stamboll. Unë kam 2 vajza Eylul Filiz (10 vjeç) dhe Elif Filiz (5 vjeç).
Jam i diplomuar në 2 universitete (për Tregti të Jashtme dhe Administrim Biznesi). Aktualisht jam Menaxher Finance në një kompani në Sektorin e Energjisë. Në të njëjtën kohë, jam anëtar i Bordit të Shoqatës së Emigrantëve të Ballkanit «Anatolian Side» dhe përgjegjës për «Median dhe Marrëdhëniet me Publikun» në Stamboll. Që në fillim po e them se jam krenar që jam shqiptar.
MekuliPress: Ti e thua me krenari se je shqiptar. Ti ke lindur dhe je formësuar në Turqi. Pastaj ke edhe një mbiemër turk, nuk është mbiemër shqiptar?!
Po unë jam lindur dhe rritur në Turqi, por gjithmonë në mesin e shoqërisë sime, gjatë shkollimt dhe në punë, e kam thënë, dhe e them me krenari, që jam shqiptar. Siq e thashë më herët, këtë fakt e them në çdo medium dhe në çdo komunitet, pa asnjë hezitim dhe pa asnjë frikë.
MekuliPress: Po vajzat tua si e ndiejn veten?
Saherë që mësuesi i pyet vajzat e mia në shkollë të prezentohen ato me shumë krenari e thonë se janë shqiptare. Edhe pse të vogla vajzat e mia e kanë edukimin shqiptar brenda në familje.
MekuliPress: Ne dëgjojmë dhe lexojmë se në Turqi shqiptarët kanë presion nga shteti që të deklarohen si turq, sa është e vërtetë kjo?
Në fakt, në Turqi, nuk ka asnjë presion psikologjik apo diskurs racist ndaj shqiptarëve, por fatkeqësisht shumë shqiptarë kanë filluar të asimilohen. Unë e kuptoj sepse arsimimi është në gjuhën turke. Më e keqja që mund të dëgjosh prej tyre është kur ata thonë se “nuk janë shqiptarë”. Janë disa rajone e vende të asimiluara ku ata e përshkruajnë veten si emigrantë rumelianë, jo si shqiptarë. Në fakt, nuk ekziston një Rumeli. Rumelia në Ballkan përfaqëson ata që janë shpërngulur nga Ballkani për në Turqi. Unë kurrë nuk e kam parë veten në grupin rumelian, sepse gjyshi dhe familja ime e vjetër ishin shqiptarë nga Kosova, të ikur nga pushtuesit jugosllavë në Turqi – Stamboll që në vitet 1930. Gjyshi im i kishte vetër 3 vjeç kur i largua nga Kosova.
Pra prejardhja jonë është autoktone shqiptare. Dhe unë do të bëj çmos që brezi i ardhshëm ta dijë se ata janë shqiptarë dhe të mos harrojnë prejardhjen e tyre shqiptare. Kjo është arsyeja kryesore pse unë marr pjesë aktive në shoqatën këtu në Istambol. Qëllimi është për të zgjuar brezin e ri i cili po asimilohet.
MekuliPress: Na trego diçka per gjyshërit e tu që u shpërngulën me dhunë nga regjimi serb/jugosllav
Babai i nënës sime, quhet Muharrem Kabashi. Gjyshi im u dëbua me dhunë nga Peja për në Turqi që në vitin 1950. Fatkeqësisht, gjyshi im u nda nga jeta kur unë isha 16 vjeç dhe nuk kalova shumë kohë me të. Por nga ato që kam dëgjuar më mjaftojnë për të kuptuar sa shqiptar i madh që ishte. Gjyshi im Muharremi ishte shumë aktiv në politikë dhe e ndihmonte Kosovën shumë. Edhe ambasadoret dhe konsujt shqiptarë vinin në shtëpi të tij dhe e vizitonin. Do të doja të kaloja më shumë kohë me të…
Siq e thashë më sipër, babai i babait tim, Bajrush Filiz-Shehu, u shpërngul me dhunë nga regjimi serb që në vitin 1930. Ai ishte nga Kosova-Kaçaniku. Fatkeqësisht, ne e humbëm atë një vit e gjysmë më parë në moshën 100-vjeçare për shkak të Covidit. Gjyshi im kishte vuajtur shumë. Ai kishte mall për vendlindjen e tij dhe për trojet shqiptare. Na tregonte me shumë dashuri për Kosovën. Ndoshta ishte gjyshi që më zgjoi dashurinë për atdheun shqiptar. Ishte gjyshi im që më mori në Kosovë për herë të parë në vitin 2007. Kur shkova për herë të parë atje, nuk dija asnjë fjalë shqip, por mua më dukej sikur kisha lindur dhe isha rritur në Kosovë.
MekuliPress: Kishe emocione gjatë udhëtimit të parë për në vendlindjen e Gjyshit?
Qava shumë. Kisha përjetime të papërshkruara. U njoha me të gjithë të afërmit e mi dhe me farë e fis. Ata më trajtuan aq veçantë sa unë shpesh mendoj pse nuk edha më herët në tokën tonë? Pse nuk i njihja të afërmit e mi deri më tani? Me kaq shumë pyetje në kokë, përpiqesha të pajtohesha me fain tim; duke qarë shumicën e kohës. Nuk mund ta harroj kurrë kthimin nga Kosova. Betohem për Zotin, pjesën më të madhe të rrugës sime të kthimit nga Kosova e kalova duke qarë.
MekuliPress: Sa ndikoj vizita juaj e parë për në Kosovë?
Vizita ime e parë në Kosovë ndikoj shumë në jetën time. Jam i lidhur me shumë me kulturën shqipe, me gjuhën shqipe, me identitetin shqiptar. Por, edhe para se ta vizitoja Kosovën, prindërit tanë flisnin gjithmonë shqip, flisnin për ato vende, por kur u largova nga Kosova, u ndjeva ndryshe dhe gjithmonë me krenari, e edhe sot, e them se jam shqiptar.
MekuliPress: Ndonjë vend që të ka lënë përshtypje në Kosovë?
Po, unë bashkë me vajzat dhe gruan time kam vizituar Kosovën para 2 vitesh. I kam thënë gjithmonë vajzave të mia se do ju marr me vete gjithmonë në Kosovë.
Vendi që mua dhe familjes sime na ka mallëngjyer me se shumti është Prekazi. Ne jemi falur, me vajzat e mia, te varri i heroti tonë, Adam Jasharit. Kemi qarë të gjithë për atë trim dhe për familjen e tij. Sa shumë kisha deshirë që familja ime ta vizitoj Prekazin dhe ta njihnin historinë e Adam Jashari. Sepse ne duhet ti frymëzojme të rinjtë dhe të rrisim breza heronjsh si ai.
SHQIPTARËT NË TURQI JANË JETIM TË HARRUAR
MekuliPress: Sipas teje, sa kujdeset Kosova dhe Shqipëria për shqiptarët në Turqi?
Edhe pse nuk është e qartë, në Turqi sot jetojnë të paktën 7-8 milionë shqiptarë. Më duhet të them se, edhe pse kjo nuk është e pëlqyeshme, fatkeqësisht shqiptarët që jetojnë në Turqi nuk e shohin vlerësiimin që e meritojnë nga Kosova dhe Shqipëria. Shtetet tona nuk bëjnë shumë për ne. Na kanë haruar!
MekuliPress: Si jeni të organizuar në Turqi? Keni shoqata, parti politike etj?
Ka shumë shoqata shqiptare në rajone të ndryshme të Turqisë dhe në Stamboll. Qëllimi i tyre i vetëm është të mos harrojmë kulturën, zakonet dhe traditat shqiptare dhe këto t’ua përcjellin brezave të rinj. Këtë organizmim e mbështes me aq sa mundem në shoqatën me të cilën jam aktiv. Mirëpo, shqiptarët e këtushëm nuk repsketohen nga shtetet tona. Shembulli më i keq, sot për sot, për këtë që po e them është se «Qendra Kulturore e Kosovës» në Stamboll është mbyllur nga Ministria e Diasporës së Kosovës në muajt e fundit. Ne shqiptaret ne turqi, komuniteti shqiptar në Turqi e ndiejm veten të ofenduar e të harruar. Shpresa ime është që më shumë shqiptarët këtu në Turqi të organizohen dhe të kenë mbështetjen nga Kosova dhe Shqiperia.
Ne jemi fuqi e madhe politike dhe ekonomike. nuk e di përse nuk e sfhfrytëzon këtë resurs Tirana dhe Prishtina?!
MekuliPress: Ke pasur kontakte me politikanët në Kosovë? Ua the shqetësimin tëndë atyre?
Gjatë vizitës sime të mëparshme, pata rastin të takohem edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Dua të falënderoj edhe një herë Esma Bunjakun për organizimin e këtij takimi. Albini na priti aq sinqerisht dhe aq bukur. Jemi me fat si shqiptarë të kemi një Kryeministër të tillë.
MekuliPress: Biseduat diçka konkrete me Kryeministrin?
Jam shumë i emocionuar për Kosovën dhe planet e saja në të ardhmen. Në mesin e shqiptarëve në Turqi kishte ide, kishte shumë kërkesa dhe projekte të mira për t’u realizuar. Njëra prej të cilave është edhe nënshtetësia. Për fat të keq serbët po e sulmojnë edhe sot Kosovën në aspektin diplomatik; Temat rreth Serbisë janë shumë aktuale dhe vazhdimisht të nxehta, për fat të keq agjendat dhe shqetesimet e shqiptarëve në Turqi nuk e kishin radhën kësa here, nuk ishin prioritet. Megjithatë, jam shumë krenar për politikën e Albinit dhe veçanërisht qëndrimin e tij ndaj politikave fashiste serbe dhe ndihem shumë me fat që e takova Albin Kurtin. Shpresoj se shumë shpejt do të arrihet Bashkimi Kombëtar, sepse shqiptarët në Turqi vazhdimisht e ëndërrojnë këtë. Ne shqiptarët në Turqi jemi gjithmonë të gatshëm këtu për Kosovën. Na duhet vetëm lidhje e fortë me Kosovën dhe Shqipërinë.
Si Hakan Filiz them; Shqiptarët nuk i janë nënshtruar dhe nuk do t’i nënshtrohen shtypjes së askujt. Të jesh shqiptar do të thotë të ecësh me kokën drejt, sado të vështira dhe me gjemba të jenë rrugët. Dhe gjithmonë mund të them me krenari se jam shqiptar.
MekuliPress: A ka shkolla shqipe në Stamboll?
Mësimi në gjuhën shqipe mund të organizohet në shkollat publike, kjo sipas dëshirës dhe nëse ka shumë fëmijë e familje që e duan këtë. Pra askush nuk i ndalon shqiptarët të mësojnë gjuhën shqipe.
MekuliPress: Sa po ju ndihmojnë Ambasadat e Shqipërisë dhe Tiranës për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqipe?
Pak shumë pak. Këta i shohim, ndonjëherë, vetëm në ditë flamuri dhe në ditë argëtimi. Unë nuk kam parë apo dëgjuar për ndonjë ndihmë tjetër përveç kësaj.
MekuliPress: Përse i keni të turqizuara emrat dhe mbiemrat shqip? Për shembull në Norvegji, secili shqiptar ka emrin dhe mbiemrin e vet që e dëshiron, pra në gjuhen shqipe.
E vërtetë, emrat dhe mbiemrat tanë janë në turqisht. I shtojmë mbiemrat shqiptarë, por zyrtarisht i kemi vetëm mbiemrat turk!
MekuliPress: Përse nuk ka investime serioze në Kosovë nga shtetit turk? (Për shembull në Serbi ka miliona dollarë investime nga Turqia) A është kjo mospunë e Qeverive të Tiranës dhe Prishtinës, apo si?
Kjo çështje, në fakt, është paksa politike. Qeveria turke në fakt po investon edhe në Kosovë dhe në Shqipëri. Megjithatë, mendoj se Rusia është arsyeja pse Turqia ka marrëdhënie tregtare me Serbinë. Dhe, natyrisht mospuna e shteteve tona.
MekuliPress: A mund të ketë nje lob të fuqishëm shqiptar në Turqi për të parandaluar propagandën nacionaliste të Serbisë kundër Kosovës dhe shqiptarëve?
Në Turqi ka një lob të fuqishëm shqiptar. Në fakt, një luftë e mundshme mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të jetë si në vitin 1999. Shumica e shqiptarëve mbështetin Kosovën. Dhe të gjithë shqiptarët këtu e kanë këtë ndërgjegje kombëtare.
MekuliPress: Çka mund të bëjë Shqipëria dhe Kosova për shqiptarët e Turqisë? (Konkretisht)
Qendrat kulturore mund të hapen në Turqi, veçanërisht në Stamboll, në kuadër të buxhetit të diasporës shqiptare dhe asaj të Kosovës. Ata patjetër duhet të punojnë për të parandaluar asimilimin për brezin e ri këtu. Shqiptarëve të Turqise duhet t’u jepet shtetësia e Kosovës apo e Shqipërisë.
Kjo duhet të bëhet për të krijuar një ndjenjë më të madhe përkatësie etnike, dhe kjo në fakt do të ishte një zhvillim pozitiv edhe për ekonomine dhe politikën atje dhe për zgjedhjet atje, natyrisht. Përveç kësaj, mendoj se edhe partitë shqiptare nga Kosova dhe Shqipëria mund të kenë degë në hapsirat ku jetojnë shqiptarët në Turqi.
MekuliPress: A i ndiqni kanalet televizive shqiptare? Nese po cilin kanal?
Këtu ndiqet përgjithësisht RTK.
MekuliPress: Diçka për në fund për lexuesit tanë
Ju lutem mos i mbani mend shqiptarët këtu në Turqi vetëm gjatë periudhave zgjedhore. Ne nuk jemi shqiptarë vetëm në periudhën e zgjedhjeve. Ne jemi gjithmonë shqiptarë. Mos na harroni, ju lutem! Ndoshta ju nuk e kuptoni, por brezi ynë është i fundit që flet shqip dhe ka lidhje emocionale me identitetin shqiptar.
Ndoshta brezi i ardhshëm nuk do ta dijë se ai kishte prejardhje shqiptare dhe kjo çështje është shumë e rëndësishme. Ju lutemi punoni për këtë.
Në emër të lexuesve të MekuliPress ne ju faleminderojmë shumë Hakan për kohën dhe durimin. Mirëardhsh në trojet shqiptare gjithmonë. Aty e ke shtëpinë tënde!