Barometri diplomatik
Prof.Dr.Mehdi HYSENI

*** Në politikë vetëm gomari nuk e ndërron “samarin” dhe sundimtarin!

*** Dhe, për fatin e Kosovës dhe të ruajtjes së kohezionit të marrëdhënieve politike, diplomatike, ushtarake, ekonomike, tregtare dhe kulturore me Amerikën dhe me patrtnerët e saj evroatlanikë perëndimorë (NATO), në momentin e diktuar historik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pranoi Marrëveshjen Frëngo-Gjermane për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, (të hartuar nga BE-ja) në takimin e nivelit të lartë me përfaqësuesit e BE-së, Josep Borel dhe Miroslav Lajçak, bërë më 27 shkurt 2023.

Victor Hugo: “Changez vos opinions, gardez vos principes ; changez vos feuilles, gardez intactes vos racines.”

Me arsye e zgjodhëm këtë maksimë filozofike të shkrimtarit të madh frëng Victor Hugo, mbase ai ishte edhe politikan i shquar, i cili jo më pak se “gjashtëdhjetë vjet” dëshmoi vlerat e tij, edhe duke ndryshuar opinionet, kur e kërkonte mbrojtja e interesit jetik individual a kolektiv, por duke mos ndryshuar dhe prekur asnjëherë “parimet dhe rrënjët”, që përbëjnë të vërtetën.

Me një fjalë, jo vetëm në politikë, por edhe në kuptimin e përgjithshëm të jetës nëse nuk ndryshon mendimin, kur e dikton moment i arsyeshëm nuk mund të ndryshosh asgjë me interes as për veten e as për të tjerët, as për Kosovën, as për Ballkanin e as për Evropën, duke qenë se politika nuk është kategori statike, ashtu siç e patën keqkuptuar I.Rugova dhe kasta e tij politike partiake, që për një dekadë (1989-1999) nuk patën ndryshuar politikën e tyre pasive paqësore ndaj armikut pushtues dhe gjenocidal të Serbisë së Slobodan Milosheviqit. Ndaj, këtë gabim fatal të politikës kapitulluese përpara forcës agresore të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitare serbe, e patëm paguar shumë shtrenjtë, duke qenë se terroristët çetniko-fashistë serbë vranë dhe masakruan mbi “11.800” shqiptarë, kidnapuan mbi “2647” sish, të cilët sot evidencohen si të “pagjetur”, dëbuan me forcë mbi “1 milion” shqiptarë jashtë Kosovës, dhe përdhunuan mbi “22.000” gra shqiptare, si dhe e dogjën shkrum e hi Kosovën, ngase nuk pati politikë të ndryshuar Hygoniane dhe Degoliste as me rrënjë, as me degë e as me parime, as me forcë, që t’i dilte Zot Popullit dhe Kosovës së pambrojtur, përpos Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Antikoloniale të Kosovës me Kryekomandantin e saj historik dhe heroik të lavdishëm Adem Jashari, e cila së bashku me Amerikën dhe me NATO-n e detyruan Serbinë çetniko-fashiste gjenocidale, që të kapitullonte në Kosovë (qershor 1999).

Albini nuk është abuzues i lirisë, i drejtësisë, i demokracisë, i pluralizmit dhe i paqes!

Edhe pse më 27 shkurt 2023 në Bruksel u tregua i gatshëm për ta nënshkruar Planin Frëngo-Gjerman për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Mirëpo, të njëjtën gatishmëri nuk e pati edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, vetëm për NJË ARSYE, duke qenë se kësaj radhe kishte vajtur në takimin negociues me palën shqiptare të Kosovës në Bruksel, i bindur se kryeministri Albin Kurti nuk do ta pranonte këtë Marrëveshje të BE-së, të mbështetur edhe nga Amerika, duke mos ndryshuar opinionin parapak politik se “Zajednica nuk kalon” . Mirëpo, fatbardhësisht, në çastin e duhur historik, kryeministri Albin Kurti, ashtu sikur Viktor Hygo para dy shekujsh në Paris, ndryshoi opinionin e tij lidhur me “Zajednicën”, kurth ky i përgatitur nga Beogradi dhe nga aminuesit e tij të qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës (2013 dhe 2015), të cilët e kanë votuar dhe ratifikuar “Zajednicën”, duke i dhënë legjitimitet të plotë juridik ndërkombëtar, përmes “83” votave të Kuvcndit të Kosovës.

Ja pse Albin Kurti ka pranuar Marrëveshjen Frëngo-Gjermane për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës brenda të cilit është edhe “Zajednica” e komunave serbe:

“Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në Kuvend të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 2 mars 2023

Faleminderit kryetar Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të dashur qytetarë të Republikës,

Jam sot para jush për t’ju informuar e raportuar për takimin e fundit të nivelit të lartë në kuadër të Dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e që siç e dimë u mbajt të hënën e kësaj jave, pra me 27 shkurt. Takimi ishte ftuar zyrtarisht nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell me dy pika të agjendës. E para, formalizimin e pranimit të Marrëveshjes Bazë të propozuar nga Bashkimi Evropian, e të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe, e dyta, fillimin e diskutimeve për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Më lejoni të theksoj që shpeshherë ka një keqkuptim sa i përket këtyre dy dokumenteve. BE-ja e ka propozuar zyrtarisht vetëm një dokument, Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Plani i zbatimit do të duhet të negociohet, dhe negociatat për të nuk kanë filluar ende.

Në takimin e nivelit të lartë të datës 27 shkurt, isha pjesëmarrës në dy lloj takimeve. Fillimisht, bilateral, me Përfaqësuesin Borrell dhe Lehtësuesin Lajçak, dhe, pas kësaj, në takimin trilateral ku prezent ishte edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq. Në takimin trilateral, unë i ofrova Bashkimit Evropian nënshkrimin zyrtar si kryeministër i Republikës të Marrëveshjes Bazike, të cilën do të duhej ta nënshkruante edhe Përfaqësuesi Borrell edhe presidenti Vuçiq dhe e njëjta të miratohej në një samit të Këshillit Evropian. Propozimin tim për ta nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen e refuzoi menjëherë presidenti i Serbisë. Refuzimi i tij ishte i natyrës kategorike, gjë që e bëri publike edhe ai vet pas daljes nga takimi. Më lejoni të sqaroj që qëndrimi i Përfaqësuesit Borrell, siç u tha edhe në deklarimin e tij për media, është që ky dokument nuk do të diskutohet më; pra, ka një format të finalizuar dhe për këtë arsye ai është shpallur në ueb-sajtin zyrtar të Bashkimit Evropian. Të dy palët janë pajtuar me një pozicion të tillë, por kjo nuk nënkupton që palët e kanë pranuar zyrtarisht marrëveshjen. Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të të dy palëve, fillimisht, sipas procedurës së kontraktimit ndërkombëtar të shteteve. Refuzimi për ta nënshkruar nga ana e Serbisë është tregues që ata nuk janë dakord me përmbajtjen, rrjedhimisht nuk kanë gatishmëri për t’i dhënë formë obligative juridike e ndërkombëtare marrëveshjes së tillë.

Lexo po ashtu:  Mos u bëni Trojanë e as Hamzakastriot të interesave serbe

Më lejoni ta ripërsëris që ka një dallim të madh ndërmjet, në njërën anë, pranimit të një teksti të një marrëveshjeje si një dimension simbolik, dhe në anën tjetër, pranimit për t’i ndërmarrë obligimet juridike ndërkombëtare të saj. E para është pa asnjë pasojë juridike e politike dhe ka natyrë simbolike. E dyta ka pasoja juridike dhe politike, të gjitha në nivelin ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Serbisë e ka refuzuar të dytën, pra po refuzon ta pranojë marrëveshjen si kuadër i detyrimeve ndërkombëtare të obligueshme për palët në të drejtën ndërkombëtare. Arsyet e refuzimit të tij nuk meritojnë komentim nga ana ime, por, natyrisht, do të duhej të ishin një pikënisje mbi vlerësimin racional e utilitar të pyetjes se për kë është e favorshme një marrëveshje e tillë e për kë jo. Unë ju sugjeroj që të mos prodhoni argumente në diskursin publik që janë sa të pakuptimta edhe të dëmshme e në linjë me ata që e kundërshtojnë marrëveshjen në shtetin fqinj tonë verior. Ata që thonë që kjo marrëveshje nuk ka njohje de facto e kanë barrën e provës të faktojnë se pse atëherë atë e refuzoi me nënshkrim zyrtar të saj presidenti i Serbisë; ata që thonë që kjo marrëveshje nuk është e përqendruar në rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura, duhet të mendojnë se pse atëherë presidenti i Serbisë e konsideron nënshkrimin e saj si shkelje e ‘vijave të tij të kuqe’?!

Më lejoni të ju them që Marrëveshja Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një hap të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve të jashtme, ndërkombëtare ndërmjet dy shteteve të pavarura. Ajo bazohet në parimin e barazisë së sovranëve, respektin për integritetin territorial, pavarësinë, heqjen dorë nga pengesat për anëtarësim të Republikës sonë në organizata ndërkombëtare, shkëmbimin e misioneve diplomatike përmes ambasadorëve të rangut të plotëfuqishëm, njohjen e simboleve shtetërore, të pasaportave, e kështu me radhë. Marrëveshja mundëson një projekt paqeje e cila e sekuencon në kohë dhe e shndërron në një obligim ligjor arritjen e një marrëveshjeje finale. Marrëveshja i hap rrugë Republikës sonë për anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare, me e rëndësishmja përmes pranimit të kapacitetit ligjor për t’u anëtarësuar në NATO dhe nënshkrimin e një Partneriteti për Paqe me NATO-n ku për herë të parë Ushtria e Kosovës shndërrohet në aleat, partner shtetëror të NATO-s, anëtarësimin në dhjetëra konventa ndërkombëtare, statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e kështu me radhë.

Në anën tjetër kam vërejtur që ka edhe shumë keqkuptime e informacione të pavërteta në lidhje me disa nga pikat e marrëveshjes. Më lejoni të ritheksoj që premisa bazë e imja si kryeministër është që nuk do të lejoja të negocioja asgjë që nuk është në përputhje me sistemin kushtetues e ligjor të Republikës, apo diçka që synon territorializimin, mono-etnicitetin apo krijimin e urave për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Asnjë nga këto, asnjëherë. Gabimet politike, historike të qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë, përkundrazi do të bëj përpjekje maksimale që ato gabime politike, historike të qeverive të kaluara t’i eliminoj, apo së paku t’i reduktoj substancialisht që të mos jenë pengesë për karakterin e qëndrueshëm demokratik e unitar të Republikës sonë. Shumë detaje nuk mund t’i them, por mendja e shëndoshë e ka të lehtë t’i kuptojë ato nga një lexim i thjeshtë i veprimeve dhe teksteve që i kam pranuar.

Në këtë pikë, psh. me lejoni të theksoj që i vetmi nen ku ka një problem në këtë Marrëveshje është ajo që lidhet me obligimet e trashëguara, e për të cilat ka një konsesus ndërkombëtar që ato duhen zbatuar. Ajo është pika 10 e Marrëveshjes, neni 10 i Marrëveshjes, në fjalinë e fundit të tij, e cila e përmban normën që ‘të gjitha’ marrëveshjet e Brukselit duhet zbatuar.

Megjithatë, këtë ju duhet ta kuptoni si një detyrim ndaj tërësisë, dhe paqartësisë që e shoqëron tërësinë, e jo si diçka të veçantë ndaj një elementi të një marrëveshjeje, natyrisht që e kam fjalën këtu për marrëveshjen Thaçi-Daçiq të vitit 19 prillit 2013, të ratifikuar në këtë Kuvend me mbi 80 vota, e të zgjeruar me marrëveshjen Mustafa-Vuçiq të 25 gushtit 2015 mbi Asociacionin. Pra, Marrëveshja Bazë nuk i veçon elementet por i vendos ato në një normë të tipit ‘kategori’; dmth unë e kam pranuar që ekziston një ‘thes me marrëveshje’, dhe për t’i zbatuar rreth 40 marrëveshje njëherë duhet të sigurohemi që ato do të zbatohen sipas rrjedhjes së tyre kohore, e gjithashtu, vetëm ato për të cilat ka një autorizim kushtetues e ligjor në Republikën tonë për t’i zbatuar. Prandaj edhe kur thuhet që duhet të zbatohen lexojeni fjalinë deri në fund sepse nuk thotë që vetëm duhet të zbatohen. Nëse më pyesni a duhet zbatuar ato që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen sepse janë ratifikuar e miratuar nga qeveritë e legjislaturat e mëhershme, përgjigjja ime është PO POR vetëm nëse zbatohen të gjitha dhe në përputhje me përcaktimet kushtetuese e ligjore të Republikës sonë, duke respektuar demokracinë, barazinë, të drejtat e njeriut e simetrinë. Nuk lejoj përjashtime, veçime apo fokusime në një. Kaq mund të them për këtë pikë tash për tash.

Më lejoni t’ju garantoj gjithashtu që asgjë e re, e cila nuk ka qenë e pranuar katërcipërisht në marrëveshjet e kaluara nuk do të pranohej, nuk është negociuar, dhe nuk është përfshirë në Marrëveshjen Bazike. Të gjithë ata që thonë se ne paskemi pranuar një element të ri në Marrëveshjen Bazike janë të keqinformuar, ose ju mungon racionaliteti në vlerësim. Nëse do të flisja më shumë do ta dëmtoja pozicionin negociator të Qeverisë sonë.

Për fund, më lejoni të theksoj që Qeveria ime është e gatshme të shkojë në çdo takim të nivelit të lartë të ftuar nga Përfaqësuesi Borrell, dhe një gjë të tillë do ta bëjë edhe për takimin e radhës në qytetin e Ohrit ku, për koincidencë, ka një marrëveshje për pajtim që bazohet në standardet dhe udhëheqjen e Bashkimit Evropian e mbi të cilën premisë mbase në gjashtë shtetet në Ballkanin Perëndimor edhe do të mund e do të duhej të krijonim reciprocitet.

Lexo po ashtu:  Nuk mbrohet selia me llogje, o Luli Basha!

Po i adresoj edhe dy gjëra të rëndësishme që edhe sot këtu, por edhe këto ditë janë ngritur.

Sa i përket qëndrimit që ‘overcome the past’ është falje e krimeve të Serbisë, ose është braktisje e ballafaqimit më të kaluarën. Më lejoni të theksoj që ky qëndrim është i pasaktë, i padrejtë, i pavërtetë. Një ndër insistimet kryesore të mia ka qenë që një marrëveshje bazike pa elementin e drejtësisë tranzicionale nuk mund e as nuk guxon të bëhet. Nocioni ‘overcome the past’ përbën, përkundrazi, një detyrim për palët që të adresojnë të kaluarën e jo ta harrojnë atë. Përndryshe, do të titullohej ‘forget the past’ ose ‘disregard the past’. Nocioni ‘overcome the past’ është konceptualisht dhe literalisht, në origjinal, i quajtur gjermanisht ‘vergangenheitsbewältigung’ e i cili përbën metodën gjermane të të adresuarit të drejtësisë tranzicionale pas luftës së dytë botërore. Ky është koncepti. Ai bazohet në një sistem të drejtësisë tranzicionale që ka për qëllim ta thotë të vërtetën për të kaluarën, ta luftojë revizionizmin e së vërtetës, dhe t’i ndjekë e t’i dënojë ata që kishin përgjegjësi për të kaluarën. Pra, jo që Marrëveshja Bazike nuk amniston e as nuk fal asgjë, por, përkundrazi, ka për qëllim të adresojë të kaluarën përmes mjeteve të civilizuara që kanë për qëllim luftën ndaj kriminelëve që kanë kryer krime lufte, theksimin e së vërtetës, mbrojtjen e narracionit të viktimave, dhe edukimin e brezave të rinj mbi bazën e drejtësisë për të kaluarën. Kjo jo që nuk është harresë, e as tejkalim i së kaluarës, por theksim i saj dhe ndërtim i së ardhmes duke e adresuar të kaluarën përmes përgjegjësisë shtetërore-juridike, morale e kulturore. Dhe, le ta ritheksoj që tekstet që i kemi tash për tash janë vetëm në anglisht edhe atyre do të ju përmbahemi. Tekstet do të përkthehen në fund, njëherë dakordohemi për tekstet në anglisht siç janë. Pra, kjo është sa i përket ballafaqimit me të kaluarën.

Tjetra, është keqleximi sa i përket çështjes së statusit. E dëgjova deputetin Abdixhiku, ai tha që është hapur çështja e statusit ose që është neutrale. Së pari më lejoni të ua tregoj kontekstin dhe çfarë saktësisht po shkruan se duhet të lexoni me përpikëri. Para katër vjetëve ish Presidenti Trump i ka dërguar letër ish Presidentit Thaçi ku e ka përdorur togfjalëshin “njohje reciproke“. Para dy vjetëve, këtë e ka bërë Presidenti aktual Biden, “njohje reciproke“. Shtrohet pyetja pse ata nuk kanë thënë njohja e Kosovës nga Serbia por “njohja reciproke“? Sepse në thelb nuk mund ta njohësh një shtet që nuk të njeh pa u nënshtruar në riokupim. Rrjedhimisht, të dy Presidentët neve na kanë treguar që aktualisht e kemi gjendjen e një mosnjohje reciproke, dhe nga mosnjohja reciproke ne duhet të kalojmë në njohje reciproke. Përndryshe, ata do të shkruanin duke thënë Serbia ta njeh Kosovën dhe kaq. Dhe, këtu nëse e vëreni në fjalinë e katërt të preambulës thuhet “including on the status questions”, çështjet jo çështjen siç tha deputeti Abdixhiku. Çështjet, pse? Sepse qysh në takimin e parë kur kam qenë në Bruksel me Presidentin Vuçiq te zyra e Borrelit, në mes të qershorit të vitit 2021, unë kam thënë “Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë”, qysh në fillim. Ai tha Serbia nuk e njeh Kosovën. Unë thashë “Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë”, në përputhje me dy letrat e dy presidentëve amerikanë, mosnjohja reciproke. Tash këtu keni “status questions”, a e dini pse? Faktorët ndërkombëtarë e dinë shumë mirë që nuk është në pyetje pavarësia e Kosovës , por në thelb kushtetuta konfliktuoze është ajo e Serbisë. Nëse ka ndonjë shtet në Ballkanin Perëndimor që e ka statusin e pacaktuar është pikërisht Serbia. Unë atë Kushtetutë se pranoj dot, sepse në fjalinë e dytë të premabulës Kushtetuta e Serbisë thotë që “Kosova është pjesë integrale e Serbisë“. Unë nuk mund ta pranoj atë. Pra, nga mosnjohja reciproke duhet të kalojmë në njohjen reciproke. Ata e kanë dëgjuar Serbinë duke thënë që se njeh Kosovën por e kanë dëgjuar edhe Kosovën duke thënë që nuk e njeh Serbinë. Prandaj e keni “status questions”, plural, shumës deputeti Abdixhiku. Mos thuaj çështja, çështjet, pyetjet. Është shumës. Nuk është “status question”.

Dhe, çështja e fundit është sa i përket nenit 7.

Nga pikëpamja ime, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe si marrëveshje e trashëguar nga vitet 2013 dhe 2015 është në nenin 10. Në nenin 7 flitet për komunitetin serb, i cili nëse nuk jam gabim përmendet mbi 10 herë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe kategorikisht janë dy gjëra të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në Planin e Ahtisarit, edhe një duzinë herësh përmendet në Kushtetutën e Republikës.

Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet garantuar “në përputhje”, po e ritheksoj, “në përputhje“ me konventat e Këshillit të Evropës. E vetmja konventë e Këshillit të Evropës që rregullon aspekte të të drejtave të komuniteteve jo-shumicë është Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave, e cila tashmë është pjesë e Kushtetutës së Kosovës (neni 22). Nuk ka konventë tjetër. Pra, maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetë-menaxhim i tillë është ajo që tashmë Kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj. Propozimi kryesor nuk ka asnjë referencë specifike se çfarë do të nënkuptojë një vetë-menaxhim i tillë, përderisa tavani i lartë është Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës. E kjo pra nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i i respektit për të drejtat individuale (joterritoriale) të pakicave, që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet a monopolin territorializues të tyre. Pra, këtu nuk kam dhënë asgjë: ajo që kam premtuar e pranuar është që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet sipas nenit 22 të Kushtetutës, e cila e ka pjesë të saj Konventën Kornizë. Kushdo që thotë që kjo është një përbërës shtesë, apo që nënkupton diçka shtesë, e ka gabim ose kështu rezonojnë në fqinjin tonë verior armik. Një komunitet siç është ai serb – e komuniteti serb është komunitet që njihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës – nënkupton një dimension social, jo-territorial, jo-institucional dhe jo-politik, të një tërësie të individëve. Nuk ka komunitet pa individ, por individët mund të bëhen komunitet social, jo-territorial, jo-institucional, jo-politik. Konventa Kornizë ka subjekt individët, që janë pjesë e grupeve minoritare, dhe ashtu është kuptimi edhe i nenit 7 të Marrëveshjes Bazike. Pra, nuk ka asgjë më shumë sesa që tashmë ekziston: do me thënë, neni 22 i Kushtetutës dhe e gjithë ajo që është pjesë e nenit 22 të Kushtetutës është referencë për të drejtat individuale të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve, e njëri prej tyre është natyrisht edhe ai serb. Do me thënë njohje të të drejtave të njeriut që janë të natyrshme në një demokraci liberale, siç është e drejta në gjuhë, në arsim në gjuhën e tij/saj, e drejta për t’u punësuar pa diskriminim, e të tjera, për anëtarët e komunitetit serb, gjë që është tashmë garancion kushtetues e ligjor në shtetin tonë.

Lexo po ashtu:  Gëzuar, por duhet të ndajmë patriotizmin nga sharlatanizmi!

Falemnderit. “ (Shih në faqen zyrtare të Kryeministrit të Kosovës: https://kryeministri.rks-gov.net/blog/fjala-e-plote-e-kryeministrit-albin-kurti-ne-kuvend-te-republikes-se-kosoves/ ).

Të gjithë ata që nuk duan, apo nuk janë në gjendje ta kuptojnë drejt dhe objektivisht brendinë e kësaj “Fjale…” të kryeministrit Albin Kurti, të mbajtur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, më 2 mars 2023, ia duan të keqen jo vetëm Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, por edhe Kosovës, edhe Amerikës, edhe NATO-s, edhe BE-së, sepse po të mos e pranonte Albin Kurti këtë Marrëveshje të BE-së, do të përsëritej “Rambujeja” e refuzuar e palës serbe, e cila Serbisë i kushtoi shumë shtrenjtë me humbjen e përgjithmonshme të Kosovës-ish-kolonisë së saj (1912-1999).

Edhe unë e kam kritikuar “Zajednicën serbe” dhe, jam kundër formimit të saj, që nga viti 2012, kur çetniko-fashisti ultrananacionalist Tomislav Nikoliq (ish-president i Serbisë, praprakisht nënkryetar i PRS-së së vojvodës krimenel Vojislav Sheshel), pati deklaruar se “Serbët në Kosovës, do të themelojnë një “Republika srpska, ashtu sikurse ajo e Bosnjës”. Mirëpo, ja pas 11 vitesh, pasi e dëgjova me vëmendje të posaçme Fjalën e kryeministrit Albin Kurti të mbajtur para deputetëve të Kuvwnsit të Kosovës, se formimi i asaj “Zajednice” nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me të drejtën ndërkombëtare, me të dy duart e mbështes pa rezervë pranimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Frëngo-Gjermane për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, sepse hap shtigjet drejt integrimit, bashkëpunimit, sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Ballkan dhe në Evropë. Mbi të gjitha, me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje të theksuar, Kosova do të fitonte “karrigen” në OKB, si anëtare me të drejta dhe detyrime të plota sikurse 193 anëtaret e tjera.

Albini drejt fitores së Çmimit Nobel

Pavarësisht nga erozioni i kritikave tendencioze subjektive dhe krejtësisht të njëanshme të oponentëve të disa masmediave (se gjoja Albin Kurti ka tradhtuar me pranimin e Marrëveshjes Frëngo-Gjermane të BE-së, më 27 shkurt 2023),Kryeministri Albin Kurti kurrë nuk e ka tradhtuar e as nuk do ta tradhtojë Kosovën, sepse ky vërtet ka vetëm një fytyrë, jo “dyftyrësh” siç e ka ofenduar pa asnjë të drejtë “diplomatja” dhe negociatorja e Dialogut të Brukeslit, Edita Tahiri. Shpifja është e turpshme, kur ajo e di shumë mirë se Marrëveshjen për Zajednicën serbe e patën nënshkruar të dy kolegët e saj, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa (ish-kryeministra).

Ashtu sikurse heroi, gjenerali, komandanti i UÇK-së dhe ish-kryemonistri Ramush Haradinaj (deputet dhe kryetar i AAK-së), edhe i gjithë spektri politik dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe ata të diasporës, duhet ta mbështesin pranimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, sepse është në interesin e Kosovës, po ashtu edhe të minoritet serb në Kosovë.

Nëse më 18 mars 2023 në Ohër këtë Marrëveshje e nënshkruajnë kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiq, atëherë, këta, do të jenë ndër shtetarët e parë në historinë e derisotme, që pas 150 vitesh luftëra, gjenoide dhe pushtime…etj. mes dy popujve të armiqësuar, kanë vënë nënshkrimin dhe vulën e BE-së dhe të Amerikës, se populli shqiptar dhe ai serb janë përcakuar, që të jetojnë në paqe, të vendosur në rrugën e bashkëpunimit, të sigurisë dhe të përparimit të gjithmbarshëm jo vetëm në rajonin ballkanik, por edhe më gjerë në atë evropian perëndimor dhe ndërkombëtar.

Pra, nëse finalizohet Marrëveshja Frëngo-Gjermane për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ndër meritorët kryesorë të saj, pa dyshim se do të jenë kryeministri Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq. Ndaj për këtë vepër historike, që pajton dhe përafron të dy popujt (shqiptarët dhe serbët), të ecën në rrugën paqësore dhe civilizuese evropianoperëndimore në përputhje me vlerat dhe me standardet e BE-së dhe të rendit të ri juridik poziitiv ndërkombëtar, nevojitet që BE-ja këto dy personalitete t’i shpallë heronj të këtij fillimshekulli, duke qenë se pajtimi i shqiptarëve me serbët në mënyrë paqësore, do të mbyll çdo varr të lënë hapur për viktima të reja mes tyre.

Sa më sipër, vetëm kjo formë e konceptit të zgjidhjes paqësore të konfliktkit shumëshekullor mes shqiptarëve dhe serbëve, do të bëjë të mundur respektimin e plotë të drejtave dhe lirive të minoritetit serb në Kosovë, si dhe të respektimit të integritetit territorial dhe të sovranitetit të Kosovës në përputhje me objektivat dhe me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *