Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot disa fakte historike që lidhen me 8 Marsin, Festën e Gruas.
Në shenjë falënderimi për përkushtimin e grave në familje, Këshilli i Ministrave në vitin 1950 vendosi për krijimin e medaljes së “Nënës”.
Medalja e argjendë u akordohej nënave që kishin lindur dhe edukuar 6 fëmijë “kur fëmija i vogël ka mbushur moshën e 1 viti dhe të tjerët janë të gjallë ose kanë rënë dëshmorë në Luftën Nacionalçlirimtare”. Ndërsa, medalja e bronztë akordohej në të njëjtat kushte për nënat me 5 fëmijë.
Krahas kësaj medaljeje krijohej edhe Urdhri “Lavdi Nënës”, që vizualisht paraqiste një nënë me fëmijën e saj në krahun e majtë, ndërsa me dorën e djathtë mbante flamurin.
Urdhri përshkallëzohej në klasin e I-rë, të II-të dhe të III-të, në varësi të numrit të fëmijëve, përkatësisht për nënat me 9, 8 dhe 7 fëmijë. DPA sjell foto nga eskursioni në malin e Dajtit organizuar me rastin e 8 marsit nga Kryesia e Gruas Rajoni nr.3.
8 marsi është një ditë që karakterizohet nga marshimet e grave për të kërkuar respektimin e të drejtave të tyre. Por, pavarësisht prapavijës historike, kjo ditë shërben edhe si një festë që vë në fokus gruan, nënën, burimin e jetës. / atsh /