Si fshihet propaganda serbe pas portaleve “nacionaliste” shqiptare

Sebastian Zonja

Kur ndodhën tërmetet tragjike në Turqi dhe Siri pati jehonë nëpër shumë portale se mbrapa kësaj katastrofe ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës me programin HAARP. Medie të rëndësishme në Serbi e shpërndanë këtë lajm: televizioni “Prva” dhe “B92-shi” apo gazetat “Informer” dhe “Vecernje Novosti”. Sipas shumë ekspertëve të komunikimit publik, ky lajm u prodhua në kuzhinën ruse dhe u servir në Ballkan nga mediet serbe.
Një lajm tjetër që e marrim shpesh nga mediet serbe është se “zëri i arsyes” në Bashkimin Evropian qënkesh ai i kryeministrit hungarez Viktor Orban. Analiza të ndryshme shfaqen përditë se si Orbani po mban qëndrimin e duhur përball amerikanëve dhe evropianëve, elitave të cilësuara të degjeneruara dhe se si këto elita duan të rrënojnë kombin hungarez dhe serb.
Vëmendje qendrore ka gjithashtu edhe analiza se fajin për luftën në Ukrainë e ka Amerika, sepse rusët po luftojnë kundër nazistëve në vendin fqinj. “Denazifikimi” pranohet gjerësisht në Serbi, ndërsa në Shqipëri ka ardhur në këtë mënyrë: nuk ka masakra në Ukrainë, sepse janë amerikanët që i kanë stisur me mediet e veta. Për shembull, shumë besojnë se masakra e Buchas në Ukrainë është kinematografi. A nuk thanë serbët të njëjtën gjë për Reçakun dhe masakra të tjera në Kosovë?
Gjithashtu, duke qenë se përputhet narrativa, serbët fajësojnë NATO-n për luftën. Në Shqipëri kjo narrativë përkthehet se amerikanët janë shkaktarë.
Në Serbi, televizioni “Pink” së bashku me televizionin “Happy”, konsiderohen si mediet më ekstreme në vend dhe që përhapin teori të çuditshme dhe konspirative – që nga shtrigat dhe shtriganët, deri te përpunimet më të mprehta të KGB-së për pandeminë dhe situatën ndërkombëtare financiare dhe gjeopolitike.
Por pyetja është si mbërrijnë këto lajme kaq thjeshtë ndër shqiptarë?
Gjithnjë më ka ardhur habi se si shumë medie dhe portale shqiptare kanë emra binjak me ata serb!!! Mjaft të bësh një kërkim në internet dhe e gjen. Shqiptarët e Shqipërisë, në masë, dinë italisht apo greqisht, anglisht apo gjermanisht, por, për çudi, emrat e portaleve i kanë serbe. Koinçidencë shumë e çuditshme!
Ndërkohë, burimi qëndror i dezinformimit në shqip, duket se vjen nga Kosova. Ka shumë portale në Kosovë që ngjajnë se janë duke shkruar lajme për çështje të rëndësishme historike apo dialogun Prishtinë – Beograd, dhe në sfond gjithnjë gjen nga një lajm të rremë. Për shembull, portale me tituj bombastikë si “Kombi”, “Bashkimi Kombëtar”, “Shqipëria Etnike” e të tjerë, janë burimi kryesor në Facebook për të përhapur narrativën shoviniste serbe edhe ndër shqiptarë.
Si të ruhesh prej tyre? Mundohu të lexosh artikuj seriozë dhe të kopsitur. Artikuj të tillë janë, në shumicën e rasteve, autorialë. Mediet e rëndësishme ruhen prej padive, ndaj edhe duhet t’i kenë sa më të qarta dhe të kuptueshme lajmet.
Lexo po ashtu:  Një sprovë për të shpëtuar tradhëtarin Basha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *