Treshja e udhëheqësve më të rëndësishëm të vendit ka mbajtur një qëndrim më tepër se steril ndaj marëveshjes së pa firmosur në Ohër mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit. Në fakt edhe presidenti Begaj edhe kryeparlamentarja Nikolla nuk kanë bërë asgjë më tepër sesa kanë kopjuar qëndrimin e sundimtarit real të vendit Edi Rama. Ky i fundit reagoi menjëherë pas përmbylljes së takimit maratonë të dirigjuar nga BE-ja. Ai shkroi se shpresonte “që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik”. Në rast të kundërt, sipas tij “kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit, shqiptarëve dhe serbëve”.

Postimin e tij në Twitter, kryeministri e mbylli duke uruar “që së shpejti marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”.

Këtij qëndrimi as mish as peshk, që më tepër do ti shkojë pas fijes kancelarive perendimore sesa të zbatojë detyrimin kushtetues për të qenë në krah të Kosovës iu bashkuan edhe numri 1 dhe numri 2 i shtetit. Në të gjitha deklaratat vihej re meraku për të mos i rënën në qafë Vuçiçit sipas qëndrimit tashmë të shpallur të Edi Ramës. Kryeministri që dikur fajësonte Prishtinën për mos përparimin e dialogut, që bënte pirueta mes palëve gjatë trazirave në veri, për që nuk mungonte ti kundërvihej edhe SHBA e BE- në lidhje me sanksionet që presideti serb nuk aplikonte ndaj moskës duket se i ka ngjitur virusin edhe “eprorëve” që varen prej tij.

Lexo po ashtu:  Trump sulmon mediat sociale: “Po ju vëzhgoj me kujdes”

Presidenti Bajram Begaj deklaroi se dakordësimi i së premtes “është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian” Në një postim në Facebook ai u shpreh “besimplotë se garantët e këtij dakordësimi do ta bëjnë atë të detyrueshme e të zbatueshme nga palët”.

Ndërsa për kryetaren e parlamentit shqiptar Lindita Nikolla “normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë shënoi një hap të qëndrueshëm përpara, me dakordësimin në takimin e Ohrit për hapat praktikë për zbatimin e marrëveshjes, sipas aneksit të planit evropian”. Në postimin e saj në Facebook ajo nënvizoi se “pajtimi me propozimet, zbatimi i këtij plani dhe dialogu mes dy vendeve do t’i kontribuojë prosperitetit e paqes në rajon dhe avancimit të tyre drejt familjes evropiane”.

Pra sikurse shihet me përjashtim të Ramës, që futi në postimin e tij konceptin provokativ të paqes mes dy kombeve më të mëdhej të rajonit, në të gjitha deklaratat bie në sy neutraliteti prej skandinavi dhe ankthi se mos i bihet në qafë Serbisë.

Lexo po ashtu:  Iu publikuan shkeljet ligjore në media – jep dorëheqje drejtori ekzekutiv i Odës së Avokatëve, Besim Curri

Këto deklarata bien edhe më tepër në sy po të krahasohen me qëndrimin që mbajti shefi i opozitës shqiptare. Sali Berisha, ashtu si përherë, nuk shfaqi asnjë drojë për të treguar me gishtë Vuçiçin dhe për të fajësuar atë për mos nënshkrimin as në Bruksel në 27 shkurt dhe as në Ohër në 18 mars, të dy drafteve të servirura nga BE dhe të mbështetura nga SHBA. “Në përfundim Vuçiç deklaroi se nuk kam firmosur asgjë dhe se ai nuk firmos marrëveshje ndërkombëtare juridike me Kosovën. Por nuk tha se Kurti nuk pranoi të diskutojë për asociacionin dhe shpjegoi pse nuk firmosi, sepse sipas tij Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombtarisht pa çka se atë e kanë njohur 95% e vendeve të lira të botës” shkroi Berisha në një artikull të gjatë ku theksonte: “Aleksandër Vuçiç nuk firmosi ndonëse marrëveshja si çdo marrëveshje tjetër për të qënë ligjerisht detyruese, duhej firmosur. Ideja se monitorimi nga BE i zbatimit të dakortësuar gjatë pocesit të negociatave për anëtarësim të BE e bënë atë një marrëveshje sui generis e cila de facto as de jure nuk mund të zëvendësojë një marrëveshje të firmosur detyruese bilaterale.

Lexo po ashtu:  Diplomacia ofansive/ Konjufca në Washington takohet me zyrtarë të lartë të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=821456182668819&set=a.410135073800934&type=3

Ky qëndrim i z. Vuçiç dëshmon se ai sa të jetë në pushtet nuk do firmosë ndonjëherë marrëveshje me Kosovën. Marrëveshja Kosovë-Serbi është e një rëndësie parësore jo vetëm per dy vendet, por dhe rajonin madje dhe Europën. Ndaj dhe mendoj se në vend që të quhet dhe pranohet si marrëveshje një dokument i pafirmosur pala që refuzon firmën duhet të përballet me pasojat e paralajmëruara nga BE dhe SHBA për ata që refuzojnë ta firmosin atë”.

Të parë në këtë pasqyrë, të mbështetur mbi të vërtetën e asaj që ndodhi në Bruksel dhe Ohër, qëndrimet e krerëve të shtetit shqiptar duken qesharake. BE nuk ka nevojë të dëgjojë të përsëritura nga Tirana, si papagall, qëndrimet e saj. Ndërsa Kosova ka nevojë për mbështetje nga gjysma tjetër e kombit. Por në fakt, duke bërë si më perendimorë se evropianët udhëheqësit tanë kamuflojnë në kor linjën e kuqe të vendosur nga Edi Rama: asnjë konflikt me Vuçiçin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *