Studiuesi dhe anëtari i Këshillit Shkencor të UNESCO-s, Auron Tare njoftoi se muzeu britanik (British Museum), ka vendosur të ndryshojë emrin e vendgjetjes së një koleksioni monedhash nga Buthrotum Epirus Greece në Buthrotum Epirus Albania.

Tare ka sqaruar se muzeu britanik reagoi shpejt pas letrës që i dërgoi Drejtorit të Përgjithshëm për saktësinë e terminologjisë së përdorur për të përshkruar Butrintin si qytet grek.

“Falë kuratorit të Departamentit të Monedhave dhe Medaljeve të Muzeut Britanik, Tom Hockenhull u përgjigj me një term të saktë duke identifikuar saktë origjinën e koleksionit të monedhave nga Butrinti si Buthrotum, Shqipëria moderne Epiri”, ka nënvizuar Tare.

Në një prononcim për median për këtë çështje, Tare informoi se, “është një koleksion monedhash romake të gjetura me sa duket në zonën e Butrintit”.

“Koleksioni ka në British Museum diku tek 110 vjet. Nuk ka një ide të saktë nga kanë ardhur, por ka një indicie që mund të jetë një koleksionist anglez, i cili jetonte në Korfuz në fundin e 1800-ës dhe më vonë ia ka falur këtë koleksion muzeumit britanik. Është një koleksion interesant se për herë të parë në atë kohë zbulohej se Butrinti kishte një ujësjellës të ndërtuar në kohën e perandorit August dhe monedhat ishin të prodhuara në Butrint”, u shpreh Tare.

Lexo po ashtu:  “Ne jemi përbuzës të vetvetes dhe lëpirës të të huajve

Tare tha se, “është e rëndësishme që një institucion me atë rëndësi siç është British Museum ndryshon toponimin e vendgjetjes së koleksionit dhe kjo është shumë e rëndësishme për historinë antike shqiptare, por dhe për debatin shekullor të zonave të Epirit. Fakti që muzeu britanik e kishte të cilësuar vendndodhjen e Butrintit si Epir grek ishte një gabim i rëndësishëm që u korrigjua në mënyrë xhentëllmenësh. Pra muzeu reagoi menjëherë dhe vendosi ta ndryshonte”./ atsh /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *