Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk është pajtuar me vendimin e së premtes të Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi ta rrëzojë Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Haxhiu ka thënë se për Kushtetuesen më e rëndësishme ka qenë interesi individual i ndonjë anëtari të KPK-së sesa interesi i përgjithshëm e ndalja e korporatizmit.

Ajo e ka konsideruar paradoksale pikën e parë të vendimit të Kushtetueses.

“Është paradoksale se në pikën e parë të njoftimit, Kushtetuesja konstaton se përbërja aktuale e KPK-së është korporatiste, por në pikën e fundit thotë se nuk mund t’i ndërpritet mandati anëtarëve përmes shortit siç e kemi paraparë ne. Për Kushtetuesen më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së, dhe jo të gjithëve, por vetëm disa prej tyre, sesa interesi i përgjithshëm, sesa ndalimi i korporatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarët, për vetë sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, ka thënë ajo në konferencë për shtyp të shtunën.

Befasi e ka cilësuar edhe pikën që thuhet se delegimi i një anëtari joprokuror nga Avokati i Popullit është jokushtetues, sipas saj.

“Delegimi i një anëtari joprokuror nga Avokati i Popullit është gjetur si jokushtetues. Kjo është tërësisht befasuese për ne. Komisioni i Venencias ka sugjeruar që një numër i caktuar i anëtarëve joprokurorë mund të rezervohen për institucionet e jashtme të pavarura, dhe ka përmendur në veçanti Avokatin e Popullit”, ka shtuar Haxhiu.

Lexo po ashtu:  Berisha: Përshëndes reagimin e Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës ndaj deklaratave të Esat Toptanit të ri

Haxhiu ka thënë se përmes ligjit të ri kanë synuar që Kryeprokurori të veprojë i pavarur, me profesionalizëm dhe të mos ndikohet nga interesat e ngushta, përfshirë ato politike. Ka pasur përgjigje edhe për kritikat e opozitës.

Lexo më shumë Kusari-Lila: Vetëmenaxhimi nuk është autonomi territoriale
“Ne kemi synuar sistem pluralist dhe që mund të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese, dhe jo të cenojë pavarësinë e KPK-së siç u interpretua nga partitë politike, ish-anëtarët e të cilëve janë anëtar të këtij sistemi”, ka thënë ajo.

Kërkesën për dorëheqje të LDK-së, Haxhiu e ka komentuar duke thënë se po bëhet për shkak se po i cenojnë interesat e tyre me vullnetin që po tregojnë për reforma në drejtësi.

“Ndoshta është mirë të pyetet opozita pse po kërkon dorëheqjen time. Që kur kam marrë detyrën, unë jam ballafaquar me kërkesat e opozitës për dorëheqje. Sepse konsideroj që kur kanë parë vullnetin tonë, kur kanë parë seriozitetin tonë për ët vazhduar me reformat në drejtësi, për t’i jetësuar ato, kanë filluar me kërkesat për dorëheqje sepse po i cenojmë interesat e tyre, të njerëzve që janë të lidhur me ta. Kërkesa për dorëheqje nuk është e para, as nuk do të jetë e fundit. Përderisa jemi duke u shërbyer qytetarëve, ata do të vazhdojnë të bëjnë kërkesa të tilla. Më vjen keq për ta, por duhet t’i dëshpërojë që nuk do të ndalemi. Reformat në drejtësi do të jetësohen, pavarësisht sfidave, pengesave apo gurëve që mund të na vendosin në rrugë”, ka thënë Haxhiu.

Lexo po ashtu:  Përsëri BE me deklarata kundërthënëse: "i zhgënjyer nga mungesa e vazhdueshme e koordinimit”!

Haxhiu ka konsideruar se Kosova është shkëputur nga bota demokratike dhe uniteti i standardeve ndërkombëtare kur bëhet fjalë për pengimin e reformës në drejtësi.

“Për të bërë të pavlefshëm një ligj kaq të rëndësishëm, thuhet se është në kundërshtim me Kushtetutën përderisa ky ligj sipas vlerësimeve të Komisionit të Venecias është në përputhje me standardet ndërkombëtare, ato janë pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Jemi shkëputur nga bota demokratike dhe uniteti i standardeve ndërkombëtare kur bëhet fjalë për pengimin e reformës në drejtësi. S’mund të jetojmë, qëndrojmë funksionojmë ndaras nga bota demokratike dhe uniteti i standardeve të saj”, është shprehur ajo.

Sipas saj, Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ka ofruar mundësinë që të pengohet zhvillimi dhe fuqizimi i sistemit prokurorial.

“Gjykata Kushtetuese ka ofruar mundësinë që këshilli të vazhdojë me përbërje korporatiste deri në vitin 2026 dhe që pengon zhvillimin dhe fuqizimin e sistemit prokurorial. Gjykatës Kushtetuese iu deshën plot 9 muaj për të nxjerrë aktgjykimin për ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Kjo është e paprecedent, nëse arsyetimi paska qenë aq i thjeshtë për rrëzimin e tij, pse na vonuan 9 muaj? Reformat në drejtësi mund të na i sabotojnë, të na i vonojnë por assesi të mund të na ndalojnë”, ka shtuar ajo.

Lexo po ashtu:  Mbyllen 14 shkolla, infektohen mbi 250 nxënës e mësimdhënës

Haxhiu më tej ka thënë se injorimi i rekomandimeve apo vlerësimeve profesionale nga Komisioni i Venecias të dhëna në dy opinionet për Ligjin për Këshillin Prokurorial është goditje për Republikën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese të premten ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *