Tashmë është ftohur gjithçka. Nuk e kam fjalën aq shumë për kohën, e cila po bëhet përditë e më e ftohtë, se sa për ndjenjat. Jemi bërë të huaj me ata që i konsideronim të afërm dhe jemi bërë të afërm me ata që i kishim të huaj.

Mirëpo çdo gjë bashkohet në një pikë të vetme. Duket sikur askush nuk do t’ia dijë realisht për ne, deri në momentin që u nevojitet diçka. Unë kam miq të mitë, miq fëmijërie, që mund të rrinë me muaj të tërë pa më telefonuar, pa më shkruajtur, pa më pyetur se si jam.

Pastaj, krejt papritur, i gjejnë kontaktet e mia diku në celularët e tyre dhe më telefonojnë. Struktura ruhet po njësoj. Kanë një kërkesë apo një porosi për të më lënë.

Normalisht që përgjigjet e mia janë të ashpra dhe përpiqem që gjithçka ta lë në dorë të “miqve” të mi për ta kuptuar. Nuk dua që t’i bëj të reflektojnë për diçka që duhet ta mendonin vetë paraprakisht.

Lexo po ashtu:  E pabesueshme! Kjo është kompania ku punëtorët i caktojnë rrogën vetes

Por ajo që më shqetëson, është pikërisht kjo ftohje kaq masive e gjërave. Nuk ekziston më ajo kultura e të folurit me “shok” apo “shoqe” në rrugë. Nuk ekziston më mirësia. Nuk ekziston më bujaria.

Sot sheh dikë në nevojë që të kërkon ndihmë dhe i kthehesh me një shikim gjithë përbuzje. Është normale kjo gjë, rregulli kryesor në shoqërinë tonë është “Mjafton që jemi vetë mirë”.

Por ajo që harrohet sot, është se diçka e ndërtuar në vite është shumë e thjeshtë për t’u shkatërruar dhe shumë e vështirë për t’u rindërtuar. “Xhami i thyer nuk ngjitet më”, do të thoshte me të drejtë populli në thëniet e tij të moçme.

Nëse ti ke miq të vjetër dhe i kujton ata vetëm kur të nevojiten, dije se marrëdhënia juaj do të zbehet me kalimin e kohës. Mirëpo kjo gjë dhemb, dhemb thellë në shpirt, sepse për të ndërtuar marrëdhënie të mira, miqësi të forta duhet kohë dhe për hatër të asaj kohe dhe të momenteve të bukura të kaluara në shoqëri, nuk duhen bërë këto lloj veprimesh.

Lexo po ashtu:  Referendumi, Zvicra pranon martesat gei

Edhe pse secili nga ne i di këto gjëra, sërish vazhdohet me të njëjtin avaz. Sërish tregohet herë pas here egoizmi me gjithë ata që dikur kemi pasur marrëdhënie të mira.

Kjo situatë zgjat normalisht derisa personi që po përdoret, të lodhet dhe t’i jap fund gjithçkaje. Dhe zgjidhja përfundimtarë (që të mos harroj pa e përmendur), mbetet blloku në rrjetet sociale.

As që preferohet të pihet një kafe dhe të ndahen punët përballë, ashtu siç me siguri kanë nisur vite më parë kur rrjetet sociale ende nuk e kishin “pushtuar” kaq shumë përditshmërinë tonë…/ Endri Hoxhaj/
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *