Një ditë pasi zgjedhjet presidenciale në Mal të zi, prodhuan një president të ri që i dha fund pushtetit 30 vjeçar të Milo Gjukanoviçit, shumë larg prej andej, në Hagë, gjykata speciale nisi procesin ndaj ish liderëve të UÇK-së.

Në pamje të parë të dyja ngjarjet, njëra rezultat i një votimi të lirë popullor dhe tjetra që ka të bëjë me vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës, nuk kanë asnjë lidhje ndërmjet tyre. Por, po ti kqyrësh në një sfond më të gjërë, ato përputhen me kohën e revanshit të Serbisë dhe me rikëkëmbjen e rolit të saj dominues në rajon, një çerekshekulli pasi avionët e NATO-s bombarduan Beogradin.

Milo Gjukanoviçi, ndonëse ia solli në majtë të hundës popullit të vet me korrupsionin galopant dhe shtetin familjar që ndërtoi, në politikën e jashtme luajti gjatë gjithë kohës rolin e properendimorit. Ai iu kundërvu hapur Millosheviçit, e ndau vendin e tij nga Serbia, njohu pavarësinë e Kosovës dhe luftoi si kundër ideve luftënxitëse të botës serbe po ashtu edhe kundër idesë së Vuçiçit për ta dominuar rajonin përmes Ballkanit të Hapur.

Pasardhësi i tij që fitoi të dielën nuk i jep këto garanci. Ndonëse një reformator në ekonomi, 37-vjeçari Jakov Milatoviç, shihet me dyshim për qasjen e vet ndaj Beogradit, kishës serbe dhe madje edhe vetë Rusisë. Kur u emërua për herë të parë ministër, në kabinetin pro serb të Zdravko Krivokapiçit, ky i fundi e etiketoi si një nga apostujt, në referencë me rolin që pati luajtur kisha ortodokse serbe në ndryshimin e pushtetit malazes.

Lexo po ashtu:  Legenosja e ambasadorëve

Këtej e tutje askush nuk mund të vërë bast se Podgorica nuk do të bëjë një rrotullim 180 gradë, për tu kthyer me fytyrë nga Beogradi dhe se Milatoviç nuk do ti bindet Vuçiçit për ti dhënë fund bojkotit ndaj Open Balkan.

Nga ana tjetër perëndimi dhe sidomos SHBA, janë të vendosur në mbështetje të Gjykatës speciale të Hagës ndonëse për shumë shqiptarë ajo është një mënyrë për të brarazuar xhelatin me viktimën, gjë që u tregua edhe në manifestimin e madh të së dielës.

Në të dyja këto ngjarje interesant është të shikohet roli i kancelarive perendimore.

Me fillimin e procesit nuk u dëgjua asnjë deklaratë pro Hashim Thaçit, të cilin dikur Joe Biden e etiketonte si “George Uashingtoni i Kosovës”. Nga ana tjetër, askush nuk u kujtua të bëjë thirrje, si në të shkuarën, për mbështetje ndaj Gjukanoiviçit. Madje, as Edi Rama, të cilin e detyruan ndërkombëtarët në 2018 ti dilte në krah, me apel të hapur ish presidentit malazes, këtë radhë nuk e hapi gojën në favor të kandidatit pro perendimor.

Lexo po ashtu:  Vaksina përcakton aleancat gjeopolitike, Irani gjen mbështetje te Kina dhe Rusia

Këto “harresa” mund të konsideroheshin si koincidenca nëse s’do kishim parasysh atë që po ndodh me negociatat për marëveshjen e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Për një kohë të gjatë, sidomos Uashingtoni, por edhe BE-ja, këmbëngulën të imponojnë si prioritet themelor të dialogut, një kërkesë të drejtpërdrejtë të Vuçiçit atë të themelimit të asocacionit të komunave me shumicë serbe. Të gjitha deklaratat e diplomatëve kryesorë të Departamentit të shtetit shkonin në këtë drejtim. Madje edhe pasi marëveshja u pranua dhe në draftin e saj nuk përmendej asnjëherë e zeza mbi të bardhë termi association, emisari i SHBA për Ballkanin Gabriel Escobar dhe ambasadori amerikan në Beograd, i famshmi Kris Hill zgjodhën rastësisht të përdorin të njëjtin term. Madje ky i fundit shkoi shumë më larg në tentativat e tij për të përkëdhelur Serbinë. Ai shkeli mbi të shkuarën e tij si negociator i marëveshjes së Rambouillet, që prodhoi bombat mbi regjimin e Millosheviçit, përdhosi trashëgiminë e Bill Klintonit dhe Madlen Olbrajtit, duke kërkuar falje për familjet serbe që patën humbur njerëzit e tyre të afërt në luftë.

Pjesëmarrje masive në marshin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Të gjitha këto fakte, si rimarja e akuzave të hetuara nga serbët në Gjykatën Speciale, si mospengimi i ndryshimit të kursit të pushtetit në Podgoricë, si tentativat për të përkëdhelur Vuçiçin, të bëjnë të dyshosh për një ndryshim kursi ndaj Sebisë. Në kontekstin e ri të luftës në Ukrahinë, kur perëndimi po reket të vërë një kufi ndarës mes aleatëve të tij dhe atyre të Putinit, tërheqja nga vetja e Beogradit mund të bëhet me çmimin e lartë të kompesimit të Serbisë në rajon.

Lexo po ashtu:  Kosova e mbuluar me fantazma të reja

Interesat momentale mund të shkojnë në drejtim të kundërt me mësimet e historisë, që dëshmojnë për fajforët e masakrave të fundshekullit të shkuar në Ballkan. Në këtë sfond të ri nuk është çudi të mendohet se koha po punon për Serbinë dhe se ajo po përjeton momentin e saj të revanshit. Prandaj çdo thirrje drejtuar perëndimit për të mirëkuptuar lidhjet e saj me Moskën, çdo pranim i rolit hegjemon mes gjashtë vendeve të rajonit, apo çdo etiketim si anti-ameLikanë i atyre që i rezistojnë orekseve të saj, mund të jetë një tradhëti ndaj interesave shqiptare. Nëse bota po ndryshon qëndrim ndaj Serbisë, askush nuk garanton dot se kjo e fundit s’do të jetë po e njëjta ndaj fqinjëve./Andi Bushati/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *