Kryeministri Albin Kurti, ka paralajmëruar zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, por ka thënë se para se të ndodhë kjo banditët që shkaktuan dhunë gjatë ditëve të fundit atje duhet të kthehen në Serbi ose të arrestohen nga autoritetet e Kosovës.

Një gjë të tillë i pari i ekzekutivit kosovar e bëri të ditur në një intervistë me gazetarin amerikan Chuck Todd në kuadër të emisionit “Meet the Press Now” në NBC.

“Kryetarët që fituan zgjedhjet e 23 prillit e kanë legjitimitetin e vogël, për shkak të pjesëmarrjes së vogël. Ne u kemi bërë thirrje që të merrnin pjesë në zgjedhje të gjithë, por Beogradi zyrtar i kërcënoi serbët dhe bëri presion tek ta për t’i bojkotuar ato. Kryetarë kanë legjitimet të vogël, por janë të vetmit që janë të ligjshëm”, ka theksuar Kurti.

Ai ka këmbëngulur se para se të shkohet në zgjedhje në komunat veriore duhet të ketë sundim të ligjit dhe grupet kriminale të dalin para ligjit, në mënyrë që të ketë pastaj fushatë të hapur dhe korrekte për zgjedhje demokratike në këto komuna.

Lexo po ashtu:  Kissinger: Biden dhe Xi Jingping duhet të bashkëpunojnë që të shmangin luftën

Kurti i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që t’i ndihmojë serbët e Kosovës që të jenë të lirshëm për t’i ushtruar të drejtat e tyre dhe jo të shantazhohen nga Beogradi.

“Beogradi zyrtar nuk i lejon serbët që të dëgjohet zëri i tyre. Ata duan vetëm një parti – Listën Serbe, por nuk ka demokraci pa pluralizëm politik”, ka shtuar Kurti.

Ai ka kërkuar që të zbatohet marrëveshja e Brukselit, teksa ka thënë se për detajet rreth shtensionimit të situatës do të diskutojë me Lajçakun dhe Escobarin në javën e ardhshme.

“Nuk i përjashtoj zgjedhjet e parakohshme, por fillimisht kemi nevojë për sundim të ligjit atje”, ka nënvizuar Kurti.

Ai ka theksuar se Policia e Kosovës nuk ka ushtruar dhunë në veri, por kanë qenë bandat kriminale serbe që kanë ushtruar dhunë ndaj KFOR-it, policisë dhe mediave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *