Emisarët Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak i kanë dhënë ultimatum kryeministrit Albin Kurti që më së largu deri të mërkurën duhet të japë përgjigje nëse e pranon zgjidhjen e propozuar nga SHBA-ja dhe BE-ja për depërshkallëzimin e situatës në veri.
Një numër veprimesh të prezantuara në propozimin që kryeministrit i është paraqitur një ditë më parë, synojnë shtensionimin e situatës, organizimin e zgjedhjeve të shpejta në katër komunat në veri, si dhe rikthimin e Kosovës dhe Serbisë në dialog.
Në një takim që emisari i SHBA-së e ka realizuar me një numër të kufizuar të përfaqësuesve të mediave, e ka bërë të ditur ultimatumin dhe ka theksuar se mospranimi i propozimit pasohet me pasoja ndaj Kosovës, meqë, sipas tij, kjo do të nënkuptojë se kryeministri Kurti nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në e BE-në.
Escobar është cituar të ketë thënë në takim se raportet e SHBA-së me kryeministrin Kurti kanë sfida, por se ato janë të pandryshuara mes dy popujve.
“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar. Shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin nuk do të prekin këtë sentiment”, tha Escobar.
Në kuadër të angazhimit të bashkërenduar të SHBA-së me BE-në për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar në veri, të martën emisarët Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak janë takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.
Presidenca njoftoi se, në këtë takim Osmani është shprehur se mund të shpallen zgjedhjet e reja në veri.
“Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore, dhe në këtë kontekst ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, u tha nga Presidenca.
Emisarët dhanë mesazhe të hënën mbrëma, pas takimit me kryeministrin Kurti, kur listuan veprimet që duhen ndërmarrë palët.
“I pari është depërshkallëzimi i situatës në terren, i dyti, zgjedhje të shpejta, të reja në veri dhe i treti kthimi në dialog në proces normalizimi”, tha Lajçak.
“Nuk kam parë kaq shumë unitet në komunitetin transatlantik, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik tjetër i Kosovës ka bërë të njëjtën kërkesë identike, kështu që shpresoj se kërkesa jonë do të dëgjohet”, tha Escobar.
Pas Kosovës, Escobar e Lajçak do të qëndrojnë edhe në Serbi, në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës në veri.