Nga Bedri Islami

Kosova është në njërën nga periudhat më të vështira të saj të pas luftës. Ndoshta do të jetë rrallë herë e përsëritshme.

E gjendur përpara sanksioneve perëndimore, befas, por jo rastësisht, liderët drejtues të vendit, pavarësisht dallimeve të papërfillshme, ngjallën zemërimin e shteteve, që, prej më shumë se 25 vite gjenden në krahun e saj historik. Dhe, pa të cilët, do të ishte vështirë, në mos e pamundur, të ishte e lirë, shtet demokratik dhe me progresin e saj perëndimor.

Si duket, mendimi i shfaqur nga zoti Kurti, në qeverisjen e tij të parë, se, Amerika ka shtrirë hartën e Kosovës në një tryezë bisedimesh dhe po bëhet gati me thikë të presë atë, nuk paska qenë mendim i çastit, por bindja e tij, dhe, mbi këtë bindje është ndërtuar edhe vija politike e tanishme.

Sa më shumë të thellohet ndarja nga Perëndimi politik dhe ushtarak, aq më e vështirë do të jetë kthesa dhe aq më e mundimshme rruga drejt saj. Më mirë nga të gjithë këtë e di vetë kryeministri i Kosovës, që, në këtë rast, ka gjetur armikun e gabuar.

Shtetet e Bashkuara nuk janë armiku i Kosovës. Është naivitet politik ta mendosh këtë. Por, e vërteta është se në një masë të rritur gjithnjë e më shumë të popullsisë së Kosovës, përkrahës të Lëvizjes VV, kjo po shndërrohet në bindje dhe, mbi këtë bindje po krijohet, dashje pa dashje, rryma që e cilëson, e beson dhe e gjykon të tillë.

Shqipëria nuk është armike e Kosovës. Është naivitet politik të mendosh këtë, për më tepër ta besosh se shteti AMË, i cili edhe në vitet më të vështira të ekzistencës së tij, vitet 1997 -1999, kur ai luhatej mes mbijetesës dhe asfiksimit, bëri gjithë çka ishte e mundur për të mbështetur luftën çlirimtare.

Shqipëria ishte domosdoshmëria e luftës dhe e çlirimit dhe, pavarësisht nga ngurrimet e para, ajo bëri maksimumin e mundshëm, për të krijuar urën e domosdoshme mes luftës në Kosovë, zhvillimit të logjistikës dhe mbulimit të çështjeve të tjera që kishte të bënin me zhvillimet e mëtejshme të luftës. Për më tepër, Shqipëria, populli i saj, jo vetëm mirëpriti, si ishte detyrimi i saj kombëtar, por mbështeti lëvizjen e madhe të shqiptarëve të Kosovës, të dëbuar nga dhuna fashiste e politikës serbe, vrasjet mizore dhe gjenocidin e pa zakontë që ndodhi në harkun e 16 muajve të luftës së hapur.

Për të bërë një luftë në kohë paqe duhet të kesh një kauzë. Pastaj duhet të gjesh një armik. Kosova ka përballë vetes mentalitetin dhe pushtetin fashist të Beogradit, i cili pak ose aspak ka ndërruar nga ai i regjimit të Millosheviçit.

Ai do të përdorë edhe më tej bandat dhe lidhjet e tij brenda Kosovës, të cilat janë ende të pranishme. Do të përdorë klane politike brenda skenës politike të Kosovës, që ende janë nostalgjikë ndaj idesë së jugosllavizmit të hapësirave ku ishte dikur shteti jugosllav; në Kosovë, shpesh herë, nën petkun e nacionalizmit shfaqen e do të shfaqen figura që pak ose aspak kanë të bëjnë me ndjenjën kombëtare, dhe, në fund, financimet serbe në Kosovë, përmes firmave të ndryshme, janë ende të fuqishme.

Lexo po ashtu:  SHBA – Shqipëri, histori me Borxh

Ata që ende besojnë se me ardhjen në qeverisje militantët e Lëvizjes VV të gjitha këto do të kenë një fund të shpejtë, do të jenë, po ashtu shumë shpejt, të gabuar dhe përmes tyre do të krijohet edhe më tej rryma që i bie ndesh interesave të kombit.

Kosova ka të drejtën e saj historike dhe përgjegjësinë qytetare që në Veriun e saj, ashtu si edhe në Jugun e saj të sundojë e drejta e ligjit, qeverisjen së njëjtë, e krijimit të strukturave demokratike e jo fashiste; ka të drejtën e pamohueshme të mbrojë deri në fund çdo njësi, sado e vogël qoftë e territorit të saj, të krijojë barazinë mes qytetarëve dhe të mos lejojë që, përmes të drejtave të pakicave që gjenden aty, të krijohet pabarazia.

E drejtë e saj është të zhvillojë zgjedhje komunale në Veriun e saj, të krijojë pushtetin lokal, që u braktis nga pakice serbe, të ketë një strukturë qeverisëse edhe në katër komuna me shumicë serbe, dhe kjo i është lejuar dhe, për më tepër, i është dhënë përkrahja e duhur nga perëndimi.

Sovraniteti i Kosovës nuk u shkel nga shtetet që i janë pranë dhe e mbështetin, të cilat, edhe pse e dinë fare mirë, më mirë se gjithë të tjerët, se një komunë nuk mund të qeveriset nga besimi i tre për qind të votuesve, përsëri i quajtën legjitime.

Besimi i tyre u thye jo nga legjitimiteti i zgjedhjeve, por nga tejkalimi i së drejtës të ushtrimit të pushtetit në një fazë të caktuar. “Nacionalistët” e vonuar të Kosovës, të cilët në fakt nuk e duan as Kurtin e as qeverisjen e tij, nuk e duan as Shqipërinë e as qeverisjen e saj, nuk e duan as perëndimin e as idetë që bart progresi i tyre, “analistët” sovranistë të Shqipërisë, që kur ishte lufta në Kosovë talleshin me ata që kishin vendosur të luftonin e që pas luftës rrinin si kotele në këmbët e Thaçit, e dinë fare mirë se lufta ka mbaruar, se lufta e tanishme është vetëm në mendjet e tyre dhe i pëlqen të këtë një luftë tjetër, sado që e dinë se kjo nuk është asgjë tjetër, veçse luftë në mendimin e tyre.

Fakti mbetet: asnjëherë më parë, mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka pasur një gjendje të tillë, të nderë, të hapur dhe deri në kufijtë e marrëzisë. Kjo nuk është vetëm nga përplasja e “dy deshëve” të qeverisjes, nga mënyra se si ato e perceptojnë politikën, lidhjet me perëndimin apo egon e tyre për të mbetur në histori.

Kjo është banalizimi i një përplasje që ka të bëjë me atë që fshihet në të vërtetë. Është maja e ajsbergut që mund të shohin njerëzit. Më thellë se kaq, shumë më thellë, fshihet politika e një klani që kurrë nuk e ka dashur afrimin e shqiptarëve në dy “Shqipëritë”, asaj londineze dhe asaj të Përtej Drinit.

Mllefi i tanishëm kundër Edi Ramës, i cili paraqiti, në emrin e tij apo të strukturave euro-atlantike, si një rrugë të mesme mes dy qëndrimeve, propozimin e tij për krijimin e Bashkësisë të komunave me shumicë serbe, është mediokër, i pa kohë dhe kundër asaj që quhet komb.

Lexo po ashtu:  Harta ruse e shantazhit: Deklarata skandaloze e ambasadorit në Suedi dhe diplomacia e rrugës si gjuhë dhe si koncept

Kryeministri i shtetit shqiptar e ka për detyrë kushtetuese të jetë i pranishëm në zhvillimet kombëtare. Ai nuk shkëputet dot prej saj. Kur Albin Kurti u bë pjesë e zgjedhjeve politike të vitit 2021, kur ai së bashku me një tufë ministrash dhe deputetë shkoi në foltoret politike, kjo, edhe pse jo shumë e dashur, ishte e pranueshme, pasi , nga “analistët sovranistë”, u quajt e drejtë e natyrshme.

Kjo që bëri tani qeveria shqiptare nuk është ndërhyrje në rregullimin e punëve të përditshme të Kosovës, si deklaroi kreu i Foltores politike në Shqipëri, Berisha, që kur i shiste armë dhe karburante qeverisë së Millosheviçit, e justifikonte se po ndihmon popullin e Kosovës, që, kur synonte të niste lëvizjen kundër politikës së Rugovës, për të shpëtuar veten nga shpërthimi i piramidave financiare, e trajtonte si të drejtë të tij të ligjshme.

Ajo që bën qeveria e Shqipërisë është detyrë. Pa e lexuar ende draftin e hodhën në kosh. Çfarë të keqe ka kur pranon të diskutosh mbi një draft të përgatitur nga strukturë serbe dhe të mos e lexosh një draft nga politika shqiptare? Nëse një pjesë e kombit ka vendosur të ecë në një rrugë të shkurtër, por që nuk ka fund të duhur, është e drejta e pjesës tjetër të thotë fjalën e saj.

Është e lehtë të përcaktosh, për hatër të publikut që të ndjek verbërisht se, Sekretari Amerikan i Shtetit, figura e dytë në politikën amerikane është naiv, i ngutshëm apo më herët janë nxjerrë thikat për të prerë Kosovën. Është e lehtë të kërkosh sherrin e madh me pjesën tjetër të qeverisjes së kombit. Është e lehtë të nxjerrësh në “frontin e luftës” politike gjithfarë halabakësh politikë për të mallkuar shtetin AMË. E, po ashtu, është e lehtë të krijosh një turmë që thërret se “kurrë nuk ia kemi parë hairin Shqipërisë!”

Njeriu i politikës, sot drejtues i shtetit të Kosovës, ndoshta njeriu me më shumë autoritet, tani për tani, në të gjithë shqiptarët që banojnë në këto treva, i cili kishte moto të tij bashkimin e kombit, sot e sheh se kjo ëndërr është sprapsur me vite të tjera dhe ndasia po rritet.

Është e lehtë të krijosh një detashment në lëvizjen e çoroditur kundër perëndimore, me teh Shtetet e Bashkuara, e vështirë ka qenë të ndërtohen urat e për bashkimit, të ideve, nocioneve, aspiratave dhe synimeve. Lufta nuk do të ishte bërë në Kosovë nëse nuk do të ishte përkrahja e Shteteve të Bashkuara. Ngurrimet e para i zunë vendin shpejt përkrahjeve të fuqishme, fillimisht pak të njohura, deri në sulmet e strukturave të NATO-s.

Ka qenë e pamundur, nëse nuk do të lejohej nga SHBA armatosja e lëvizjes çlirimtare. E pamundur krijimi i strukturave të Shtetit të Kosovës. Të Pavarësimit të saj. E vendosjes së KFOR-it. Mohimi i tyre është mohimi i vlerave tona. I aspiratës shqiptare.

Kush janë vërtet armiqtë e qeverisë Kurti?

Lexo po ashtu:  Profesori universitar nga Amerika: Dialogu i Brukselit të rivendoset  AP-në  e OKB-së në Nju-Jork

E vërteta historike ka dëshminë e saj se pushtimi serb i Kosovës, betejat dhe luftërat, gjaku i derdhur dhe misionet sublime të disa brezave kanë pasur ballë vetes agresionin serb, politikën e Beogradit, në të gjitha kohët. Edhe sot.

Ky armik është i pranishëm dhe tani. Lëshimet që i janë bërë herë pas here nuk kanë sjellë dobi. Ata janë mënjanuar nga diplomacia dhe politika perëndimore dhe kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen.

Armiqtë e Kurtit janë shpesh herë brenda tij. Analistë që, duke e njohur egon politike dhe dëshirën historike të liderit të tyre, e rritin figurën e tij në përmasa gjeometrike, e fryjnë kur gjërat duhen ulur me këmbë në tokë, e lajkatojnë, edhe kur nuk është në rrugën e duhur, e mburrin, kiur nuk është për tu mburrur.

Nacionalistët sovranistë pranë tij nganjëherë janë ata që nuk e njohin kombin shqiptar në Kosovë. Njohin dhe duan të krijojnë kombin kosovar, ëndërr e vjetër e politikës serbe. Këto nacionalistë të pas akshamit, nuk e njohin gjuhën e përbashkët shqipe, por janë për krijimin e gjuhës kosovarishte. Nuk e kanë dashur kurrë kombin, sepse e quanin veten kozmopolitë. Nuk e donin kurrë Shqipërinë, veçse në kohën kur qeverisnin njerëz të lidhur me politikën serbe.

Shumë prej tyre që thërrasin se janë të gatshëm për luftë dhe nuk i trembet syri, ishin në moshë madhore në kohën e luftës, por, ose u rreshtuan kundër saj, ose qëndruan në strofkën e tyre, duke bërë “politikën e madhe”.

Janë ata që, pasi përqeshën luftën dhe gjakun e dëshmorëve, tani përbetohen se “për gjakun e derdhur nuk e lëshojmë asnjë pëllëmbë tokë shqiptare”, janë prej atyre që justifikuan masakrat e pushtuesve gjermanë mbi shqiptarët, pasi, sipas tyre, ata ishin komunistë dhe duheshin vrarë; janë prej atyre që financohen nga qeveria, por janë të gatshëm të dalin edhe kundër vetes për të ushqyer ndjenjën e urrejtjes; janë prej atyre që, në qeverisjet e mëparshme nuk ishin pjesë e nomenklaturës dhe tani mënojnë se është koha e tyre.

Ata u sulën të parët kundër Thaçit, kundër Haradinajt, kundër Veselit, nesër do të jenë të parët kundër Kurtit.

Armiku i Kurtit është një pjesë e politikës së Tiranës, që e mbështet në llastimet e tij politike, në luftën kundër qeverisë aktuale, që shpreson që Kurti të jetë , edhe ai, “ non grata” e politikës perëndimore dhe të njësohen me të.

Në vitin, që tani duket i largët, 1999, presidenti Klinton , si duket duke e para ndjerë se paqja ishte më e rëndë se lufta, tha se “ne luftën, ju paqen”. Shqiptarët nuk kanë nevojë për një luftë të re. Atë e kanë fituar. Nëse qeveritarët e tanishëm nuk ishin pjesë e elitës së fitimtarëve, nuk është faji i atyre që bënë dhe fituan luftën.

Shqiptarët në Kosovë nuk mund të perceptojnë një armik të gabuar, si SHBA dhe Shqipëria. Është burrëri të thuash fjalën e duhur në një moment të duhur. Në fund të fundit, nuk është rrahja e shpatullave dëshmi se je në rrugë të mbarë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *