Në fillim të javës së kaluar, familjarët e 76-vjeçares Bela Montoja u mblodhën për ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit në Ekuador. Por rreth 5 orë pas funeralit, ata dëgjuan një tingull të çuditshëm që vinte nga arkivoli. Kur anëtarët e familjes hapën arkivolin, e gjetën Montojan të gjallë dhe duke gulçuar për ajër.

Mjekët e kthyen atë në spital, ku vetëm disa orë më parë ajo ishte shpallur “e vdekur” nga mjekët për shkak të komplikimeve me një goditje në tru. Montoja është ende në spital në repartin e terapisë intensive. Ndërsa shpresojmë që incidente të tilla të jenë sa më të pakta, është fakt që Montoja nuk ka qenë personi i parë që “rikthehet në jetë” duke qenë e mbyllur në një arkivol.

CNN përmendi në fillim të këtij viti historinë e një gruaje 82-vjeçare, e cila u shpall e vdekur në një shtëpi pleqsh në Long Ajland, Nju Jork, vetëm për t’u zbuluar disa orë më vonë duke marrë frymë në shtëpinë e shërbimeve funerale. Fatmirësisht, në të dyja rastet, të moshuarat u gjetën të gjalla para varrimeve nën tokë.

Ndërsa teknologjia mjekësore po përparon gjithnjë e më shumë, lind pyetja se si mund të ndodhë diçka e tillë. Dhe sa shpesh njerëzit varrosen thuajse të gjallë? Kjo gjë ndodh më shpesh sesa do të donim ta mendonim. Raste të tjera si ajo e Montojas, kanë ndodhur në mbarë botën.

Lexo po ashtu:  Ja si të çliroheni nga robëria e dashurisë dhe mënyra për ta jetuar magjishëm lumturinë që dhuron ajo

Për shembull, një burrë në Mumbai të Indisë u supozua i vdekur pasi u gjet në një stacion autobusi pa ndjenja “i mbuluar nga krimbat”. Një mjek deklaroi se i kishte kontrolluar pulsin, dhe nuk kishte vërejtur asnjë shenjë jete, duke e dërguan burrin direkt në morg, ku më vonë ai rifitoi vetëdijen.

Më vonë u mësua se burri kishte pasur një çrregullim metabolik, dhe më pas ishte trajtuar në spital. Një incident i ngjashëm ndodhi në vitin 2014, kur një grua polake e tmerroi stafin e morgut, kur nisi të lëvizte brenda një çante ku mbyllen kufomat.

91-vjeçarja u kthye në familje dhe kërkoi të hante supë dhe petulla. Një nga rastet më të spikatura kur dikush u varros gjallë është ai i Angelo Hais. Në vitin 1937, francezi po ngiste motoçikletën e tij kur u përplas fort në një mur me tulla. Ai u shpall i vdekur në vendngjarje, dhe u varros dy ditë më vonë.

Megjithatë për arsye sigurie, trupi i tij u zhvarros disa ditë më vonë, dhe u zbulua se ishte ende gjallë. Aksidenti kishte bërë që trupi i tij të binte në një gjendje kome, ku kishte nevojë për pak oksigjen. Pas disa kohësh, Hais u shërua plotësisht dhe vazhdoi ta vizitonte vendin në një arkivol që e kishte ndërtuar vetë.

Lexo po ashtu:  Letra e nënës për fëmijët…

Ekzistojnë disa shpjegime mjekësore se pse një person zgjohet pak para varrimit të tij. Një prej tyre është Efekti i Llazarit. Nëse dikush pëson arrest kardiak, zakonisht mjekët e shpallin personin të vdekur, pasi bëjnë përpjekjet për ringjalljen e tij, si për shembull procedurën e CPR, dhe nuk ka asnjë reagim.

Por ka raste të rralla kur një pacient ka papritur një rikthim spontan të aktivitetit kardiak duke “u rikthye nga vdekja”. Megjithatë në këto raste, sipas Klinikës Klivlend, ata nuk kishin vdekur. Ky njihet si Fenomeni i Llazarit ose Sindroma e Llazarit. Në terma mjekësorë, quhet “auto-reanimacion”.

Zakonisht pacienti e rifiton qarkullimin e gjakut brenda 10 minutave pas CPR. Por ka disa raste kur pacientët janë zgjuar disa orë më vonë. Sipas Klinikës Klivlend, shumica e njerëzve nuk mbijetojnë shumë më gjatë pasi kanë përjetuar Fenomenin e Llazarit.

Nga viti 1982 deri në vitin 2018, janë dokumentuar 65 raste të Fenomenit të Llazarit, por vetëm 18 prej tyre përjetuan një rikuperim të plotë. Zakonisht Fenomeni i Llazarit ndodh vetëm pasi mjekët përdorin CPR. Edhe pse arsyeja mbetet e paqartë, disa ekspertë besojnë se CPR shkakton hiperinflacion, pra shkakton mbushjen e mushkrish me shumë ajër dhe rritjen e presionit në gjoks. Ky presion mund të parandalojë rrjedhjen e gjakut në zemër dhe ta bëjë të duket sikur zemra ka ndaluar së rrahuri.

Lexo po ashtu:  “Askush nuk është varfëruar duke dhënë”. Disa arsye pse duhet t’i ndihmoni të tjerët

Kur presioni bie dhe gjaku nis të qarkullojë sërish, mund të duket sikur personi është kthyer në jetë. Megjithatë në shumicën e rasteve kjo ndodh vetëm për një kohë të shkurtër. Ndonëse pacientët monitorohen nga afër, trupi i njeriut mund të reagojë në mënyra të ndryshme pas vdekjes ose vdekjes së supozuar.

Kjo mund të bëjë që njerëzit të duken “sikur rikthehen në jetë” në funeralet e tyre. Sipas Klinikës Klivlend, disa studiues besojnë se ky fenomen ndodh më shpesh sesa është dokumentuar. Në librin e tij “Sindroma e Llazarit:Varrosja për së gjalli dhe tmerre të tjera” (1998), Rodni Dejvis, thekson se 1-2 për qind e varrimeve në SHBA dhe Evropë janë të parakohshme. / Discover Magazine – Bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *