Më 3 korrik të vitit 1927 u nda nga jeta Heroina e Popullit, Qerime Galica, e njohur me emrin Shote.

Luftëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, austro-hungarezë, bullgarë e jugosllavë dhe për bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Shote Galica lindi në katundin Radishevë të Drenicës. Mori pjesë në kryengritjet kundër osmanëve (1909-1912) dhe në qëndresën e armatosur kundër serbëve (1912-1915). Në vjeshtën e vitit 1915, u rreshtua në çetën e kryengritësve të Drenicës përkrah bashkëshortit Azem Galica. Përgjatë viteve 1916- 1918 mori pjesë në disa aksione kundër forcave pushtuese bullgare e austro-hungareze. Mori pjesë në luftimet e vjeshtës 1918 për çlirimin e Drenicës, Podgorit dhe Pejës.

Pas Luftës I Botërore e vazhdoi qëndresën kundër politikës serbomadhe të dhunës e shkombëtarizimit në Kosovë. Në prill-qershor 1919 mori pjesë, përkrah Azemit, në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit e të Drenicës. Në vitet 1921 – 1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut dhe në vitin 1923-1924 të zonës së lirë të Drenicës, në Arbaninë e Vogël. Pas vrasjes se Azem Galicës mori drejtimin e çetës së bashku me M. Deline dhe F. Beranin. Në ballafaqimet politike në Shqipërinë e viteve 1921-1924, ishte përkrahëse e opozitës demokratike dhe mbështetëse e qeverisë së Nolit. Në dhjetor 1924 mori pjesë në radhët e luftëtarëve të Bajram Currit, që priten me armë në kufi forcat e Ceno bej Kryeziut. U rikthye në Kosovë, ku mbajti gjallë në popull frymën e qëndresës antiserbe.

Lexo po ashtu:  12 shpikjet e grave që e ndryshuan botën moderne!

Më 1926, pas 12 vjetësh luftë, pjesëmarrëse në mbi 40 aksione të rëndësishme, në të cilat humbi 22 anëtarë të familjes, e plagosur dhe e sëmurë, u kthye në Shqipëri. U vendos në Shullaz, pranë Milotit dhe më pas në Derven të Fushë-Krujës. Ndonëse në gjendje të vështire dhe pa burime ekonomike, u kujdes për tre fëmije jetimë të bashkëluftëtareve të vrarë. Vdiq në Fushë-Krujë./atsh/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *