Tri shpërpjesëtimet e Shqipërisë

Veton Surroi

1. Për nevojat e këtij shkrimi kam zgjedhur tri shpërpjesëtime që më duken se flasin shumë për Shqipërinë e sotme. Shqipëria sot ka shpërpjesëtimisht më shumë se cilido vend tjetër që di unë në Evropë bidonë uji, para informaliteti dhe nevojë për opozitë politike. Që të tria disi janë të ndërlidhura dhe krijojnë një moment të rëndësishëm të kulturës politike të vendit. Të fillojmë prej bidonëve të ujit. Në krahasim me cilindo prej shteteve të Ballkanit Perëndimor (të mos bëjmë krahasim me vendet e BE-së) shumica e qytetarëve shqiptarë që kam parë nëpër qytetet e vendit konsumon ujë nga bidonë të blerë. Pra, shumica e qytetarëve të Shqipërisë nuk e pi ujin e ujësjellësit publik, dhe kjo ndodh në mënyrë dramatike pas rënies së komunizmit, kur u hetua që uji i ujësjellësit mund të jetë i dëmshëm për shëndetin.

Demokracia ka sjellë dy rrugë që ende nuk e kanë gjetur puqjen. Nga njëra anë vendi ka fituar të drejta politike dhe ka përjetuar një transformim të pashoq; Shqipëria është pakrahasimisht më mirë sot se që ka qenë ndonjëherë. Nga ana tjetër, qytetarët e vendit nuk e kanë fituar të drejtën elementare, atë të ujit të pijshëm. Rezultati i këtyre dy vektorëve që nuk puqen është se Shqipëria po zhvillohet duke u ndërtuar mbi pabarazinë e qytetarëve të saj. Për më tepër, është duke u zhvilluar me pranimin e qytetarëve të saj se kështu duhet të bëhet zhvillimi, në pabarazi. Në tridhjetë e kusur vjet transformimi në demokraci, uji, si një vlerë bazike jetësore, nuk ka qenë pjesë e agjendës politike të partive politike dhe nuk ka qenë pjesë e protestave qytetare.

Nëse qytetari ka pranuar që në fillim, me ujin, se do të jetojë në pabarazi të imponuar si normë, atëherë është e vështirë që ai qytetar të kërkojë ndryshime më të thella në shoqërinë e tij.

Lexo po ashtu:  Edi Rama dhe Ballkani i Hapur

2. Qytetarët e vendit po mësohen (nëse nuk janë mësuar më) edhe me një tepri tjetër shpërpjesëtimore, vëllimin e parave informale që hyjnë në vend dhe kalojnë nëpër procesin e përligjjes (apo “pastrimit”) si investime, kryesisht në ndërtim dhe turizëm. Njëri prej burimeve të këtyre parave, sipas Raportit të Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve, të Departamentit amerikan të Shtetit, është droga. Në Raportin e vitit 2023 thuhet se “shtetasit shqiptarë luajnë një rol shpërpjesëtimor në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe të organizimit të rrjeteve të krimit, pasi territori i tyre është një pjesë kyç e rrugës ballkanike të trafikut të narkotikëve në Evropën Perëndimore dhe në Mbretëri të Bashkuar. Grupet e krimit të organizuar të udhëhequra nga shqiptarët veprojnë në Shtetet e Bashkuara, në Mbretëri të Bashkuar dhe gjetkë në Evropë, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Amerikë të Jugut, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë. Këto grupe përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat e tyre dhe për të kontribuar në korrupsionin në vend”.

Një test i “normalizimit” të gjendjes, pra të mësimit se ashtu si duhet të jetohet me bidonë uji do mësuar edhe me faktin se një faktor i rëndësishëm i ekonomisë është trafiku në drogë, po zhvillohet gjatë këtij viti. Së bashku me zgjedhjet vendore (e nevojën për më shumë para jo tërësisht transparente për financim fushatash) dhe një rritje turistike me më shumë para në qarkullim, Shqipëria po ndien rritje të dukshme dhe jopërpjesëtimore (ta quajmë ashtu) të euros e dollarit joformalë që po gjejnë përligje duke u shndërruar në lekë shqiptarë.

Lexo po ashtu:  Rreth debatit mbi zgjerimin e gjerësisë së detit territorial të Greqisë

Eksperimenti është i dukshëm në rezultatet e veta, euro ka humbur 17 për qind të vlerës së vet sivjet. Kjo do të thotë se paraja “shpërpjesëtimisht e madhe” nga trafiku ilegal ka hyrë shpërpjesëtimisht më shumë në treg dhe kjo e ka forcuar shpërpjesëtimisht shumë lekun. Leku është shpërpjesëtimisht më i fortë se që ka qenë, apo është rritja ekonomike e vendit.

Në këtë fazë “normalizimi” nuk përfitojnë të gjithë. Ata që e kanë më së vështiri për të blerë bidonë uji e kanë më së vështiri edhe me lekun e forcuar. Sipas hulumtuesit E. Zaloshnja, 53 për qind e qytetarëve të Shqipërisë marrin remitenca prej familjarëve të tyre. Pra, 1.4 milionë qytetarë të vendit marrin 17 për qind më pak ndihmë, kur përkthehet në lek, se që kanë marrë në fillim të këtij viti. Kostoja tjetër, ajo e institucionalizimit të parasë informale në shtet, nuk është e kapshme si statistikë sot, por është e përjetuar si korrupsion, apo nesër edhe me elemente të kapjes së shtetit.

3. Alternativa për qytetarin e bidonit dhe të remitencës së zhvlerësuar nuk duket në horizontin politik. Harta politike e krijuar pas zgjedhjeve të sivjetme vendore tregon për një opozitë që përshkruhet vetëm në kohë të kaluar dhe një pushtet që po e përcakton të ardhmen e vet duke u akomoduar me mungesë opozite. Një pushtet pa opozitë është diçka që Shqipëria ka pasur vetëm para se të fillonte shumëpartizmi. Në mungesë të forcës korrigjuese të opozitës, Shqipëria po përjeton apo mund të përjetojë dy zhvillime paralele që dikur puqen. I pari është “spastrimi i radhëve tona”, pra një ritual i cili duhet të eliminojë nga pushteti ata që nuk i përmbushin kriteret morale (të projektuara apo reale) të tij. Një pas një duhet të largohen nga pushteti ata që perceptohen (apo zihen me prova) si abuzues të tij. Në këtë ritual, SPAK-u merr rolin e çuditshëm, të pamerituar dhe të pakërkuar, të opozitës. Prej SPAK-ut pritet sot të bëjë atë që në vende të tjera e bëjnë mediat profesioniste, shoqëria civile, opozita politike, debati parlamentar. Ndërkohë pushteti i afrohet një instinkti të së kaluarës së një pjese të Evropës ku besohej se Prijësi (“lidershipi”, sistemi) është i mirë, por disa përreth tij po abuzojnë me pushtetin. Zhvillimi i dytë është që në mungesë të opozitës (si gjendje e tanishme apo si projeksion i prekshëm i ardhmërisë), opozita ndaj pushtetit të tanishëm në Shqipëri të zhvillohet apo kërkohet të zhvillohet brenda Partisë në pushtet.

Lexo po ashtu:  Mediat nën “Diktaturën e Albinit”

4. Pushteti mund të mbështetet në formulat e deritanishme të menaxhimit të perceptimit publik, përfshirë edhe kakofoninë e debatit që zhvillohet ditë e natë në televizione, një pjesë e rëndësishme e të cilave janë pjesë e modelit të tanishëm sundues. Gjatë një jave do të flitet për një skandal seksual, një javë tjetër për një vrasje, një tjetër për një skandal tenderues. Dhe përsëri, pastaj, për një skandal seksual a vrasje.

Por tri shpërpjesëtimet e Shqipërisë do të mbesin në një kombinim toksik. Vendi i pabarazisë strukturore të bidonëve në të cilin paraja e drogës pos legalizimit financiar do të kërkojë edhe të drejtën e qytetarisë institucionale dhe politike nuk mund të pretendojë se është demokraci funksionale evropiane nëse faktori i vetëm korrigjues është ai i cili duhej të ishte ndër të fundit, SPAK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *