Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën e Paqes: Demokracia kundër autokracisë, organizuar nga asociacioni Tout Pour La Republique, Universite Pantheon Sorbonne, Hyland Center for Global Studies në UBT dhe Rrjeti i Biznesit të Diasporës Shqiptare.

Në fjalën e tij, ai ka thënë se qeveria e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po zbaton një spastrim etnik administrativ të komunave me shumicë shqiptare në Serbinë jugore duke fshirë adresat e banimit të shqiptarëve vendas nga regjistrat komunal.

“Aleksandar Vuçiq, dishepull i Vojslav Sheshel dhe ministër i informacionit (që do të thotë propagandë) i Sllobodan Millosheviçit gjatë viteve të 1990-ta, kërkon të instalojë një entitet juridiko-politik etnokratik brenda Kosovës, në mënyrë që ta bëjë republikën tonë një shtet jofunksional. Ai nuk beson në idenë e qytetarisë liberal-demokratike. Kjo është arsyeja pse në të njëjtën kohë që ai dëshiron instalimin dhe kontrollin e një entiteti të tillë brenda Kosovës, qeveria e tij po zbaton një spastrim etnik administrativ të komunave me shumicë shqiptare në Serbinë jugore duke fshirë adresat e banimit të shqiptarëve vendas nga regjistrat komunal”, tha Kurti.

Lexo po ashtu:  6 truke psikologjike që të pasurit përdorin për të bërë më shumë para

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, siç thekson me të drejtë Hyland, jo vetëm që bazohet në norma universale liberal-demokratike, siç janë respektimi i dinjitetit njerëzor dhe të drejtat e barabarta të të gjithë qytetarëve para ligjit, por është edhe shumë bujare në konceptimin e së drejtës për vetëmenaxhim të pakicave etnike, veçanërisht të serbëve të Kosovës.

Serbët e Kosovës, shtoi Kurti, gëzojnë një veto efektive mbi shumë aspekte të rëndësishme të hartimit të ligjit dhe politikave, jo vetëm në nivel të qeverisjes lokale, por edhe në nivel qendror.

“Neni 81 i Kushtetutës sonë, duke iu referuar asaj që e quan “legjislacion me interes vital”, përcakton se një gamë e gjerë ligjesh nuk mund të miratohen apo shfuqizohen pa pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit që mbajnë mandate të garantuara për pakicat, të cilat në total arrijnë në 20 mandate (sipas nenit 64 të Kushtetutës sonë). Këtu përfshihen ligjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e kufijve komunalë, ligjet që zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, ligjet për përdorimin e gjuhës, ligjet për zgjedhjet lokale, ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonave të veçanta të mbrojtura, ligjet për lirinë fetare, ligjet për arsimin dhe ligjet për përdorimin e simboleve. Për më tepër, asnjë nga këto ligje nuk mund të paraqitet në referendum”, u shpreh kryeministi i vendit.

Lexo po ashtu:  Dita e shtatë, nis protesta para Kryeministrisë

Kurti theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe (e ashtuquajtura Zajednica serbe) do të kishte qenë goditje fatale për Kushtetutën e Kosovës.

“Prandaj, nuk është rastësi që Gjykata jonë Kushtetuese konstatoi se 23 nene të Statutit të saj të propozuar janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë”.

“Ajo që kemi këtu është një përplasje e qartë midis dy vizioneve antitetike: nga njëra anë vizionit Ahtisaarian për një demokraci liberale, multikulturore dhe konsocionale, dhe në anën tjetër vizionit etno-teokratik të qeverisë serbe që ende funksionon nën konceptin e aleancës fron-altar. Nuk mund t’i kemi të dyja mënyrat. Nëse Kushtetuta jonë lejohet të ndryshohet, siç synon ta bëjë Serbia përmes një asociacioni të komunave me shumicë serbe, ky do të ishte fundi i një Republike të pavarur dhe liberal-demokratike të Kosovës. Diçka e madhe është në mes për ne si qytetarë të Kosovës dhe patriotë demokratë dhe aderues republikanë. Por diçka e rëndësishme është në mes edhe për aleatët dhe partnerët tanë perëndimorë. Kosova është një histori suksesi e ndërhyrjes humanitare perëndimore. Si e tillë, lulëzimi i saj si një shtet liberal-demokratik është prova më e madhe që mund të ketë për luftën e drejtë të NATO-s kundër Serbisë së Millosheviqit”, deklaroi Kurti.

Lexo po ashtu:  Pse Kina po shpon një vrimë 10 mijë metra të thellë në Tokë?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *