Skerdilajd Zaimi

Një incident i ndodhur së fundmi në një mjedis “atipik” për politikën fton të mendosh për botën ku jetojmë. Për muret e saj që sa vijnë e ngushtohen, për dritaret që mbyllen dhe izolimin e detyruar ku po rrëshket shoqëria. Paddy Cosgrave, një sipërmarrës irlandez që ka bashkëthemeluar konferencën më të madhe europiane për teknologjinë, Web Summit, është detyruar të dorëhiqet nga pozicioni i vet si drejtues i saj për shkak të komenteve në mediat sociale për luftën e fundit në Izrael.

Krimet e luftës janë krime lufte edhe kur bëhen nga aleatët, shkruajit ai në mediat sociale, një qëndrim që solli tërheqjen nga aktiviteti i këtij viti i disa kompanive të mëdha të teknologjisë.

Qëndrimi ishte një kritikë dhe denoncim pse jo i akteve të Izraelit në konfliktin e fundit me Hamasin, çka nuk është pritur mirë. Cosgrave publikoi edhe një ndjesë, përmes së cilës dënonte krimet e Hamasit, por shtonte se Izraeli, megjithë të drejtën e vet për ekzistuar nuk mund të shmanget nga Konventa e Gjenevës dhe nuk duhet të bëhet autor i krimeve të luftës.

Lexo po ashtu:  Rreziku/ Si po planifikon dyshja Rama Vuçiç afrimin me Trump

Por kjo nuk ka mjaftuar dhe ai është detyruar të largohet. Ky episod nuk është i izoluar. Prej kohësh në SHBA ka një diskutim të ndezur mbi një lloj sektarizmi ekstrem për tema të ndryshme të interesit publik, ku palët duket se kanë krijuar tabu dhe kanë ndarë tashmë anën e mirë dhe të keqe të medaljes. Lëvizjet e shumëdiskutuara në SHBA, që kryesisht anojnë majtas, janë aktualisht pjesë edhe profesoratit universitar, në mjedise të caktuara të të cilit ka gjëra për të cilat është mirë të mos flasësh.

Kjo edhe mund të kuptohet deri diku nisur nga kliesheja e diskredituar tashmë se universitetet janë vende prej ku gjenerohen gjykime morale dhe moralizuese ndaj dukurive në shoqëri, por është krejtësisht e pakuptueshme sesi kjo të ndodhë në mjedisin e biznesit.

Si mundet dhe përmes cilit mekanizëm aktivizohet ky lloj ostracizmi që bën të pabesueshme të gjithë propagandën e lirisë së shprehjes. Të flasësh për krimet e luftës së Izraelit, nuk është të përhapësh gjuhë urrejtjeje, por të gjykosh mbi teprinë e një reagimi që po legjitimon në mos krime lufte, një politikë agresive që pak e ndan nga kriminaliteti i premisave.

Lexo po ashtu:  Unë kam qenë në koncertin e Bregoviçit, por këtë radhë nuk do ta bëj

Çfarë vepron brenda shoqërisë perëndimore kaq mirë, saqë edhe aty ku evokohet me të madhe Privatja, Publikja, apo shtetërorja ndërhyn kaq efektivisht?

Çfarë mund të prodhojë ky bojkot radikal ndaj një personi që bëri disa komente me natyrë kritike në Europën e nesërme? Çensurë, autoçensurë dhe një rreshtim homogjen të njerëzve që për disa gjëra flasin e për disa jo.

Çfarë prodhon debati për Benzemanë në Francë për të njëjtën gjë? Natyrisht që asgjë të mirë. Prodhon një botë të ndarë në mes, ku e Mira dhe e Keqja janë kufij të rremë të një realiteti virtual që përkufizohet nga interesi. Dhe asnjë kod etik e moral që të quhet realisht i tillë. Çfarë është më trishtues është fakti se kjo qasje nuk dallon aspak na ai vulgariteti i ndarjes që shohim në Ballkan e që shpesh mendohet se është një atavizëm dhe defiçencë që nuk e has në Europën e emancipuar, të civilizuar. E emancipuar? Kjo është e pavërteta më e madhe ndoshta. Sepse asnjë mësim nuk duket të jetë nxjerrë që të ketë vlerë universal, veç atij mësimit se e shkuara vetëm sa e dobësoi Europën.

Lexo po ashtu:  Fareed Zakaria: Sanksionet që vërtet do ta ndalonin Putinin!

Tingëllon në këto kohë që po zymtësohen shumë shpejt, si profetike, deklarata e para gjashtë viteve e djalit të ish-guvernatorit nazist të Polonisë, Hans Frank, i cili në një intervistë për BBC do të shprehej se nuk duhet t’u besohet gjermanëve dhe se kjo qetësi dhe ky liberalizëm është vetëm falë ekonomisë, por jo një ndryshimi me të vërtetë të thellë në shoqëri.

Kjo akuzë vlen mesa duket për mbarë Perëndimin që nuk do të shkëputet në fakt nga psikoizolimi i vet prej nga e sheh botën vetëm si metropoli I çdo gjëje. Dhe ku çdo gjë ka më shumë vlerë se kudo. Edhe jeta e një njeriu. Dhe kur cinikët që luajnë liberalin hipin për të qeverisur, anarkia është çështje kohe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *