Institutet kryesore kërkimore ekonomike të Gjermanisë konfirmojnë me anë të një raporti të përbashkët se në vitin 2023 ekonomia e vendit do të përjetojë recesion. Ekonomistët theksojnë se ekonomia më e madhe e Europës mbetet prapa ekonomive të tjera të mëdha. Bizneset e vendit po i bien kambanave të alarmit dhe i bëjnë thirrje qeverisë që të veprojë në mënyrë më proaktive dhe të mendojë për zgjidhje afatgjata për problemet e akumuluara.

Ndërkohë 300 mijë persona mund të humbasin punën e tyre për shkak të një ngadalësimi të sektorit të ndërtimit. Përfaqësuesit e kësaj industrie po bëjnë thirrje për të shpëtuar atë që ende mund të shpëtohet. Ata theksojnë se qeveria duhet ta bëjë strehimin një prioritet kryesor. Sipas tyre, porositë janë reduktuar me një të tretën.

Por, tregut të punës në Gjermani i mungojnë shumë ekspertë në fushat më të rëndësishme shkencore dhe teknike. Sipas raportit të Institutit të Ekonomisë gjermane aktualisht ka një mungesë prej 285 mijë specialistësh në matematikë, informatikë, shkenca natyrore dhe teknologji.

Lexo po ashtu:  Misteri/ Pse u largua ministrja e arsimit, Besa Shahini

Studimi sheh nevojën më të madhe për fuqi punëtore profesionale në fushën e energjisë dhe në ate elektrike. Këtu ka një mungesë prej rreth 81.900 ekspertësh. Paga mesatare mujore bruto e një eksperti me diplomë universitare dhe që punon me kohë të plotë në këto fusha ishte rreth 5.900 euro në vitin 2021, që është mesatarja për ekspertët me arsim universitar.

Analistët listojnë tre arsye kryesore për situatën aktuale ekonomike të vendit: çmimet e larta të energjisë elektrike, burokracitë e shumta dhe të komplikuara, si dhe mungesa e forcës së punës.

Një lajm që zbut pak situatën është ai që ka të bëjë me shpenzimet e konsumatorit privat, që pritet të rriten në vitin e ardhshëm në funksion të rritjes së të ardhurave reale.

Dorina Kurtaj