Pse ka pasur aq shumë shkrimtarë spiunë? Pse kujtojnë se nuk dallohen, sidomos në stil të gjithçkaje?

Mos e humbni këtë tekst nga Wolfgang Hilbig (shkrimtari me 9 dosje në arkivat e STASI-t), në 12.9.1992, mbi romanin e tij emblematik “Unë”, një nga 100 më të vlerësuarit e shekullit 20-të në letërsinë gjermane.


Nga Wolfgang Hilbig


Romani “Unë” bën fjalë për të sjellë në formë letrare “biografinë personale” të një të ashtuquajturi IM. Termi IM u bë i njohur pas shpërbërjes së Republikës Demokratike Gjermane, si shkurtim për informatorin e fshehtë (Inoffizieller Mitarbeiter).

Meqenëse në publik, madje edhe në shumë debate mediatike në lidhje me temën “Stasi”, shumë pak gjëra substanciale janë përmendur për një personazh të tillë, kur në realitet ekzistonin qindra mijëra syresh, mendova ta përmbush këtë detyrë duke e qasur këtë figurë “në mënyrë letrare”. Kur mendova për konceptimin e një protagonisti të tillë, e pyesja veten shpesh: Deri në ç’masë mund të jetë e krahasueshme puna informuese shkrimore, që bën një spiun, me punën krijuese të një shkrimtari?

Menjëherë i thashë vetes se rezultatet janë disi të ndryshme … por kjo më çoi në pyetjen tjetër: në çfarë mase një shërbim sekret merret “vetëm” me trillimin e realitetit dhe, a nuk është kjo, në fakt, pjesë e qëllimit të shërbimit të fshehtë? I shtrova vetes edhe pyetje të tjera: Deri në çfarë mase realiteti në raportimet që një spiun i bën eprorit të tij duhet të jetë aq trillues, sa t’i afrohet fiksonit letrar?

Lexo po ashtu:  Bruno Ferero – “Kur Zoti krijoi nënën”

A nuk duhet që një raport i IM-së (spiunit të fshehtë) të përmbajë vërtetësinë më të madhe të mundshme? Si e përballon një spiun këtë kërkesë për vërtetësi, kur i duhet të harrojë interpretimet e tij subjektive në errësirën e punës së tij nëntokësore, në mënyrë që të mbetet sërish i besueshëm për eprorin?

Apo eprorët e një IM-je – (si rregull, këta eprorë janë të aftë të vlerësojnë bashkëpunëtorin me ndihmën e psikologjisë) – nuk janë dhe aq të interesuar për vërtetësinë, por janë të interesuar të reagojnë vetëm ndaj imazhit të bashkëpunëtorëve të tyre mbi realitetin?

A nuk mund të dalë një spiun i zgjuar në konkluzionin, se ai duhet të pajtohet me oficerin e tij komandues në një trillim të përbashkët të realitetit … për ta lexuar realitetin njësoj?
Kur, pas rënies së Murit të Berlinit, shumë shkrimtarë u ekspozuan si bashkëpunëtorë të “Stasi”-t, unë u befasova vetëm në momentin e parë. Menjëherë më pas pyeta veten: “Mos, ngaqë një shkrimtar është veçanërisht i përshtatshëm për të qenë reporter i mirë për një shërbim sekret?”

Mbase, thashë me vete, edhe “humbja e vetvetes” së një IM-je (spiuni), i cili bën në fshehtësi punën e tij mbi një pasqyrim të realitetit, është për t’u krahasuar me “humbjen e vetvetes” së një shkrimtari, i cili, gjatë punës së tij, gjendet më shumë se një herë përpara pyetjes: Kush po mendon brenda meje dhe çfarë?

Jam i vetëdijshëm se po e bëj pyetjen mbi “talentin” në një mënyrë shumë provokuese. Por, mbase “sqarimi” pritet vetëm nga letërsia, për ca pyetje që shkojnë edhe më përtej kësaj…

Lexo po ashtu:  Avni Dehari: Fuqia e Arsës

Përktheu: Anna Kove