Sot ishte një ditë kur ambasada e SHBA dhe ajo BE do të kishin bërë mirë të heshtnin se sa të reagonin për hir të reagimit. Shqetësimi i tyre për ca karrike të djegura në Kuvend, në raport me hedhjen në erë të të gjithë investimit për të ashtuquajturën drejtësi e re, i bën të duken këto përfaqësi si personazhi proverbial që krihet ndërsa Stambolli digjet.

Ato vazhdojnë të flasin për dialog konstruktiv në një demokraci, që nuk dihet pse e cilësojnë funksionale, për diskutime paqësore e të tjera klishe boshe, ndërkohë që Shqipëria sot është një regjim nën diktatin e një njeriu të vetëm dhe shteti i vetëm në Europë me të burgosur qartësisht politikë. 

Nëse selitë e SHBA dhe BE nuk bëzajnë kur SPAK përndjek gazetarët, kur kryeministri përdor si vegla qorre polici, prokurori, gjykatat speciale e atë Kushtetuese për t’i rrëmbyer opozitës mandatin legjitim në Himarë, kur drejtësia e “pavarur” dënon me burg pas 6 vitesh një deputet opozitar, i cili i ktheu Italisë një të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, që është dhe vëllai i kryekomisionerit të reformës në drejtësi, atëherë çfarë kanë kaq tronditëse 12 karrike që digjen sa të shqetësojnë dy superfuqitë perëndimore?

Lexo po ashtu:  Lubonja: Krimi elektoral ndodh nga nevoja për të fshehur krimet e bëra gjatë qeverisjeve

Shqetësimi në këtë rast ka të bëjë me faktin se diplomatët e akredituar në Tiranë, duan t’i shohin ato karrike si shkakun e një dhune potenciale në vijim dhe jo si pasojë e dhunimit sistematik që i bëhet opozitës mu përpara syve të tyre. Meqë taksapaguesit perëndimorë kanë paguar për reformën shqiptare të drejtësisë, meqë kjo reformë u është shitur atyre si e suksesshme dhe meqë drejtësi e re dhe narkoshtet i korruptuar nuk qëndrojnë bashkë, përfaqësitë diplomatike në Tiranë nuk janë ndjerë as kur zgjatja e duarve të pushtetit mbi SPAK, gjykatat speciale dhe deri atë Kushtetuese ka ndodhur hapur ditën për diell.

Ambasadat nuk kanë folur kur Edi Rama e trajtoi Gjykatën Kushtetuese si peshqir për shezlongët e Olta Xhaçkës. As kur SPAK e çliroi nga akuzat ish ministrin e Shëndetësisë që vazhdonte pa e prishur terezinë me zanatin rilindas të përvetësimit edhe kur bëhej fjalë për fondet e BE. Njësoj edhe kur vetë BE zbuloi batërdinë e abuzimeve me grantet për bujqësinë, askush nga perëndimorët e Tiranës nuk u shqetësua. Dhe nuk flasin as kur kryeministri i bën thirrje hapur drejtësisë të ndjekë e dënojë kundërshtarët e tij politikë. Nëse kjo quhet drejtësi e re dhe demokraci funksionale, atëherë 12 karriket qënkan një problem serioz për të ardhmen euro- atlantike të vendit. Si mund të mos reagojnë kokat e përfaqësive më të fuqishme perëndimore?

Lexo po ashtu:  Do apo nuk do Tirana, Kosovën do ta llogarisin dhe po e llogarisin

Problemi i vetëm është se kur opozita politike burgoset njësoj si në Turqi dhe sytë t’i zë vetëm tymi i protestave që vijnë si rrjedhojë, shqetësimet e reagimet nuk janë mesazh për shqiptarët por justifikim për tolerimin e një regjimi që ka degraduar deri në përndjekjen e hapur të kundërshtarëve. Arsyet që arbitri i dikurshëm ndërkombëtar ka hequr dorë nga paanësia, sidomos dekadën e fundit, janë të shumta, por në disa raste të rënda të abuzimeve të pushtetit do të ishte mirë të mos ua kujtonte qytetarëve shqiptarë dështimin e tij. Çfarë efekti mund të kenë tek këta të fundit reagime të tipit që jemi të shqetësuar për dëmtimin e derës së Bashkisë, ndërkohë që brenda dyerve ka ndodhur vjedhja e shekullit nga vetë drejtuesit e Bashkisë.

Nënkryetari i grupit parlamentar të opozitës burgoset për fjalën e lirë, në një proces të montuar krejtësisht nga pushteti, me dëshmitarë të prodhuar nga policia, vetëm se dërgoi në burg vëllain e ish ministrit të Brendshëm. Shqetësimi i sponsorëve të reformës në drejtësi duhet të ishte në shkallën më të lartë, jo vetëm nga burgosja e një kundërshtari politik, por edhe nga mesazhi që një akt i tillë u përçon banditëve në njërën anë dhe punonjësve të drejtësisë në anën tjetër. Mesazhi se kush është nën sqetullën e pushtetit është i paprekshëm dhe se dënimet politike nuk janë një tabu. Inkurajim për krimin dhe kontroll politik mbi drejtësinë. Mirëpo ambasadat e SHBA dhe BE e panë të arsyeshme të shqetësohen për 12 karriket.

Lexo po ashtu:  Pse Albin Kurti e pengon Edi Ramën

Çështja nuk është se si do të fiket flaka mbi karrike, por pse dhe kush e ndezi atë. Ambasadat sigurisht e dinë, pavarësisht se i shqetëson vetëm pasoja dhe jo shkaku. Për ta kuptuar këtë nuk ka nevojë për ndonjë studim akademik. Mjafton të lexojnë shtypin serioz të vendeve të tyre, i cili pasi bën skanerin e një shteti të kriminalizuar, shpjegon edhe mbylljen e syve nga perëndimi. Para dhe copa Shqipërie për korruptim e lobim në favor të një regjimi që sot ka edhe të burgosurit e tij politikë. Por ama ato 12 karriket janë aq të rënda sa dy fuqitë perëndimore nuk e mbajtën dot peshën dhe më në fund reaguan. /Armand Shkullaku/