Grupi “BesaBesë”, përmes një njoftimi për media ka theksuar se e kanë parë me shqetësimin vendim e Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimit për mallrat serbe në Merdarë.

Në reagimin për media ky grup thekson se vendimi i Qeverisë për heqjen e kufizimit për mallrat serbe në Merdarë ka qenë i ngutshëm dhe nuk i ka arritur objektivat sidomos, ato të cilat kanë të bëjnë me reciprocitetin.

“Serbia që 25 vite bënë barriera jo-tarifore në prodhimet kosovare deri tek kërcënimet e firmave të cilat tentojnë të importojnë prodhime kosovare në Serbi! Gjithashtu në produkte të cilat plasohen në tregun e Kosovës nuk shënohet ‘Republika e Kosovës’ po vetëm “Kosovo”. Serbia që 25 vite nuk e lejon transitin e produkteve me origjinë shtazore nga Kosova për në Evropë dhe anasjelltas. Prandaj, Qeveria e Kosovës nuk do të duhet të heq ndalesën para se të rregulloheshin këto barriera nga Serbia!”, thuhet në reagimin e tyre.

Ky grup tutje shton se “populli i Kosovës akoma i vuan plagët e marra nga regjimi serb. Në kohën kur qytetarët e Kosovës në mënyrë masive po e lëshojnë vendin, në kohën kur sektori privat gjendet në vështirësi qoftë financiare, ashtu dhe të gjetjes së punëtoreve, në kohën kur propaganda serbe s’ndalet ndaj shtetësisë së Kosovës, ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta ketë prioritet mirëqenien ekonomike dhe sociale të qytetarëve tanë”.

Lexo po ashtu:  Kongresmeni amerikan për tensionet në Veri: SHBA-ja të qëndrojë me Kosovën

Grupi “BesaBesë” tutje iu bën thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mbarë opinionit që të bojkotojnë produktet serbe.

“Askush më shumë se qytetarët e Kosovës brez pas brezi se kanë vuajtur nënshkrimin dhe torturën që u bë ndaj popullatës shqiptare, pasojat e asaj torture të regjimit të Milloshoviqit i kanë vuajtur gjenerata të tëra. Prandaj, s’ka vendim qeveritare as forcë politike më të madhe se vendimi qytetarë. Qytetarë të dashur, atdheu është i juaji, prandaj vendosni që t’i bojkotoni produktet serbe”, thuhet në komunikatën e grupit “Besa Besë”.