Prodhuesi i Marlboro-s, Philip Morris, njoftoi mbylljen e dy fabrikave në Gjermani, duke e motivuar këtë vendim me rënien e kërkesës për cigare nga europianët.

Vitet e fundit, kërkesa për cigare në Evropë ka rënë ndjeshëm,” tha kompania në një deklaratë, duke shtuar se i njëjti trend vihet re edhe për duhanin e dredhur.

“Ky trend pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme”, tha kompania.

Shumë duhanpirës po përdorin tani cigaret elektronike apo alternativat që konsiderohen si më të shëndetshme.

Philip Morris punëson 372 punëtorë në fabrikat e tij në Berlin dhe Dresden. Të dy këto fabrika do të mbyllen vitin e ardhshëm.

Njoftimi vjen pasi sektori gjerman i prodhimit po përjeton një periudhë të zgjatur dobësie, të shkaktuar nga kostot e larta të energjisë, kërkesa e dobët brenda dhe jashtë vendit dhe rritja e konkurrencës së huaj. Kjo ka rritur shqetësimet se kjo mund të ndikojë te atraktiviteti i Gjermanisë si vend industrial.

Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi prodhuesi i makinave Volksëagen njoftoi se po shqyrton mbylljen e të paktën tre fabrikave gjermane.