Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit nisi sot konferencën shkencore “Artet, letërsia dhe propaganda në diktaturë”.

Konferenca e cila vijon edhe ditën e nesërme, synon të ofrojë një platformë për ekspertët për të diskutuar çështje të kulturës në komunizëm: artet, letërsia dhe përdorimi i tyre si instrumenta propagande. Konferenca përbëhet nga disa sesione, secila me një temë të ndryshme, duke përfshirë: vendosja e arteve dhe letërsisë nën kontrollin e regjimit komunist, organizimi strukturor i organeve të kontrollit mbi artet dhe kulturën, objekti, qëllimi dhe misioni i veprimtarisë së shoqatave kulturore, marrëdhëniet e artistëve dhe shkrimtarëve me regjimin, e drejta e shprehjes dhe censura, roli i arteve në krijimin e narrativave historike në shërbim të regjimit, kontributi i arteve dhe letërsisë në formimin e njeriut të ri.

“Kulti i individit në shekullin XX” ishte tema e ligjëratës nga drejtori i zyrës së KAS për Shqipërinë, dr. Thomas Kunze, i cili hapi konferencën shkencore. Kunze referoi edhe pjesë nga libri i tij dhe Thomas Vogel “Oh ti, i dashur udhëheqës! Kulti i individit në shekujt XX dhe XXI”, i cili shqyrton mënyrën se si kultet e individit lindin, zhvillohen dhe përshtaten në kultura të ndryshme.

Lexo po ashtu:  Përkthime të shkurtra të lirikës së këngës shqiptare (Shkodër)

Libri po ashtu analizon mënyrat se si udhëheqës të ndryshëm, që nga diktatorë si Hitleri, Stalini dhe Maoja, deri te figura moderne si Kim Jong-un, Fidel Castro apo Hugo Chavez, përdorën kultin e individit për të manipuluar opinionin publik dhe për të ruajtur pushtetin politik./atsh/