Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako
Në vazhdim të pjesës së parë, kjo është pjesa e dytë e intervistës me pedagogen në Universitetin e Illinoisit dhe gjuhëtaren, Eda Derhemi, e cila shtjellon më tej tiparet socio-linguistike të arbërishtes dhe arvanitishtes, me një referencë në fund mbi komunitetin vllah apo arumun të Shqipërisë, siç është termi zyrtar. Intervista do të vijojë edhe me një pjesë të tretë, e cila lidhet me problematika të tjera të realitetit shqiptar dhe, që do t’i prezantohet lexuesit në një kolonë më vete, ditët në vazhdim.
Sipas jush përse gjuhësia shqiptare i ka kushtuar arvanitishtes një hapësirë shumë më të kufizuar në krahasim me arbërishten?
Ka qenë një ndodhi fatkeqe ajo e marrëdhënieve thuajse gjithnjë të tensionuara mes nesh e grekëve në kohët moderne. Them fatkeqe, sepse mendoj që jemi shumë të afërt si popuj në mentalitet dhe ëndrra, më të afërt se me popullsitë sllave. Thashë “mes nesh” me një sinekdotë pa shumë vend. Në fakt, s’u vë dot faj kush “njerëzve”. Në këto raste janë institucionet ato që trazojnë ujërat dhe ndërsejnë njerëzit – ato fabrikojnë ideologjitë nacionaliste. Të dy shtetet kanë dështuar keq historikisht, dhe vetëm së fundmi lidhja ka nisur të ndihet pak si më e paqshme. Dhe pa pasur anësi patriotike, jam e bindur që Shqipëria thjesht ka pranuar marrëdhënien e keqe pa e shkaktuar atë, dhe pa pasur aftësinë ta drejtojë ndryshe e përmirësojë. Jo se është më e mirë në vetvete, por se nuk ka pasur kurrë fuqi që të jetë iniciatore, ta bëjë ajo axhendën apo të vendosë ku duhet të rrijë steka e armiqësisë. Atë e ka bërë Kisha dhe shteti grek në rajon.
Nuk kam asnjë dyshim, që bazë e kësaj, ka qenë bindja e hershme greke se ky territor verior (a pjesë e tij) bashkë me njerëzit e vet, nuk kanë kuptim dhe është e panatyrshme të mos jenë Greqi. Konfliktet me shqiptarët gjatë Luftës Italo-Greke, reagimet çame dhe ndaj çamëve etj., janë sebepe të Greqisë, të gjitha historikisht të manipuluara, vetëm pjesërisht të përshkruara e shoqërisht të ndërtuara si vijim ndërsimesh të hershme e pritshmërish negative. Por, mënyra sa egër dhe mangët u përcaktua si do bëhej dhe si do vijonte Greqia e Re e pas 1830-s, bashkë me pasojat e politikave të këqija historike në mentalitetin dhe praktikat e sotme, i kanë analizuar para meje, pjesëtarë të elitës greke – hapur dhe me vështrim të mirë kritik.
Me këtë premisë në mendje kthehemi tani te Shqipëria. Megjithë disa lëvizje të çartura tonat në periudhën 1946-1949, shteti ynë ka pasur gjithnjë një pozitë inferiore e prej të frikësuari ndaj Greqisë. Pastaj, si të pamësuar në zanat, ne përqafuam një mentalitet kombëtar infantilist: “Ju nuk na doni? – Ne nuk ju duam edhe më shumë!” Të gjitha marrëdhëniet mes nesh, edhe ato kulturore e akademike, pa folur hiç për ato politike dhe ekonomike, kanë pasur një hije të keqe njollash, që bënin pis çdo mundësi për një fillim të ri.
Afrimi akademik e kulturor me arbëreshët e Italisë në vitet 1980, dhe vajtje-ardhjet e organizuara të grupeve, nuk patën simetriken e vet në Greqi. Edhe në një marrëdhënie normale me Italinë, komunizmi ynë me parimet e veta të ashpra, ishte një pengesë e madhe, por, ndër italianë – arbëreshë ose jo – nuk kishte paranoja se studiuesit nga Shqipëria do të shkatërronin Italinë. Do thoja se edhe në atë rast, pra atë të arbëreshëve, merita është më shumë e tyrja sesa e Shqipërisë, si vend i organizuar e largpamës.
Në Greqi ka mbizotëruar mosdashja dhe paranoja ndaj çdo afrimi me Shqipërinë. Është një paranojë, që natyrshëm u përcillet njerëzve të thjeshtë, që nuk bëjnë as politikën, as propagandën e një vendi, por e gëlltisin atë kulturalisht. Unë vetë kam shkruar për disa reagime ekstreme ndaj meje kur kam qenë duke bërë punë gjuhësore në terren, nga ana e ndonjë fanatiku kombëtarist grek. Shteti ynë atë paranojë nuk e ka adresuar kurrë; nuk ka guxuar kurrë të prishë ca ekuilibra të dridhura me Greqinë, që tundte Ligjin e Luftës kur ia deshte qejfi. Por, jam e sigurtë, që edhe mençuri si shtet apo si elitë kombëtare për të planifikuar e për të qenë vizionarë dhe sistematikë në kërkim, nuk kemi pasur që të kuptonim se paqes me fqinjin, aq sa dhe shkencës, u shërbejnë vendosja e komunikimeve të shpeshta e të hapura, dhe jo e kundërta.
Nuk ka gjë më pa kuptim se të inaugurohet, p. sh., një Qendër për Studimin e Arbërishtes, por të lihet jashtë Arvanitishtja. Nuk di si mund të përligjet kjo shkencërisht! Ndoshta, sepse hapja kish pasur synime politike dhe jo shkencore. Të quhet një herë që u bë, pastaj shohim a është apo jo si duhet!
Për fat të keq, institucionet tona, shumë nisma i marrin, që të duken si shkencore apo kulturore, por pa shumë merak, nëse janë apo jo vërtet ashtu. Vëmendja ndaj të folmeve arvanite mund të mbahej krejt e ndarë nga vëmendja ndaj katundeve vetë, si njësi administrative e politike, madje edhe e ndarë nga besimi i arvanitëve, se ata me Shqipërinë nuk kanë të bëjnë.
Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët në Shqipëri, u përball me rezistencën e dy katedrave kryesore universitare për Italinë e arbëreshëve, Palermos dhe Kozencës në lidhje me statusin e arbërishtes. A jeni në dijeni se cila ishte natyra e konfliktit?
Po, vërtet! Po përdor më tej akronimin QSPA për lehtësi. Në një farë mënyre, QSPA u krijua në vartësi direkte prej administratës shtetërore shqiptare (me ca rrotullime brendapërbrenda që pësoi, nga një institucion te tjetri), pa një plan të qartë prej krijuesve. Pastaj iu dha emri, dhe u lëshua në oqean, pa ditur not, të notonte ose të mbytej. Duke qenë se për kombinime rastësore rrethanash, kam qenë afër këtij institucioni dhe e kam ndjekur që në fillim, e them me siguri, se po të mos kish qenë për drejtuesen e tij, Diana Kastratin, që ka luftuar pa ndërprerë, që ta mbajë atë gjallë dhe me fondet e nevojshme, QSPA u braktis nga shteti dhe do kish vdekur vite më parë. Në fakt QSPA ka ecur mirë në disa drejtime: e ka mbajtur dhe ia ka avancuar njohuritë stafit që pati, ka vazhduar botimet dhe aktivitetet lidhur me arbërishten sipas programit të vet, dhe ka krijuar lidhje me shumë prej grupeve aktiviste arbëreshe në terren, duke u përpjekur të rrijë mbi ujë në një mot krejt të pafavorshëm. QSPA ka bërë si busull të vetën gjendjen e rrezikuar të arbërishtes, që i jep një strukturë e model teorik shumë të nevojshëm punëve që kryhen aty, busull që nuk e kishte kur nisi punën.
Arsyet që më kërkon, i njoh nëpërmjet të tretësh, sepse nuk kam lidhje të drejtpërdrejtë zyrtare as me shtetin, as me QSPA-në, as me dy qendrat universitare italiane, as me Akademinë tonë, por pengesa e parë që i doli këtij institucioni ishte mospranimi i QSPA-së prej dy qendrave kryesore universitare që merren me shqipen dhe arbërishten në Itali, Palermoja dhe Kosenza. Figura akademike prestigjoze të këtyre institucioneve, që mbulojnë me frymën e vet, jo vetëm katedra e qendra më të parëndësishme se ato vetë në Itali (si dhe gjithë shkollarët e bindur e pragmatistë të këtyre qendrave), por edhe institucione në Tiranë, sidomos Akademinë, kundërshtuan në forma të ndryshme ekzistencën e një qendre në Shqipëri, që s’ishte Akademia vetë. Pikërisht këta ia prenë këmbët QSPA-së që ditët e para. Atyre iu bashkua edhe Akademia jonë e Shkencave, që nuk ia hapi derën QSPA-së disa herë, kur kërkonte bashkëpunim dhe njohje reale. Ndaj them, që është një mrekulli si ka mbijetuar kjo Qendër në një lloj furtune akademike.
Një ndër të parat prita formale që iu bënë QSPA-së, të cilën e kam hasur konkretisht e në vetë të parë, lidhej me gjendjen e arbërishtes. Në mënyrë të pasaktë e të pathemeltë u mbrojt me idealizëm donkishotesk fakti që “arbërishtja s’është aspak e rrezikuar” si gjuhë. Kjo shkon kundër realitetit “që bën muuu”, qarjeve disa dekadëshe të komunitetit për gjuhën që po vdes, dhe vëzhgimit më të thjeshtë shkencor. Duke qenë, se ky qëndrim është krejt fals dhe vjen prej njerëzish që unë i konsideroj të ditur dhe jo delirantë, është normale të pyesësh veten, përse mbahen pas një strumbullari që nuk është real? Nuk mund të jetë pa arsye. Por, nuk jam unë ajo së cilës i janë treguar provat e kësaj loje politike për pushtet akademik; unë thjesht kam rastisur t’i lexoj, pas reagimeve direkte të disa institucioneve. Ndaj nuk më takon mua t’i bëj të ditura. Veç kësaj, për lidhjen kërkimore dhe personale, që unë kam me komunitetet e arbëreshëve dhe arvanitëve, unë jam e prirur të gëzohem sa herë këto gjuhë ndihmohen në komunikim apo dokumentim prej sa më shumë institucioneve. Unë nuk do doja “t’i vija vizë asnjërit”, sidomos atyre që u janë më afër në hapësirë dhe mision këtyre të folmeve.
Përmendni, që arvanitishtja pavarësisht tkurrjes së madhe që ka pësuar, është ruajtur në gjendje më të mirë se arbërishtja dhe ka nivel ndërkuptueshmërie më të lartë me shqipen. Si e shpjegoni këtë dukuri?
Përgjigja për këtë është e thjeshtë. Arvanitishtja dhe arbërishtja, që të dyja, shprehin më së miri një nga vetitë e vëna re nga shkencëtarët, atë të ndryshimit gjuhësor (language change), se gjuhët vdesin me çizmet ngjeshur (‘with their boots on’ – angl.), pra funksionojnë dhe u shërbejnë njerëzve deri ditën e fundit të jetës së vet si “gjuha që ishin”, edhe pse rrugës humbasin “pjesë” të vetat. Ka shumë ndryshime mes këtyre dy grupeve, edhe pse ka edhe plot ngjashmëri. Për shembull, arbërishtja përdoret sot e kësaj dite dhe ka folës nga të gjithë brezat, edhe ata të rinj, sido që gjithnjë e më pak, e me cilësi e shprehje më të tkurrura, siç e kam shpjeguar në pjesën e parë. Pra, procesi gradual i fikjes së arbërishtes është normal dhe tipik për gjuhët e rrezikuara që kanë jetuar për qindra vjet në një vend rrethuar nga një gjuhë e huaj, vend që gradualisht u bë vendi i vet.
Krejt ndryshe, arvanitishtja ka pushuar së përdoruri krejt, kur folësit e saj janë gjallë dhe me gjuhë-bilbil, dhe ku, së paku dy brezat e fundit, do mundeshin të komunikonin mes tyre. Ndarjen e folësve të arvanitishtes prej gjuhës së mëmës, unë e kam parë gjithnjë si traumatike dhe të pashpjegueshme me ligjësitë normale të degradimit të ngadalshëm në përdorim e shprehi (jo se kjo tipikja është krejt pa trauma). Nuk është vetëm fakti, që transmetimi në brezat e rinj është prerë me thikë (normalisht kryhet vende-vende pa qenë kaq i pastër), por edhe që burrë e grua, pleq flokëbardhë, me njëri-tjetrin nuk e përdorin, pleq 80-90 vjeçarë me bijtë e vet 60 e 70 vjeçarë, nuk e përdorin më.
Por kur flasin me mua ose kur i dëgjon të komunikojnë me ndonjë emigrant shqiptar, për humor apo nevojë (kur shqiptari nuk flet ende greqisht), e kanë gjuhën qelibar. Këtu kam parasysh pleqtë, jo brezin e fundit që e flet. Pleqtë arvanitë flasin një gjuhë shumë më të afërt me shqipen e sotme (toskërishten), dhe tamam siç thua ti, ku të kuptuarit nga të dy krahët – shqipfolës i sotëm dhe arvanit me gjuhë, është shumë më i lartë, se ai i rastit kur komunikon me një folës të vjetër të arbërishtes. Jam menduar shpesh për arsyet. Një nga arsyet bazë të kësaj gjendjeje, besoj se është jeta më e izoluar që ka bërë arvanitishtja në raportin e saj me greqishten; një arsye tjetër mund të jetë, kontakti më i afërt me shqipen, duke mos pasur det në mes. Por, kjo e dyta është ende në nivel spekulimi për mua, por me gjasë të madhe. Ata, që janë marrë me gjetjen e kohës së ngulimeve arvanite (Johalas, Tsitsipis, Hamp etj.), i bëjnë këto në të gjitha rastet më të vjetra se ato arbëreshe, pjesë e të cilave erdhën në gadishullin italik, pikërisht prej zonave të hershme arvanite.
Duke marrë parasysh mungesën e politikave institucionale nga shteti grek dhe iniciativave private për mbrojtjen e saj, a mendoni se mund të shpëtohet arvanitishtja?
Nuk mendoj se mund të shpëtohet. E them me zemër të hidhëruar, sepse është gjuhë me gjallëri vërtet pikante, konservuar prej kohësh të harruara, që kanë sot fotografinë e vet vetëm në gjuhë, dhe zonash me eko kulturore shumëplanëshe; po ashtu do të ndihmonte shkencërisht studimet e shqipeve. Por, ajo që mund të bëhet, është që të dokumentohet; si memorja historike ngërthyer me gjuhën, ashtu edhe aspektet strukturore e leksikore. Por, më tmerron ideja se edhe po u bë, mund të bëhet keq. Kam parë studime me pyetësorë josistematikë – hartuar shkel e shko, por që më pas reklamohen për lustrën e teknologjisë moderne apo interpretimit teorik të ditës së fundit, dhe kalojnë si shkencore, pa një kontroll real cilësie të bazës, pra mënyrës si është mbledhur materiali. Kjo do të ishte një vdekje për së dyti e arvanitishtes. Do e bëja po të kisha kohë, mjafton një shumë modeste për të mbuluar shpenzimet dhe një tufë me studentë pasuniversitarë shqiptarë, me kusht që t’i zgjidhja vetë një për një dhe t’u bëja një workshop një-mujor para nisjes së punës. Por, kjo do organizim shtetëror e akademik. Nuk bëhet me dëshira e ëndrra.
Sepse arvanitishtja ka një jetë-mbetje jo shumë të ndryshme nga ajo e imja, që jam 60 vjeç. Arvanitishtja shqeto, ajo që kam në mendje unë, as dhjetë vjet! Arbërishtja, pa dyshim do jetojë më gjatë.
Nancy Dorian thotë, se brezi i tretë, mbasi minorancat e nënshtruara e të turpëruara marrin veten, nis dhe kërkon gjuhën, zakonet, historinë e pakicës. Unë nuk besoj në ringjallje komunitare në atë pikë, por së paku ta kenë gjuhën e dokumentuar, për hir të paqes shpirtërore dhe kënaqësisë së individit dhe grupit. Po s’u dokumentua, ka vdekur përgjithnjë duke e varfëruar botën, njerëzit, shkencën. Arvanitët janë forcuar, kanë fituar dinjitetin e munguar si popullsi e po mbrohen më mirë se dikur prej stigmës. Por, kjo ka ardhur me çmimin e lartë të fshehjes së veçantive të veta dhe njësimit me jo-arvanitët nëpër komunitete më pak të izoluara. Dhe nuk shoh në horizont asnjë prirje për mobilizim komunitar, që është kusht i parë për kthimin e rrotës gjuhësore drejt rivitalizimit. Individë ka pasur e do të ketë gjithnjë.
Trudgill, që para 1970-s, kohë hiç të mira për kurajon e krenarinë arvanite, jep rastin e një arvaniti që mbante tatu pro-arvanite në trup dhe i kujtonte vetes keqtrajtimet bërë arvanitëve prej grekëve jo-arvanitë.
Si aplikohet binomi gjuhë amtare – identitet kombëtar në rastin e arbërishtes dhe arvanitishtes? Retorika zyrtare dhe popullore në Shqipëri njehson format e të folurit shqip me të qenit shqiptar, pa marrë aspak parasysh zhvillimin e teorive moderne gjuhësore dhe identitare. Cili është mendimi juaj?
Kur është fjala për interpretime që lidhen me të qenët komb, popujt e vegjël, sidomos ata që për arsye historike dhe ekonomike nuk gjejnë dot krenari tek e sotmja, por vetëm tek e shkuara-ndonjëherë edhe shumë e largët, fashistizohen, bëhen të rrezikshëm e agresivë. Vetëm një edukim i mirë, që në ciklet e ulëta shkollore, që vë shkencën para trushpëlarjes nacionaliste, do e kriste këtë kalcifikim ideologjik të shqiptarëve, por jo vetëm tonin. Ky është, jo vetëm ushqimi shkollor (bazuar në dashurinë për një shqiptari të stisur e të stolisur), por edhe ushqimi shpirtëror që njerëzit marrin nga propaganda publike, që nuk e ka kapërcyer ende fazën e Rilindjes sonë kombëtare të më shumë se një shekulli para. Greku mesatar, ende sot, gjithë vrullin optimist e bazon mbi Platonin e Arisotelin, ndërsa shqiptari mbi lashtësinë e shqipes, që ka pjellë greqishten dhe madje edhe hetitishten, etruskishten etj. Greqia është “evropianizuar” dhe hapur më shumë se ne. Kur lexoj lëtyrën e kundërvënieve, që masa e injorancës shqiptare (me eufemizmën e Vehbiut “përrallëtarët e shqipes”) i bën shpjegimeve racionale, që A. Vehbiu paraqet me dashamirësi e detyrim civil në revistën Peizazhe të Fjalës, vë duart në kokë. Por, kjo s’ndihmon fort – as mua, as ata të mjerët besimtarë të devotshëm të fesë kombëtariste. Kalcifikimi i ideve të tyre nuk bëhet dot me varè individuale.
Në këtë kuadër duhet parë edhe si shihen arvanitët prej shumë prej shqiptarëve. Ka plot, që as nuk pranojnë se arvanitët janë shkëputur herët prej trojeve (sot) shqiptare drejt asaj që sot është Greqi, dhe ngulmojnë që dikur e gjithë zona ka qenë “Shqipëri”. Ka shumë ngatërresa historike e social-kulturore që bën mileti këtu, dhe duhet një libër t’i shpjegosh të tëra. Por, baza e tyre gjendet në sa sapo shpjegova. Një aspekt, sido qoftë, dua ta trajtoj: atë të kuptimit të diasporës.
Arbëreshët janë edhe sot e kësaj dite diasporë shqiptare (apo më saktë nga pikëpamja historike, shqipfolëse e më pas e lidhur me Shqipërinë). Arsyeja është, jo thjesht sepse origjina e grupeve që jetojnë në Itali prej 550 vjetësh (e disa të tjerë, më pak) është nga zona masivisht shqipfolëse, jo thjesht sepse flasin ende shqip (me karakteristikat që diskutova në pjesën e parë të intervistës), por sidomos sepse vazhdojnë të mbajnë lidhje të fortë imagjinare (tani edhe fizike) me “origjinën”, identifikohen në një pjesë të identitetit të tyre me atë të Shqipërisë, i përgjërohen me devocion dhe mall, i janë besnikë origjinës, kanë zhvilluar një rrjet kompleks lidhjesh, kulture, mitesh që ta jetësojnë këtë besnikëri shumë-formëshe. Edhe pse shumica e katundeve nuk e dinë tamam se nga vijnë, Morea apo Shqipëria e asaj kohe mbeten koncepte thellësisht imagjinative. Kjo, sepse janë udhëhequr nga një elitë kishtare dhe intelektuale, që nuk e hoqi kurrë syrin nga origjina, dhe në një pikë të caktuar, kur po zhvilloheshin nacionalizmat evropianë, ndërtoi mëvetësinë e saj kulturore në Itali mbi këtë bazë, madje edhe duke i prirë vetëdijës shqiptare në Ballkan, në momente kombëtare të vështira.
Gjithashtu, arbëreshët, sido që kanë ekzistuar si dhjetëra e dhjetëra njësi në Itali (mendohet të kenë qenë rreth 200 katunde dikur, kur sot as 50 tamam nuk bëhen), e kanë parë veten si pjesë e së njëjtës njësi arbëreshe. Duhet të theksoj se në këtë pikë të gjithë arvanitët, sado të shpërndarë gjeografikisht, ndihen po ashtu pjesë e të njëjtit grupim, atij arvanit brenda Greqisë (pa futur këtu shqipfolësit muslimanë). Ama, kjo lloj njësie identitare është vetëm njëri prej kushteve për të qenë diasporë.
Shqiptarët duhet ta fusin në kokë, që arvanitët nuk përbëjnë diasporë shqiptare, sepse nuk kanë lidhje subjektive të asnjëlloj tipi me vendin e origjinës së vet, që sot e prej shumë kohësh konsiderohet të jetë Shqipëria. Madje ata pro-aktivisht distancohen prej saj
Edhe nëse kanë pasur, këto janë shkëputur, dhe në fakt nuk janë zhvilluar (për më shumë se një arsye) kurrë në nivel identitar. Shqipen e flasin, madje shqipe për t’u pirë në kupë, por nuk janë pjesë as reale, as e imagjinuar e ndonjë diaspore shqiptare. Lidhja me origjinën, si lidhje reale apo e imagjinuar, identifikimi me të, malli për të etj., janë kusht themelor i të qenit diasporë.
Ne, arvanitët, duhet të mos i shohim më si pasuri tonën që na e kanë vjedhur grekët, sepse ide të tilla janë thjesht qesharake në botën e sotme
Mënyra sesi historia e grupeve që shkëputen nga trungu, sidomos shumë herët, endet e hallakatet, është e larme. Sot, studimet akademike për diasporat nuk përqëndrohen tek studimi i tyre si pjesë njësish kombëtare (edhe kur ato vetë ngulmojnë në këtë tipar), as te karakteri kombëtar apo i trashëguar i tyre, por tek diversiteti që ofrojnë, tek efektet e mobilitetit dhe amalgamimet kulturore e politike interesante, që prodhohen nga takime të ndryshme.
Deri diku të njëjtin fat me arvanitishten ka pasur edhe vllahishtja, qoftë në Greqi, qoftë në Shqipëri. Pavarësisht se në Shqipëri, pas rënies së komunizmit vllehët njihen zyrtarisht si minoriteti arumun i Shqipërisë, shumica e brezave të rinj nuk e njohin vllahishten dhe kanë vetëdije solide shqiptare. Jo pak herë edhe në Shqipëri, vllehët përbuzen si “çobanë”, “llaci-faci” dhe etiketime të tjera, që u bëhen pakicave jo-shqipfolëse. A nuk është tregues rasti i vllehëve se politikat e integrimit dhe asimilimit nuk diktohen vetëm nga faktorë politikë, por janë rezultat i mekanizmave socialë më komplekse?
Kjo është pyetja që më ka pëlqyer më shumë në këtë intervistë, edhe pse përgjigja është më e thjeshtë. Më pëlqen si pyetje, sepse nëpërmjet saj shpjegohet pa nevojën e shumë teorive, vetëm me një krahasim të thjeshtë, veçantia e arvanitëve si pakicë, që unë jam përpjekur ta shpjegoj sa herë shkruaj për arvanitët, e sidomos në një shkrim tri-pjesësh së fundmi te Peizazhe të Fjalës. Por, shpjegimi teorik i tyre do këllqe, kohë dhe katër mendje, sepse, sikur vetëm një aspekt të mos zësh me gojë, do dalë një lexues që do e sjellë në diskutim si çelësin e çështjes. Dhe, më beso, edhe praktikisht është një problem i komplikuar dhe do shpjegim kompleks. Zgjedhja e zgjuar e grupit arumun prej tej, më vjen në ndihmë. Por, që ta shpjegosh atë duhet të kesh një audiencë apo lexues, që njeh si arvanitët, si “llaci-facët” dhe vllehët e grupimeve të ndryshme. Kjo dije është luks i vërtetë nëpër botë.
Së pari, dua të them që “llaci-fac”, arumun, vllah apo “çoban” në këto rreshta i përdor pa ngjyrim negativ e veç, për të dhënë gjithë repertorin e emërtimeve të grupit, dhe nëse ky përdorim fyen dikë, pa dyshim që mund ta heq. Shpresoj të mos jetë fyes, por emërtime të ndryshme ndryshojnë në konotacionet që kanë në shqip dhe ndryshojnë edhe sipas krahinave ku përdoren dhe ndjesive të grupeve.
Tirana është një qytet, që ka qenë i mbushur me llaci-facë, siç i quanin tironasit në imitim të fjalëve arumune, që dëgjonin më shpesh (siç quheshin edhe arbëreshët “gjegje” prej palermitanëve, si edhe gjetkë). Është historike marrëdhënia miqësore dhe përkushtimi i këtyre dy popullsive ndaj njëra-tjetrës në Tiranë. Im atë thotë që, për të respektuar vendasit, llacifacët që jetonin në zona tironase, qëllonte që agjëronin dhe festonin me ta si Notën e Kadrit, si Ramazonin, sido që ishin besnikë të fesë së vet ortodokse. Im atë gjithashtu më thotë se familjet e llaci-facëve nuk i linin fëmijët të hanin bukë përjashta duke luajtur – si zakonisht – gjatë periudhës së Ramazanit, kur kalamojtë tironas të lagjes në ditë të caktuara përpiqeshin të agjëronin, në respekt të këtyre të fundit. Po prej tim eti di, se marrëdhëniet e dy grupeve ishin tejet të ngushta e me miqësi të madhe. Traditën e shkollimit në gjuhën e vet, por edhe prirjen drejt shkollimit në përgjithësi, e kanë pasur shumë të fortë. Tiranasit e justifikonin si tendencë që vinte, sepse nuk kishin prona si tironasit, por mbaheshin me zanate dhe shkolla u ishte e nevojshme. Por, ua respektonin shumë dijen dhe shkollimin llaci-facëve, që ishin të shkolluar.
Në fakt e dimë, që shumë ndër më të mençurit e të spikaturit në inteligjencën tonë kanë qenë vllehë. Janë përpjekur me ngulm dhe shpesh kanë mundur të përdorin gjuhën e vet edhe nëpër Kishat e veta kudo në Shqipërinë Qendrore dhe të Jugut. Vllehët e zonave të Jugut, sidomos rreth Korçës, kanë qenë po ashtu popullsi që gëzonin respekt të veçantë, brenda qyteteve, por edhe nëpër fshatrat e qytezat që banoheshin prej tyre. Gjyshja ime jetonte në Vodicë të Kolonjës. Vllehëve në fshat u thoshin “çobenj”, sepse me atë profesion merreshin. Ata flisnin gjithnjë arumanisht në shtëpi. I kujtoj mire kur isha e vogël. Besoj kishte një farë konotacioni negativ për grupin, që ime gjyshe s’e përmendte, por e kisha ndjerë në fshat. “Është çobankë e pastër. Dritë e mban ashefin!” Por asgjë e fortë, jetonin bashkë në po ato rrugica, sokakë e livadhe, e llafoseshin për ditë.
Në një konferencë që organizova në Tiranë para pak vjetësh për Diasporën, Ina Arapi jepte fakte të ngjashme për fshatrat në zonën e Vlorës. Në po atë konferencë Daniela-Carmen Stoica dëshmon shumë histori shqiptare të hershme të shkollimit zyrtarisht të lejuar në gjuhën rumune, që në periudhën Otomane, pas Pavarësisë, gjatë periudhës Zogiste, asaj të Luftës dhe gjatë periudhës së parë të komunizmit në disa zona, dhe sigurisht pas 1990-s. Pra, njohja zyrtare e gjuhës së pakicës arumune dhe më pas minoriteti arumun në vitin 2017, nuk janë risi, kanë një traditë të gjatë ekzistence. Ndërhyrja e shtetit rumun dhe Ambasadës rumune kanë qenë po ashtu të hershme, të pranuara dhe të akomoduara institucionalisht në Shqipëri.(1)
Nuk ka dyshim që folësit e një gjuhe të ndryshme janë parë gjithnjë me dyshim nga vendasit. Proverbi italian i përhapur në plot zona me arbëreshë “po të doli para një ujk dhe një arbëresh, vrit përpara arbëreshin, pastaj ujkun”, ka variantet e veta në të gjitha vendet e botës me pakica gjuhësore dhe etnike. Fjala ‘llahingë’ sado shumë-kuptimëshe, nuk ka gjëkundi një kuptim, të themi, pozitiv nëpër Shqipëri, por as qartësisht negativ e të lidhur me vllehët. Shumica e njerëzve as që e dinë, që do të thotë grua vllahe. Por kollajllëku me të cilin arvaniti është thirrur sitematikisht në Greqi “mut-arvanit”, madje edhe direkt, nuk është e krahasueshme. Ruajtja e gjuhës amtare të shkruar, hapja e shkollave, konsiderimi institucional, janë të paimagjinueshme në rastin e arvanitëve.
Pra, është e vërtetë, po, që vllehët e Shqipërisë po humbasin (masivisht e kanë humbur) gjuhën dhe kanë ndjesi të qarta përkatësie në komunitetin shqiptar, ashtu si arbëreshët po humbasin gjuhën dhe ndihen italianë, apo arvanitët po humbasin gjuhën dhe ndihen grekë. Ndryshimi këtu është që, ndër këto tri grupe, vetëm arvanitët janë dëshmuar historikisht prej shkencëtarëve si grup me stigmë ndaj vetes të theksuar dhe sistematike, dhe me turpin e gjuhës dhe kulturës së tyre që u rëndonte mbi faqe, derisa e tretën krejt veçantinë e vet; ashtu sic është dëshmuar rregullisht vilifikimi dhe degradimi i tyre pa dinjitetin e duhur gjuhësor e kulturor prej institucioneve greke. Pikat janë shumë të qarta dhe lidhen për bukuri, dhe madje ruhen ende në kujtesën e arvanitëve që po ikin tani.
Pra, asimilimi është shumë më i zakonshëm se vetëpërçmimi, dhe paraqitet i shpërpejtuar kudo në botë sot. Gjithashtu, pa diskutim që asimilimi nuk është kurrsesi i shkaktuar vetëm nga politikat institucionale, por nga një makinë social-ekonomike e kulturore shumë komplekse. Vetëm se, kultura dominante merr një shtysë të paparë anti-pakicë, kur institucioni bën punën e vet delikate të diskriminimit. Sidomos kur ky përçmim ndërton traditë dhe nis e shihet si gjë normale e madje as nuk vihet më re. Pasojat më pas interiorizohen nga vetë grupi minoritar në formën e vetëstigmatizimit.
Edhe një tjetër fakt të dëshmuar shkencërisht dua të vë re në fund: ndër tri komunitetet krahasuar më lart, vetëm arvanitët në Greqi (dëshmuar nga Magliveras) dhe arumunët po në Greqi (dhe jo ata të Shqipërisë apo vendeve të tjera të Ballkanit) (dëshmuar prej Khal) kanë protestuar që të njihen si minoritet gjuhësor në Greqi, madje me irritim të dukshëm. Një reagim ky krejt i pashoq, sepse do u krijonte kushte shumë më të mira dhe zhvillim si individë, familje apo grupe. Pakicat luftojnë kudo që të njihen, edhe kur ndihen thellësisht pjesë e vendit ku janë ngulitur (si arbëreshët), apo edhe kur nuk duan të kenë fort të bëjnë me atdheun “origjinal” (si arumunët e tjerë). Por, frika e të qenit parë ndryshe brenda Greqisë, nuk u është shuar ende minorancave aty, edhe pse tani janë tretur me shumicën. Ndaj reagojnë habitshëm.
1- Shënim i gazetares: Pas statusit, minoritet etnik, rumunët tregohen të kujdesshëm. Bëjnë dallimin midis termit rumun dhe arumun, për t’i mëshuar më shumë lidhjes së afërt gjuhësore, se sa etnike dhe gjeografike. Duket qartë kur presidenti rumun Băsescu, kërkoi të njihet si minoritet arumun dhe jo si minoritet rumun. Pavarësisht kontestimeve, arumanishtja konsiderohet më afër rumanishtes nga familja e gjuhëve latine.