Qasja që ka Lista Sërbe ndaj Kosovës është vetëm një shembull i saktë i qasjes historike që ka Serbia ndaj Kosovës.
Lista Sërbe është subjekt partiak në Kosovë, që nuk e njeh Kosovën.
Fakti që nuk e njohin Kosovën, nuk i pengon deputetët e Listës Sërbe t’i tërheqin rrogat nga Kuvendi që nuk e njohin. Ata i pranojnë edhe fondet shtetërore që u takojnë sipas ligjit, sipas atij ligji të Kosovës që nuk e njohin.
Jo vetëm që marrin fonde e rroga nga ai shtet që nuk e njohin, por ata as nuk punojnë për ato rroga. Paraqiten në Kuvend vetëm një herë në gjashtë muaj, sa për të nënshkruar që të mos përjashtohen.
E si të mos mjaftonin këto, po të njëjtët aktivisht kanë mbështetur persona të angazhuar në akte terroriste fort të rrezikshme kundër Kosovës. Radojçiqët e Veselinoviqët i përkasin po këtij subjekti.
Shqip ata që punojnë kundër atij që i paguan, kundër atij pra që mban me bukë, quhen bukëpërmbysë, apo bukëshkalë.
Historikisht Serbia (Jugosllavia) Kosovën e ka trajtuar kësisoj. Kosova atyre u duhej për dy gjëra: për të shkelur shqiptarët që të ngopeshin me krenari shovinistët e çetnikët në Beograd; për të zhvatur prej saj minerale, pasuri të papërpunuar dhe krah pune të lirë.
Vazhdimisht dërgonin valë kolonistësh sërbë në Kosovë, por ata rrinin ca vjet e pastaj iknin në Beograd, ose u iknin fëmijët. Shovinistët sërbë ngrinin zërin se po largohen serbët nga Kosova për faj të shqiptarëve. Por faj nuk kishin shqiptarët e pafuqishëm. Fajin e kishte varfërimi i Kosovës, rezultat i pashmangshëm i politikës “shkel e zhvat” të udhëhequr nga Serbia.
Sot e kësaj dite Lista Sërbe është trashëgimtare dhe shembull i asaj politike “shkel e zhvat”.