Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur pakënaqësinë me sjelljen e disa vendeve europiane. Duke folur para mediave ajo ka vënë në dukje se masat kufizuese ndaj vendit të saj mbeten në fuqi dhe se në këtë qasje nuk ka asgjë europiane dhe as drejtësi. Ndonëse siç tha ajo, Kosova e ka linjëzuar 100% politikën e saj të jashtme me BE-në.
Nëse jem e sinqert, jam e zhgënjyer me trajtimin që Kosovës po i bëhet nga disa shtete anëtare të BE-së. Nëse pyetem pse, atëherë qartë arsyeja kryesore është se nuk ka përparim në heqjen e masave ndaj Kosovës. Janë ende në fuqi e siç kemi parë në konkluzat e Këshillit, nuk do të hiqen as në dhjetor. Janë të padrejta e joevropiane.
S’ka asgjë evropiane e nuk ka asgjë të bazuar në vlerë, të ndëshkohen njerëzit edhe në projekte si uji i pijshëm. Jam këtu për të falënderuar dy të tretat e shteteve anëtare që përkrahën heqjen e masave e ato tjerat t’i pyesë se çfarë është evropiane të ndëshkosh 1.7 milionë evropianë që jetojnë në Kosovë, në shtetin më pro evropian në botë me 97 për qind që besojnë në rrugën tonë evropiane
ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani ka bërë thirrje që paketa e zgjerimit të BE-së të përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, e procesi të jetë i bazuar në merita, duke vënë në dukje megjithatë se qasja ndaj Serbisë përcjell mesazhe kundërthënëse.
Mesazhi që marrim, veçanërisht njerëzit në Kosovë, është se sa më tepër që rreshtohesh me Rusinë, Iranin e Kinën aq më përparim bën, dhe hap klastere të reja e mbyll kapituj në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ndërsa nëse je qind për qind e rreshtuar me BE-në, atëherë s’ka përparim. Nuk është ky proces i bazuar në merita
ka thënë ajo.