𝐀𝐧𝐚𝐥𝐢𝐳𝐞̈ 𝐫𝐞𝐭𝐨𝐫𝐢𝐤𝐞 𝐞 𝐬𝐥𝐨𝐠𝐚𝐧𝐚𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐩𝐚𝐫𝐭𝐢𝐯𝐞 𝐩𝐨𝐥𝐢𝐭𝐢𝐤𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐦𝐞𝐬𝐚𝐳𝐡𝐞𝐭 𝐪𝐞̈ 𝐟𝐬𝐡𝐢𝐡𝐞𝐧 𝐩𝐚𝐬 𝐭𝐲𝐫𝐞 – 𝐬𝐢 𝐝𝐨 𝐭𝐞̈ 𝐧𝐝𝐢𝐤𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐧𝐞̈ 𝐟𝐮𝐬𝐡𝐚𝐭𝐚𝐭 𝐳𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐨𝐫𝐞?

𝑁𝑔𝑎 𝐺𝑒̈𝑧𝑖𝑚 𝑀𝑒𝑘𝑢𝑙𝑖

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Sot, më 11 janar zyrtarisht filluan fushatat elektorale të partive politike, ndonëse jozyrtarisht ato kanë filluar tash e një kohë.

këtë pikë, vlen të theksohet se të gjitha partitë politikë kanë bërë publike sloganet e tyre për zgjedhjet e reja parlamentare.

Më poshtë po ua përcjellim sloganet e partive më të mëdha në vend:

1. “𝗟𝗲̈𝘃𝗶𝘇𝗷𝗮 𝗩𝗲𝘁𝗲̈𝘃𝗲𝗻𝗱𝗼𝘀𝗷𝗲 (𝗟𝗩𝗩): “𝗖𝗲𝗽 𝗺𝗲̈ 𝗖𝗲𝗽”;

2. 𝗣𝗮𝗿𝘁𝗶𝗮 𝗗𝗲𝗺𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝗸𝗲 𝗲 𝗞𝗼𝘀𝗼𝘃𝗲̈𝘀 (𝗣𝗗𝗞): “𝗞𝗼𝘀𝗼𝘃𝗮 𝗺𝘂𝗻𝗱𝗲𝘁 𝗺𝗲̈ 𝗺𝗶𝗿𝗲̈”;

3. 𝗟𝗶𝗱𝗵𝗷𝗮 𝗗𝗲𝗺𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶𝗸𝗲 𝗲 𝗞𝗼𝘀𝗼𝘃𝗲̈𝘀 (𝗟𝗗𝗞): “𝗕𝗲̈𝗵𝘂 𝗡𝗱𝗿𝘆𝘀𝗵𝗶𝗺𝗶” 𝗱𝗵𝗲

4. 𝗞𝗼𝗮𝗹𝗶𝗰𝗶𝗼𝗻𝗶 𝗔𝗔𝗞-𝗡𝗜𝗦𝗠𝗔: “𝗗𝗶𝗿𝗲𝗸𝘁 𝗻𝗲̈ 𝗡𝗔𝗧𝗢-𝗣𝗹𝗮𝗻𝗶 𝗔𝗸𝘀𝗶𝗼𝗻𝗮𝗹 𝗶 𝗔𝗻𝗲̈𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘀𝗶𝗺𝗶𝘁 𝗦𝗶𝗴𝘂𝗿𝗶-𝗘𝗸𝗼𝗻𝗼𝗺𝗶”.”

Të gjitha këto slogane kanë qenë mjaft të përfolura, disa të kritikuara e disa të tjera të vlerësuar.

𝐏𝐞̈𝐫 𝐦𝐞̈ 𝐬𝐡𝐮𝐦𝐞̈ 𝐧𝐞̈ 𝐥𝐢𝐝𝐡𝐣𝐞 𝐦𝐞 𝐬𝐥𝐨𝐠𝐚𝐧𝐞𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐫𝐚𝐩𝐚𝐯𝐢𝐣𝐚𝐭 𝐞 𝐦𝐞𝐬𝐚𝐳𝐡𝐞𝐯𝐞 𝐪𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫𝐜̧𝐨𝐣𝐧𝐞̈, 𝐩𝐞̈𝐫 𝐠𝐚𝐳𝐞𝐭𝐞̈ 𝐟𝐨𝐥𝐢 𝐧𝐣𝐨𝐡𝐞̈𝐬𝐢 𝐢 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚𝐯𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐭𝐨𝐫𝐢𝐤𝐞̈𝐬, 𝐆𝐞̈𝐳𝐢𝐦 𝐌𝐞𝐤𝐮𝐥𝐢.

Sloganet e partive politike dhe mesazhet që fshihen pas tyre – si do të ndikojnë në fushatat zgjedhore?

Së pari, Mekuli u shpreh se këto slogane tregojnë një pasqyrë të qëllimeve dhe strategjive të partive politike.

“Sloganet e bëra publike nga partitë politike për zgjedhjet e shumëpritura të 9 shkurtit ofrojnë një pasqyrë të qëllimeve dhe strategjive të tyre. Gjithashtu këto slogane shfaqin dallimet e thella në porosinë dhe besueshmërinë e këtyre partive. Këto slogane nuk janë vetëm fraza të thjeshta marketingu politik; ato synojnë të përçojnë identitetin dhe prioritetet e secilës parti. Sloganet politike janë një mjet i fuqishëm komunikimi – ndikimi, por po e ritheksoj se këto nuk janë të mjaftueshme për të siguruar mbështetjen dhe besimin e votuesve. Ato mund të frymëzojnë, të ndikojnë dhe të përçojnë një porosi të shkurtër, por suksesi i tyre varet nga përputhshmëria midis përmbajtjes së sloganit dhe veprimeve konkrete të partive që i mbajnë këto slogane”, tha njohësi i mediave dhe retorikës, Gëzim Mekuli.

“𝙋𝙤 𝙚 𝙛𝙞𝙡𝙡𝙤𝙟 𝙢𝙚 𝙖𝙣𝙖𝙡𝙞𝙯𝙚̈𝙣 𝙚 𝙨𝙡𝙤𝙜𝙖𝙣𝙞𝙩 𝙩𝙚̈ 𝙇𝙑𝙑-𝙨𝙚̈: “𝘾𝙚𝙥 𝙢𝙚̈ 𝘾𝙚𝙥”

Për këtë, Mekuli analizoi një nga një të gjitha sloganet e partive politike.

Së pari, filloi me atë të Lëvizjes Vetëvendosje, e që sipas ty është gjithëpërfshirës, ku apelon për një angazhim të qartë për të përmirësuar çdo aspekt të jetës të popullit.

“Ky slogan përçon një porosi të qartë dhe gjithëpërfshirës për shtrirjen e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në çdo pjesë të Republikës së Kosovës, duke u theksuar në sovranitetin dhe përgjegjësinë për të gjithë qytetarët. Për më tepër, qeverisja e VV-së nën Albin Kurtin ka treguar një qasje konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e shtetit ligjor. Ky mesazh është i mirëarsyetuar nga veprimet e kësaj partie, që e kanë rimarrë sovranitetin në Veri nga Serbia dhe ka zbutur dukshëm nivelin e korrupsionit.

Pra, ky slogan apelon për një angazhim të qartë për të përmirësuar çdo aspekt të jetës së popullit dhe për të rimarrë kontrollin mbi çdo pjesë të territorit të Kosovës. Ai reflekton një qëllim të LVV-së për të qëndruar afër popullit, me projekte konkrete dhe prani të prekshme në terren.

Strategjia e LVV-së bazohet pra në rezultate të prekshme dhe në një qasje të bazuar në logos (logjikë), jo sall patos (emocion); si për shembull ulja e korrupsionit, rritja e transparencës dhe forcimi i sovranitetit në Veri të Kosovës. Ky slogan saldohet nga një etos (Autoritet – Besueshmëri) i ndërtuar mbi një histori qeverisjeje rikthim nderi, mirëqenjeje dhe pa skandale korrupsioni.

Lexo po ashtu:  Nga doktoratura e akademikut Zekeria Cana

Duke u nisur nga aspekti retorik mund të them se:

𝐋𝐨𝐠𝐨𝐬: Ka një bazë racionale që lidhet me veprimin konkret dhe praninë e Qeverisë Kurti në çdo cep të Kosovës.

𝐄𝐭𝐨𝐬: LVV dhe lideri i saj, Albin Kurti vlerësohen nga populli si të pakorruptuar në krahasim me liderët e tjerë politikë, duke krijuar në këtë mënyrë besueshmëri- autoritet të fortë.

𝐏𝐚𝐭𝐨𝐬: Slogani nxit ndjenjën e përkatësisë dhe kujdesit për të gjithë, pa dallim feje, etnie, statusi social, gjinie a kulture.

Mund të argumentoj se, LVV ka një përputhje më të mirë mes sloganit “Cep më Cep”dhe veprimeve konkrete. Puna e LVV-së në luftën kundër Serbisë së moçme dhe korrupsionit dhe përmirësimin e transparencës forcon mesazhin e sloganit”.

𝐏𝐃𝐊: “𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐦𝐮𝐧𝐝𝐞𝐭 𝐦𝐞̈ 𝐦𝐢𝐫𝐞̈”

Më tej, ai vazhdoi me PDK-në dhe sloganin e saj, për të cilin kishte kritika të arsyeshme.

Në këtë pikë, përmendi dështimet e kësaj partie në të kaluarën e që sipas tij nuk ka prova bindëse se mund të ketë ndryshim të politikave të saj.

“Ky slogan ngjan të jetë një pranim dhelpërak i dështimeve të mëparshme të qeverisjes së PDK-së, por nuk shoqërohet me asnjë provë bindëse për ndryshimin e praktikave të saj. Me një histori të lidhur ngushtë me skandalet e korrupsionit dhe miratimin e Gjykatës Speciale për UÇK-në, besueshmëria (Etos – Autoriteti) i PDK-së mbetet shumë e ulët. Besimi i votuesve kërkon etos të besueshëm, i cili mungon në këtë rast për shkak të veprimeve të së kaluarës që kanë dëmtuar interesat kombëtare dhe shtetërore. Duhet theksuar se një pjesë shumë e madhe e publikut e lidh këtë parti me një histori të gjatë skandalesh korrupsioni, dëshitme, zbythjeve politike dhe politizimit të institucioneve.

Strategjia e PDK-së duket e përqendruar në përdorimin e patos-it (emocioneve) për të mobilizuar votuesit e pakët, duke premtuar shpresë për të ardhmen, por mungesa e rezultateve konkrete dhe një planifikim i qartë e dobëson fort mesazhin retorik të PDK-së.

Ky slogan na le të kuptoj se partia ëndërron për përmirësimin e situatës aktuale. Megjithatë:

𝐋𝐨𝐠𝐨𝐬: Premtimi për përmirësim kërkon argumente të forta dhe plane konkrete, të cilat shpesh mungojnë në mesazhet e PDK-së.

𝐄𝐭𝐨𝐬: PDK përballet me mungesë besueshmërie për shkak të historisë së saj me skandale korrupsioni, zbythjeve politike dhe qeverisje të diskutueshme, duke filluar që nga lideri i tyre, Hashim Thaçi. Ky argument kokëfortë e dobëson fort efektivitetin e sloganit.

𝐏𝐚𝐭𝐨𝐬: Përmbajtja emocionale ekziston, por nuk është bindëse për shkak të mungesës së veprave politike dhe ekonomike që do ta përforconin këtë mesazh; pra vuan nga mungesa e përputhjes mes fjalëve dhe veprave”, shtjelloi njohësi i medaive.

𝐋𝐃𝐊: “𝐁𝐞̈𝐡𝐮 𝐧𝐝𝐫𝐲𝐬𝐡𝐢𝐦𝐢”

Më tej, sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mekuli potencoi se kjo parti politike ka ardhur me një mesazh si një shprehje humori sesa një premtim të besueshëm.

Sipas Mekulit, slogani nxitë emocione, por mungesa e besimit në historinë e partisë e bën atë jo serioze.

“Ky slogan bënë përpjekje për të frymëzuar individët që të marrin pjesë aktive në ndryshimin politik. Por, për një parti si LDK, e cila është përballur me kritika të ashpra për korrupsion dhe vendime të diskutueshme, si nënshkrimi i marrëveshjes për Asociacionin njëetnik serb, ky slogan duket mjaft hipokrit.

Lexo po ashtu:  Pavarësisht ndalimit me ligj nga Serbia, Mustafi valëvit flamurin kuq e zi në Preshevë: Përgjithmonë do të valojë në Luginë

E për të pasur sukses, etos-i është vendimtar, pra autoriteti, por LDK e ka humbur këtë element për shkak të veprimeve të saj të kaluara. Kjo dobësi minon çdo strategji të bazuar në patos apo logos, duke e bërë sloganin më shumë një shprehje humori sesa një premtim të besueshëm.

E pra kemi të bëjmë me një thirrje motivuese, por të pabesueshme për një parti që, siq e thashë më sipër, historikisht është njollosur nga skandale të shumta korrupsioni dhe që ka mbështetur një marrëveshje për Asociacionin njëetnik serb, në kundërshtim me interesat e Kosovës si shtet sovran. LDK (ashtu si edhe PDK) nuk ka treguar asnjë shenjë të ndarjes nga e kaluara e saj skandaloze, duke mos pasur autoritet moral (etos) për të justifikuar këtë slogan.

Slogani i LDK-së kërkon të frymëzojë qytetarët që të bëhen shërbëtorë të ndryshimit, por:

𝐋𝐨𝐠𝐨𝐬: Përmbajtja logjike është e paqartë, sepse LDK ka qenë pjesë e qeverive të mëparshme dhe nuk ka sjellë ndryshime të mëdha.

𝐄𝐭𝐨𝐬: Besueshmëria është e dobët, sepse qytetarët mund ta shohin si jonormale që një parti që ka qenë pjesë e zbythjeve politike, marrifetllëqëve të shumta politike, ekonomike dhe status quo-së, të flasë sot me zë të lartë për «ndryshim».

𝐏𝐚𝐭𝐨𝐬: Slogani nxitë emocione, por mungesa e besimit në historinë e partisë e bën atë jo serioze”.

𝐀𝐀𝐊-𝐍𝐈𝐒𝐌𝐀: “𝐃𝐢𝐫𝐞𝐤𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐍𝐀𝐓𝐎 – 𝐏𝐥𝐚𝐧𝐢 𝐚𝐤𝐬𝐢𝐨𝐧𝐚𝐥 𝐢 𝐚𝐧𝐞̈𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐬𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐬𝐢𝐠𝐮𝐫𝐢-𝐞𝐤𝐨𝐧𝐨𝐦𝐢”

Krahas kësaj, njohësi i medias kishte disa fjalë edhe për koalicionin AAK-Nisma.

Bazuar në të kaluarën e tyre politike, partitë e këtij koalicioni kanë pak besueshmëri për të drejtuar një plan kaq ambicioz, përmes të cilit po e prezantojnë përmes sloganit të tyre.

“Ky slogan i stërgjatur dhe bajat përpiqet të kombinojë dy nga temat më të rëndësishme për votuesit: sigurinë dhe ekonominë. Megjithatë, mungesa e rezultateve konkrete nga këto parti në këto fusha e bën mesazhin të duket jo realist. Për më tepër, historiku i tyre, duke përfshirë manipulimet me toka, korrupcionin dhe faljen e territorit Malit të Zi, e bëjnë këtë slogan të AAK-NISMA të duket si një shfaqje boshe retorike.

Strategjia e AAK-NISMA duket se synon të luajë me emocionet (patos), por pa një logos të qartë dhe një etos të fortë, slogani mbetet një premtim i zbrazët; thjeshtë një përrallë për fëmijët prej 7 – 14 vjeç.

Megjithatë:

𝐋𝐨𝐠𝐨𝐬: Synimi është i lavdërueshëm, por plani i veprimeve duhet të jetë më konkret dhe realist.

𝐄𝐭𝐨𝐬: AAK-NISMA kanë pak besueshmëri për të drejtuar një plan kaq ambicioz, për shkak të mungesës së arritjeve të ngjashme në të kaluarën dhe skanadaleve të tmershme korruptive në politikë dhe ekonomi.

𝐏𝐚𝐭𝐨𝐬: Slogani mbështetet te ndjenjat e sigurisë dhe krenarisë kombëtare, por mbetet një premtim i zbrazët; popullizëm.

Për këto dy parti slogani mbetet më shumë një deklaratë «dëshirore» sesa një pasqyrim i realitetit”, shtjelloi Mekuli.

Këtë analizë, ai potencoi se e bëri në tri elemete kyçe, e të cilat i shtjelloi më poshtë.

“Unë si pikënisje për këtë analizë kam retorikën e Aristotelit. Dhe si përfundim mund të them se bindja – besueshmëria bazohet në tre elemente kryesore të tij:

𝐋𝐨𝐠𝐨𝐬 (𝐚𝐫𝐬𝐲𝐞𝐣𝐚): Argumentet logjike dhe të bazuara në fakte. Për shembull, Vetëvendosje ka arsyetuar slogane të tilla si “Cep më Cep” përmes rezultateve konkrete, si ulja e korrupsionit dhe rimarrja e sovranitetit në Veri të Kosovës nga kthetrat e Serbisë së moçme.

Lexo po ashtu:  Presidentja Osmani konfirmon se Kosova i ka dhënë përgjigje pozitive kërkesës amerikane për strehimin e afganëve

𝐄𝐭𝐨𝐬 (𝐛𝐞𝐬𝐮𝐞𝐬𝐡𝐦𝐞̈𝐫𝐢𝐚): Partitë si PDK, LDK, AAK dhe NISMA nuk e kanë këtë përbërës, sepse veprimet e tyre në të kaluarën kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e tyre. Një politikan apo parti pa etos është si një mafioz që përdor sloganin “Me ne është ndryshimi”.

As Al Capone, as Pablo Escobar nuk mund të bindnin njerëzit për «ndryshim pozitiv» vetëm me slogane, pra vetëm me fjalë. Sepse ju mungon Etos-i, pra autoriteti moral.

𝐏𝐚𝐭𝐨𝐬 (𝐞𝐦𝐨𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢): Edhe pse sloganet si “Kosova mundet më mirë” apo “Bëhu ndryshimi” tentojnë të prekin emocionet e votuesve/popullit, ato nuk arrijnë të krijojnë një ndjenjë të qëndrueshme për shkak të mungesës së mbështetjes nga faktet, argumentet dhe etosi; mungon pra Autoriteti për shkak të skandaleve dhe marrëveshjeve me Serbinë e moçme në dëm të Kosovës”.

Në fund, zbërtheu atë se çka tregojnë këto slogane të lartpërmendura mbi planet dhe strategjitë e partive politike në lidhje me zgjedhjet e 9 shkurtit.

Për këtë, ai kërkoi që partitë të ofrojnë rezultate konkrete, vepra të matshme dhe një histori që mbështet në fjalët dhe jo ëndërrat e tyre.

“Siç shpjegohet në analizën time retorike, etos-i (besueshmëria – autoriteti) është thelbësor. Pa të, slogani, sado emocionues apo logjik, nuk do të ketë ndikim te publiku. Si shembull, nëse një figurë mafioze si Pablo Escobar do të përdorte një slogan si “Me ne mundet më mirë “, populli nuk do ta merrte seriozisht për shkak të mungesës së besueshmërisë (Etos). E njëjta gjë vlen për partitë politike që nuk kanë histori të pastër e as rezultate pozitive.

Sloganet e partive politike shqiptare pasqyrojnë një zbrazëti, duke mos ofruar përmbajtje konkrete apo rezultate që të mbështesin premtimet. Harrojnë se sukseset, qëndrueshmëria dhe puna e mirëfilltë, janë ato që ndërtojnë besueshmërinë dhe legjitimitetin e një partie (apo të një lideri). Lëvizja Vetëvendosje, me sloganin “Cep më Cep”, përfaqëson një përjashtim, sepse ka mbështetur fjalët me veprime konkrete dhe rezultate të matshme e të prekshme gjatë Qeverisë Kurti III, të më falni, Kurti II.

Fitorja e zgjedhjeve kërkon shumë më tepër sesa retorikë. Për të vërtetuar slogane si “Kosova mundet më mirë” apo “Bëhu ndryshimi”, partitë duhet të ofrojnë rezultate konkrete, vepra të matshme dhe një histori që mbështet fjalët e tyre; jo ëndërrat e tyre! Pa këto elemente, slogani mbetet një premtim i zbrazët, një formë e demagogjisë që nuk bind as mendjen dhe as zemrën e anëtarëve të familjes së tyre.

Të jem i qartë: sloganet janë vetëm një fillim, por këto nuk i fitojnë zgjedhjet. Mos të harrojmë: votuesit shqiptarë janë gjithnjë e më të ndërgjegjshëm, më të kthjellët dhe kërkojnë rezultate konkrete. Partitë duhet të dëshmojnë me vepra dhe jo sall me fjalë. Për këtë arsye, LVV ka një përparësi, pasi slogani i saj është më i lidhur me veprimet konkrete dhe lidershipin e pakorruptuar.

Ndërkohë, për të ndërtuar etos-in dhe për të provuar se premtimet e tyre janë të realizueshme, PDK, LDK, AAK-NISMA duhet të punojnë më shumë, të premtojnë më pak, të distancohen nga nënshkrimet e marrëveshjeve në dëm të Kosovës e në të mirë të Serbisë së moçme; marrëveshje të sponzorizuara dhe të nënshkruara nga liderët e partive të tyre”, përmbylli Gëzim Mekuli analizën për gazetën.