Isa Boletini, i lindur më 15 janar 1864 në fshatin Boletin të Mitrovicës, është një nga figurat më të ndritura dhe frymëzuese të historisë shqiptare. Jeta e tij ishte një testament i përkushtimit dhe sakrificës për lirinë dhe të ardhmen e atdheut të shqiptarëve. Që nga hapat e parë të rinisë së tij, Isa tregoi guxim dhe vendosmëri, duke u bërë një emër i njohur në çdo cep të trojeve shqiptare.

I rritur në një familje me tradita të thella patriotike, Isa Boletini u bë pjesë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që në moshën 17-vjeçare. Ai luftoi në betejën e Slivovës më 1881 kundër forcave osmane, duke fituar respektin dhe admirimin e bashkëluftëtarëve të tij. Ky ishte vetëm fillimi i një karriere të gjatë në shërbim të kombit, ku ai u përball me pushtuesit osmanë, shovinizmin serb dhe intrigat e fuqive të huaja.

Gjatë fundviteve të shekullit XIX, Isa Boletini luajti një rol të rëndësishëm në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës, një organizatë që synonte të mbrojë të drejtat dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Ai tregoi aftësi të jashtëzakonshme si lider, duke i bashkuar shqiptarët për të kundërshtuar ndikimet e huaja (sllave) dhe reformat që kërcënonin autonominë e tyre. Në këtë periudhë, ai u bë një figurë e dashur dhe një simbol i unitetit kombëtar shqiptar.

Lexo po ashtu:  Historia e shkencëtarit shqiptar që tronditi mbretërinë – por Zogu e dënoi me 100 vite burg?

Në vitin 1912, Isa Boletini ishte një ndër figurat kyçe që çuan drejt shpalljes së Pavarësisë së gjysmë-Shqipërisë. Ai udhëhoqi forcat kryengritëse në beteja të shumta kundër forcave serbe dhe malazeze, duke përfshirë ato në Drenicë, Mitrovicë dhe Prishtinë, dhe pati një rol të rëndësishëm në çlirimin e disa zonave strategjike. Në ditën historike të 28 nëntorit, Isa ishte pranë Ismail Qemalit në Vlorë, duke dëshmuar rëndësinë e pjesëmarrjes së shqiptarëve të trevave të Kosovës dhe jashtë saj në këtë moment vendimtar historik për kombin shqiptar.

Pas shpalljes së gjysmë-Pavarësisë, Isa Boletini vazhdoi të luftojë për mbrojtjen e territorit shqiptar nga pushtuesit serbë dhe malazez. Në vitin 1913, ai udhëtoi në Londër së bashku me Ismail Qemalin për të protestuar kundër vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës që copëtuan Shqipërinë. Edhe pas kthimit në Kosovë, ai organizoi qëndresën kundër forcave serbo-malazeze, duke treguar se besnikëria e tij ndaj atdheut ishte e palëkundur.

Një nga momentet më tragjike të historisë sonë kombëtare ishte vrasja e Isa Boletinit më 23 janar 1916 nga shovinistët malazezë në Podgoricë. Ai u vra pabesisht, së bashku me djemtë dhe nipërit e tij, duke lënë pas një trashëgimi që frymëzon breza të tërë. Fjalët e tij të paharrueshme, “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”, janë pasqyra më e qartë e shpirtit të tij të madh dhe përkushtimit të pakushtëzuar për kombin.

Lexo po ashtu:  Kur Zoti krijoi nënën – pjesë nga libri “40 histori në shkretëtirë”

Jeta dhe vepra e Isa Boletinit janë një shembull i rrallë i guximit dhe përkushtimit ndaj lirisë dhe dinjitetit kombëtar shqiptar. Ai mbetet një simbol i pavdekshëm i qëndresës dhe i aspiratave të shqiptarëve për Bashkim me tokën tonë Shqipëri. Kujtimi i tij do të vazhdojë të mbetet një burim frymëzimi për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij të drejtë për Bashkimin Kombëtar.