Të rinjtë e moshës 14 deri në 17 vjeç duhet të flenë nga tetë deri në dhjetë orë në ditë, sipas këshillave për gjumë të shëndetshëm. Megjithatë, një studim i ri tregon se shumë prej tyre flenë shumë më pak.

– Gati katër nga dhjetë të rinj raportojnë se flenë gjashtë orë ose më pak çdo natë, dhe vetëm tre nga dhjetë arrijnë sasinë e rekomanduar të gjumit prej tetë deri në dhjetë orë. Këto janë shifra shqetësuese, – thotë Magnus Ingebretsen për gazetën Stavanger Aftenblad, percjell MekuliPress.

Ingebretsen, i cili është student i doktoratës në psikologji në Universitetin Arktik të Norvegjisë, i referohet të dhënave nga studimi më i fundit i Ungdata.

Në këtë studim, ndër të tjera, del se vetëm 12% e të rinjve flenë nëntë orë ose më shumë. Po ashtu, djemtë në moshën e shkollës së mesme flenë më shumë se vajzat. Në përgjithësi, adoleshentët flenë edhe më pak kur fillojnë shkollën e lartë.

Gjumi i pakët ndikon te shkolla dhe aktivitetet e lir

Rreth gjashtë nga dhjetë të rinj kishin probleme për të fjetur një ose më shumë herë gjatë javës para studimit, ndërsa një pjesë e ngjashme raportuan se ndjenin përgjumje të madhe, gjë që ndikonte negativisht te shkolla ose koha e lirë e tyre.

Lexo po ashtu:  Mësoni se si të rrisni fëmijë të ndershëm, që tregojnë edhe gënjeshtra të bardha

– Po shohim një rritje të problemeve me gjumin në popullatë, dhe në veçanti shumë të rinj po flenë shumë pak, – thotë Ingebretsen.

Ai thekson se vajzat janë më të rrezikuara nga mungesa e gjumit. – Kam biseduar me shumë vajza të reja që zgjohen shumë herët, shpesh që në orën pesë të mëngjesit, për t’u përgatitur për shkollë. E ndërkohë, kanë kaluar orë të tëra duke lundruar në Tiktok dhe Snapchat deri natën vonë, – vazhdon ai.

Sipas tij, 62% e të rinjve tregojnë se përdorimi i pajisjeve elektronike është një kontribues i madh për mungesën e gjumit. Gjithashtu, fëmijët dhe të rinjtë flenë më pak tani sesa disa dekada më parë, dhe një orë më pak krahasuar me 100 vite më parë.

Frika nga “humbja e diçkaje”

– Shumë të rinj e mbajnë telefonin ndezur gjatë natës, pa aktivizuar funksionin ‘mos shqetëso’. Arsyeja që japin është frika nga humbja e diçkaje të rëndësishme, – thotë Ingebretsen, duke sugjeruar se të rinjtë duhet të ndryshojnë mënyrën si e menaxhojnë kohën e tyre.

Lexo po ashtu:  Nëse Dëshiron një familje të lumtur, duhet ta njohësh mirë trekëndëshin e dramës së Karpmanit

Ai thekson se ekziston një lidhje e fortë midis cilësisë së jetës dhe sasisë së gjumit. Ingebretsen citon gjithashtu një studim nga Universiteti i Agder (UiA), i cili konfirmon se të rinjtë që flenë mjaftueshëm janë gjithashtu më të kënaqur me jetën e tyre.

Zgjidhja fillon me prioritizimin e gjumit

Në kohën kur teknologjia është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, është e nevojshme që prindërit, mësuesit dhe vetë të rinjtë të jenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e gjumit. Duke reduktuar përdorimin e telefonit gjatë natës dhe duke krijuar rutina të shëndetshme, të rinjtë mund të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre, shëndetin mendor dhe performancën në shkollë.

Nëse rinia është e ardhmja, atëherë të gjithë kemi përgjegjësi të kujdesemi që të mos jetë një e ardhme e përgjumur.

– MekuliPress