Sot është një ditë përkujtimi, reflektimi dhe mbi të gjitha, një ditë për t’u zotuar se do ta çojmë përpara këtë atdhe të bekuar me aq shumë sakrifica.

Ky 17 Shkurt nuk është vetëm një datë në kalendar, por një testament i pathyeshëm i gjakut të derdhur që nga viti 1878 e deri tek Mon Balaj dhe Arben Xheladini, i dhimbjes që është shndërruar në forcë, dhe i betimit për liri që nuk shuhet kurrë; deri në Bashkim.

𝐏𝐨𝐫 𝐜̧𝐟𝐚𝐫𝐞̈ 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐩𝐚 𝐤𝐨𝐦𝐛𝐢𝐧 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫? 𝐂̧𝐟𝐚𝐫𝐞̈ 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐩𝐚𝐯𝐚𝐫𝐞̈𝐬𝐢𝐚 𝐣𝐨𝐧𝐞̈ 𝐧𝐞̈𝐬𝐞 𝐤𝐨𝐦𝐛𝐢 𝐲𝐧𝐞̈ 𝐦𝐛𝐞𝐭𝐞𝐭 𝐢 𝐧𝐝𝐚𝐫𝐞̈ 𝐧𝐠𝐚 𝐤𝐮𝐟𝐢𝐣 𝐪𝐞̈ 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐚 𝐢 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐨𝐬𝐢 𝐩𝐚𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭𝐞̈𝐬𝐢𝐬𝐡𝐭?

Pavarësia e Kosovës është triumf i të gjithë shqiptarëve, por ajo nuk është e plotë nëse nuk kemi unitet kombëtar, nëse Shqipëria dhe Kosova nuk ecin së bashku drejt një të ardhmeje të përbashkët. Mos të harrojmë se përçarja, që shpesh e ushqejmë vetë, është një armik më i madh se çdo forcë e jashtme.

Sot, nuk mund të festojmë pa folur për ata që Kosovën e përdorin si trampolinë për karrierat e tyre, që e shohin si një mjet për pushtet, smirë e pasuri, dhe jo si një amanet që duhet mbrojtur me përulësi, sinqeritet dhe përgjegjësi.

Lexo po ashtu:  Andin (Ukshin) Hoti largohet nga PDK-ja

Nuk mund të heshtim përballë politikanëve që betohen për shtetin, por e përdorin atë për interesat e tyre personale. Ata që kanë pushtetin në dorë duhet ta kuptojnë se pavarësia nuk është privilegj për ta, por është përgjegjësi para brezave të ardhshëm.

𝐃𝐡𝐞 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚𝐭? 𝐃𝐡𝐞 𝐠𝐚𝐳𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐠𝐚𝐳𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐭?

Në vend që të jenë zëri i së vërtetës, shumë prej tyre janë bërë makineri të ndryshkuara të manipulimit, përçarjes dhe propagandës.

Në vend që të ndriçojnë rrugën e popullit, i zhysin në errësirën e urrejtjes, të lajmeve të pavërteta, manipulimeve dhe të një realiteti të fabrikuar. Mediat kanë fuqinë të ndërtojnë ose të shkatërrojnë një shoqëri; mos bëni vegla në duart e atyre që e përdorin Kosovën si mjet për ambiciet e tyre të sëmura.

Ne duhet të flasim me zërin e liderëve që e kuptojnë se shteti nuk është një çështje personale, por një amanet i shenjtë: Ashtu siç thoshte Abraham Lincoln: “Një shtëpi e ndarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë në këmbë.” Ashtu siç theksonte Ismail Qemali: “Atdheu nuk është një pronë private, por një ideal që duhet shërbyer.”

Lexo po ashtu:  Flet anarkisti Agim Veliu: Oferta jonë është kryeparlamentari, presidenti dhe 5 ministri

Sot, në vend të fjalëve boshe, shpifëse dhe premtimeve të lodhura, le të angazhohemi për një Kosovë që është e fortë, e bashkuar dhe e drejtë.

Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Gëzuar Shqipëri!