Besimtarët ortodoksë kremtuan dje të Enjten e Madhe, që i kushtohet Darkës Mistike të Krishtit me dymbëdhjetë apostujt e Tij.

Dita nisi me ritualin më të rëndësishëm, atë të lyerjes së vezëve të kuqe.

“Puna e parë që bëhet janë lyerja e vezëve … Të shtunën fillon pjesa tjetër që është për të qerasur miqtë dhe fëmijët. Pasi mbarojnë na tepron boja e kuqe, të cilën e mbajmë në shtëpi për 40 ditë dhe pastaj e derdhim në një rrënjë trëndafili në oborr”, tregon Joana Bagaviki.

Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur brenda lëvozhgës së saj dhe në momentin që shpërthen del në dritë, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon flijimin e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Teksa përgatisin vezët e kuqe, gratë ortodokse kujtojnë një gojëdhënë të Kishës.

“Kur Maria Magdalena, pas ngjalljes së Krishtit, vajti te Pilati t’i njoftonte ngjarjen dhe i shpuri si dhuratë një shportë me vezë të bardha, sipas zakonit të atëhershëm, ai i tha: Sa mund të bëhen të kuqe vezët që solle, aq mund të jetë ngjallur Krishti. Dhe për çudi, vezët u bënë menjëherë të kuqe”, kujton Joana Bagaviki.

Lexo po ashtu:  Themeluesi i Tesla, Elon Musk bën thirrjen: “Fshijeni Facebook, sepse është kot”

Gratë ortodokse rrëfejnë me nostalgji ruajtjen e besimit dhe ritualeve edhe gjatë diktaturës komuniste, kur ligjet absurd nuk i ndalën të luteshin e të festonin.

“Fshehurazi hapej dhe radio greke dhe aty dëgjohej kur ishte pashka tamam. Për të lyer vezët të enjten, në atë kohë kishim disa letra punëdore të kuqe, i fusnim në ujë dhe aty i lyenim”, thotë një tjetër besimtare.

Pashka simbolizon Ringjalljen e Krishtit, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen, duke u shënuar si dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë./tema