Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme….
– Gjergj Fishta

…. a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin…Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë. T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik…

Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë.
Tue qenë se qëllimi imediat i shteteve të qytetnueme asht përmirësimi i gjendjes së njeriut mbi tokë, ma parë në pikëpamje të jetës së tij fizike e masnadej të jetës intelektuale, merret vesh prej vetes, se, pa ekonomi, një shtet i qytetnuem s’mundet të jetojë, e me kohë, do të bahet rob i huaj.

Një komb nuk mundet me e mbajtë gjatë pavarësinë e vet ekonomike, pa të cilën, si thamë, s’mbahet as pavarësia politike, po qe që puna e tij nuk prodhon aq sa puna e atyne kombeve, me të cilat ky gjendet në të përpjekun. Por puna rrjedh prej idesë; prandaj një shtet i qytetnuem, për ne do me ruajtë pavarësinë e vet ekonomike, ai do të gjendet e, në mos qoftë, do të mundohet me u gjetë po në atë shkallë kulture, në të cilën gjenden shtetet me të cilat ky ka të marrun e të dhanun.

Lexo po ashtu:  Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve…

Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore. Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën e huazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë.
Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem.”
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *