Gjatë historisë, individë, grupe të mëdhenj njerëzish deri te popullsi të tëra, për arsye të ndryshme, janë detyruar të lënë vendet e lindjes dhe të shpërngulen në troje të tjera.

Mes tyre ka pasur personazhe të njohura, shkrimtarë të famshëm, që kanë kërkuar shpëtim në vende të tjera. Meqë dje ishte dita botërore e refugjatëve po ju njohim me historitë e emigrimit të disa prej shkrimtarëve më të vlerësuar në botë.

Isabel Allende

Mbesa e presidentit kilian Salvador Allende, Isabel emigroi pas grushtit të shtetit ndaj xhaxhait të saj në vitit 1973. Në fillim shkoi në Venezuelë. Romanet e saj, të përkthyer në dhjetëra gjuhë të huaja, flasin shpesh për eksperiencat e saj në emigrim. U kthye në Kili pas 15 vitesh në emigrim, pas vendosjes së demokracisë në vitin 1990.

Sigmund Frojd

Psikologu i madh austriak kishte origjinë hebreje.  Gjatë Luftës së Dytë Botërore nisën probleme për psikologun e njohur. Veprat e tij u dogjën dhe shtëpia botuese që botonte librat e tij u zaptua nga nazistët. Fëmijët e tij u arrestuan, por u liruan më pas. Megjithatë, i tronditur së tepërmi, Frojdi vendosi të largohej nga vendi. Arriti të merrte një vizë për në Angli falë famës së tij. 5 vite më vonë, katër motrat e tij, të cilat mbetën në Vjenë, u arrestuan dhe u vranë në kampet e përqendrimit.

Lexo po ashtu:  A mund të depërtojë dot një vrasës deri në Kremlin për të eliminuar Putinin?

Viktor Hygo

Bir i një oficeri të ushtrisë së Napoleonit, Hygo u bë i njohur si poet dhe shkrimtar dhe sot njihet si babai i romantizmit në Francë. Në vitin 1981 u detyrua të largohej nga vendi. U kthye sërish në Paris, ku edhe ndërroi jetë.

Bertolt Breht

Poeti dhe dramaturgu i njohur gjerman që në moshë të re iu bashkua lëvizjes marksiste. Kështu që me ardhjen e Hitlerit në pushtet vendosi të linte Gjermaninë, Për 15 vjet qëndroi nga pak në shumë vende, derisa u stabilizua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fund të luftës u kthe në Berlin, ku themeloi një shoqëri teatrore.

Milan Kundera

Shkrimtari i njohur çek me shtetësi franceze iu bashkua partisë komuniste të vendit të tij në vitin 1948. U përjashtua për shkak të ideve larg linjës së partisë. U largua drejt Francës në vitin 1975 dhe 6 vite më vonë mori shtetësinë franceze. Romanet më të njohura të tij, megjithatë, i shkroi në gjuhën çeke, edhe pse botimi i tyre ndalohej në vend deri në ndryshimin e sistemit.Përgatiti: Elona Qose

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *