BE-ja i kërkon Serbisë veprime konkrete ndaj Radoiçiqit për sulmin në Banjskë
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që të mos e zvarrisë më tej çështjen gjyqësore ndaj Milan Radoiçiqit dhe personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Brukseli është i shqetësuar për mungesën e veprimeve konkrete nga autoritetet serbe. Ai ka kërkuar bashkëpunim të plotë juridik dhe trajtim të çështjes pa vonesa të tjera.
Shqetësimet e BE-së janë shtuar pas shfaqjes së Radoiçiqit në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), më 9 tetor në Kragujevc, gjatë fushatës zgjedhore në Serbi. Në pamjet e transmetuara nga televizioni N1, ai shihet pranë Danilo Vuçiqit, djalit të Aleksandar Vuçiqit.

Pavarësisht se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka deklaruar se hetimet për sulmin vazhdojnë, në Serbi ende nuk është ngritur aktakuzë për ngjarjen ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Në përleshjet e mëvonshme humbën jetën edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur.
Radoiçiqi e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe më pas është larguar nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe. Kosova e konsideron Serbinë përgjegjëse për organizimin dhe mbështetjen e operacionit, ndërsa Beogradi i ka mohuar këto akuza.
Drejtësia e Kosovës ka ngritur akuza ndaj 45 personave lidhur me sulmin në Banjskë. Tre prej tyre janë dënuar, ndërsa të tjerët, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë të paarritshëm për autoritetet kosovare. Për të janë lëshuar edhe fletarrestime, ndërsa ai është subjekt i sanksioneve amerikane dhe britanike për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Përveç çështjes së Banjskës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur në gusht aktakuzë ndaj 20 personave, mes tyre edhe Radoiçiqit, për dyshime lidhur me krime lufte kundër popullsisë civile në rajonin e Gjakovës gjatë viteve 1998–1999.
Qeveria e Kosovës e sheh paraqitjen e tij publike në aktivitetet e partisë në pushtet në Serbi si tregues të lidhjeve të tij me strukturat politike në Beograd. Kryeministri Albin Kurti ka këmbëngulur që Radoiçiqi të përballet me drejtësinë dhe të dorëzohet te autoritetet kosovare, duke e lidhur këtë kërkesë me refuzimin e dialogut të nivelit të lartë me Serbinë pas sulmit në Banjskë.
Burimi i shqetësimit për Brukselin mbetet i njëjtë: Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapa gjyqësorë që do ta çonin çështjen e Banjskës drejt një përgjegjësie konkrete penale.




