Pjesë nga ditari i Sadijes për Dritëro Agollin
“Që nga viti 1965 , kur jemi martuar(më 4 korrik) dhe deri më 1974 banonim në një apartament me dy dhoma e një kuzhinë të vogël të një pallati përballë “Zërit të popullit”. Në një dhomë flinte vjehrra, në kuzhinë flinte vjehrri, në dhomën tjetër , tri metra me katër , flinim ne me dy fëmijët. Në një cep të lirë nga krevatet tona kishim vendosur një tavolinë të vogël dhe një karrige dërrase , ku shkruante Dritëroi në orët e vona, pasi kthehej nga puna ose nga shërbimet , që i kishte shumë të shpeshta.
Ai punonte deri në mesnatë , nën dritën e abazhurit , dhe përpiqej të pinte sa më pak cigare në këtë dhomë gjumi të mbushur nga frymët tona .
Kishim një mangall nga fshati, që dimrit e mbushja me thëngjij tê ndezur drush dhe ia vija Dritëroit afër këmbëve për të mos ngrirë . Gjithashtu , në një cep të mangallit i lija xhezven për kafe turke, që ta pinte në orët e vona të natës. Unë flija më herët , pasi të nesërmen duhet të ngrihesha për radhën e qumështit, për t’i dërguar fëmijët në kopshtin me drekë dhe për të shkuar në punë. “
Fragmente nga rrëfimet e Sadijes për Dritëroin ./ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress