Nga Arben Idrizi

Ishte mesi i qershorit të vitit 1999,
një nga momentet kur ekstremet puqen

Kosova ishte çliruar.
Ushtria e policia serbe bashkë me shumicën e banorëve kishin ikur.

Dikush i tutej frikës si të tillë.
Dikush tjetër hakmarrjes e drejtësisë.
Por një plakë serbe kishte mbetur në banesën e saj,
jo për ta mbrojtur pragun, as nderin, as djepin e shenjtë.

Ky ishte vendi edhe i saj dhe s’kishte kah t’ia mbante.
Kurrë askush për asgjë s’e kishte pyetur.

Kurrë askujt asgjë s’i kishte kërkuar.
Dielli digjte.
Ushtarët e NATO-s patrullonin rrugëve, e grupe shqiptarësh të veshur
me uniforma ushtarake të gjetura ose të blera enkas pas luftës
sorollateshin në kërkim të gjahut të gjallë serb dhe pronave.

Këtë e dimë tash, këtë e themi tash:
kah hakmarrja nuk anojnë ata që e kanë pësuar.
Ata që shtiren, në të vërtetë vetëm sa i referohen të keqes personale.
E tëra ishte aq e habitshme sa të mbeteshe i ngurosur:
kur regjimi serb i kishte përndjekur shqiptarët, i kishte shënjuar
dyert e banesave të tyre me një kryq;
kur shqiptarët, në radhën e tyre, i përndiqnin serbët, e dinin ku t’i kërkonin.

Lexo po ashtu:  Amerika, sidomos ambasadori Hovenier është shumë i përkushtuar dhe i angazhuar, roli i tij është konstruktiv. Borel e braktisi...

E thyen derën e banesës dhe e gjetën plakën e shkretë
duke dremitur në kolltuk – as kryq nuk bënte, as fatit nuk i besonte.
I njohu dhe e kuptoi se kaq e kishte pasur jeta e saj.

E pyetën për burrin që kurrë s’e kishte pasur.
Por ata pastaj i thanë se burri i saj kishte vrarë dhe masakruar shqiptarë.
E pyetën për djemtë që kurrë s’i kishte pasur.

Por ata pastaj i thanë se djemtë e saj kishin vrarë e masakruar shqiptarë.
E pyetën për të afërmit e saj që kurrë s’i kishte pasur.
Por ata pastaj i thanë se të afërmit e saj kishin vrarë dhe masakruar shqiptarë.
E pyetën për prindërit e saj që kurrë nuk i kishte njohur.
Por ata pastaj i thanë se ata e kishin lindur serbe.
Thanë se rrugët e zotit dhe dëshmitë e fajeve janë të pafundme.
Ndoshta ajo
mendonte në ato çaste se askush nuk është fajtor për gjendjen e vet.
Ndoshta ajo
mendonte në ato çaste se secili është fajtor për gjendjen e tjetrit.

Dëgjoni, tha ajo,nuk kam asgjë pos jetës time 
dhe kësaj banese, ama s’kam si t’jua jap
derisa do të m’i merrni vetë me dhunë.
E saktë, i thanë ata,
të kënaqur me pazarin e vdekjes.

Lexo po ashtu:  Thirrje nga "Përkujdesja Gjithshqiptare -  Institucioni kulturor gjithshqiptar"

E kështu filluan të grinden për mënyrën se si ta heqin qafe plakën.

Arben Idrizi

Mizore është Historia,
dëng me hajvanë të rëndomtë të panjohur,
dëng me viktima të pafajshme të tyre.
Në fund,
ai që ishte në rend ta uzurponte banesën u shastis nga imagjinata e vet:
do ta hedhim nga dritarja, tha, duke iu marrë goja.
Ishin në katin e pesëmbëdhjetë.
Këtë s’e kishin provuar ende.
E hapën dritaren, e kapën për duarsh e këmbësh,

numëruan deri në tre dhe e hodhën poshtë.

Dielli digjte.
Asgjë nuk shqoi nëpër xhamat e apartamenteve teksa binte.
Asnjë mendim mbi rënien.
Asnjë engjëll pranë saj.
Kurrfarë filmi të jetës në minutat e fundit.
Pothuajse tërë jetën kishte jetuar vetëm.
Fikall vetëm po vdiste.
U përplas në trotuar, i hapi sytë për herë të fundit dhe dha shpirt. /www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *