Fati i Shqipërisë qëndron në duart e shqiptarëve. Ky është lajtmotivi i një letre me këshilla të urta që më 20 maj 1917 ua drejton shqiptarëve të Amerikës mikja e tyre, Edith Durham, nëpërmjet veprimtares së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Parashqevi Qiriazi, rikujton përmes një shkrimi në MAPO, Veli Haklaj.
Edith Durham dhe çështja shqiptare
Edith Durham lindi në Londër më 1863, në një familje konservatore nga babai dhe reformatore nga nëna. Gjyshi i E. Durhamit, pedagog përparimtar dhe mësues i fëmijëve të mbretëreshës Viktoria, ndikoi fuqishëm në intelektin dhe aspiratat e mbesës së tij. Ajo u arsimue si artiste në shkollat e Akademisë Mbretërore.
Në moshën 37 vjeçare, për të dalë nga vite të pafundme monotonie ngjyrë gri dhe depresioni që e kishte pllakosur, e këshilluar nga mjeku i saj, ndërmori një udhëtim me avulloren Austrian Lloyd përgjatë bregdetit dalmat. E magjepsur prej bukurive të peizazhit, ajo ndërmori disa ekskursione të guximshme në bjeshkët e Malit të Zi. Meqenëse kishte parë disa shqiptarë “të veshur mahnitshëm”, ajo ndërmori rrugën drejt Shkodrës, qytetit të tyre.
Angazhimi i Edith Durham me pasion ndaj Shqipërisë zuri fill që me vizitën e parë në vitin 1900 dhe mori fund me vdekjen e saj. Udhëtimet nëpër Shqipëri e mbushën me një vlerësim të pashoq për njerëzit dhe kulturën e tyre unike. “Ndërsa Shqipëria i dha një kuptim jetës së saj, zonjusha Durham e rivendosi Shqipërinë në Kujtesën e Europës” shkruan bashkëfushatuesi i saj, parlamentari britanik Aubrey Herbert.
Në mbarë Shqipërinë, Edith Durham u bë e njohur si Kralica e Malësorëve, Mbretëresha e Malësorëve. Ajo u bë luftëtare e palodhur për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur, veprimtare bamirëse, infermiere, e para grua korrespondente lufte, artiste, shkrimtare dhe etnografe.
Gjatë vizitës së saj më 1904, në qytetin e Beratit, Durham do shkruante në ditarin e saj: “Me sa kam mësuar deri tani, ajo çka Shqipëria kërkon vërtetë është pavarësi dhe njohje prej Europës… Në mbarë vendin, njerëz nga të gjitha klasat nxitojnë të më shpjegojnë shpresat dhe frikën e tyre për atdheun, dhe luten që anglezët të njohin ekzistencën e tij. Më përshëndetën si shpëtimtare. Isha krejtësisht e papërgatitur për një gjë të tillë dhe u tmerrova”.
Duke përfituar nga Kushtetuta, ajo ndërmori udhëtimin e saj në Kosovë më 1908. Përballë pengesave gjithnjë e më të mëdha të autoriteteve Osmane, ajo e përshkruan Perandorinë Turke si “një shtëpi e vjetër, e kalbur, që po shembet, të cilën e kanë përforcuar nga brenda dhe nga jashtë. Nuk dihet edhe për sa kohë do të qëndrojë… por është tepër vonë për ta ndrequr”.
Gazetari britanik, Henri Nevinson, që e shoqëroi Durhamin kur ajo administronte ndihmat për malësorët shqiptarë, gjatë luftërave ballkanike të 1911-1913, duke përshkruar cilësitë që e shndërruan atë në legjendë, thekson: “Qysh kur vuri këmbën në Shqipëri, ajo u bë shqiptare me zemër dhe shpirt”.
Edith Durham, gjatë vitit 1913, ndoqi nga afër zhvillimet në veriun dhe jugun e Shqipërisë, duke punuar edhe si korrespondente lufte. Në vitin 1913, në gazetën “Përlindja e Shqipërisë”, për nder të saj u botua një artikull ku thuhej: “Miqësia që kjo grua guximtare ka treguar ndaj kombit tonë me veprimet e saj bujare, nuk mund të shprehet me fjalë”.
Në gusht të vitit 1914, pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, E. Durhami u detyrua të kthehej në Londër. Në përfundim të luftës, bashkë me deputetin e parlamentit Britanik, Aubrey Herbert, nën flamurin e Shoqatës Anglo – Shqiptare, që ata kishin formuar në vitin 1912, fushatuan fuqishëm për pranimin e Shqipërisë nga Lidhja e Kombeve. Si sekretare e shoqatës ajo shkroi me qindra letra, duke fushatuar për të drejta e shqiptarëve.
Ndërkohë, E. Durham në mënyrë të vazhdueshme takohej dhe mbante korrespondencë edhe me personalitetet kryesore shqiptare duke u përpjekur me zell të kontribuonte në hapat e rëndësishme që po hidheshin për kombin shqiptar. Në një nga këto letra, që ajo ia drejton Parashqevi Qiriazit, më 20 maj 1917, jep disa këshilla të urta për shqiptarët, duke u hequr vërejtjen tërë patriotëve shqiptarë se “një nga kundërshtimet që kanë të jashtmit për një Shqipëri të lirë është se shqiptarët janë të përçarë edhe zihen kaq shumë midis tyre sa me gjithë që e dëshirojnë lirin’ e Shqipërisë nuk e shohin dot si mund të realizohet edhe në u realizoftë si mund të përmbahet”.
Në kohën kur shkruhej kjo letër, Shqipëria kishte kaluar përvoja të hidhura me rivalitetin në mes Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, drejtuar nga Ismail Qemal bej Vlora, dhe Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme, nën influencën e Esad pashë Toptanit; me kryengritjen e Shqipërisë së mesme me frymë osmaniste; me pushtimet dhe masakrat nga fqinjët në jug dhe veri të Shqipërisë etj., ndërkohë që ishte e pushtuar nga fuqitë ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore që përfaqësonin Antantën dhe Bllokun Qendror.
Kushdo mund të konstatojë lehtë se disa nga këto këshilla të urta të mikes së vërtetë të Shqipërisë, Edith Durham, janë aktuale edhe sot e kësaj dite, kur klasa politike shqiptare nuk ka krijuar akoma modelin e një kompromisi dhe bashkëpunimi për çështjet themelore të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare.
Këtë letër të Edith Durham, të botuar në “Ylli i Mëngjesit”, revistë e përdyjavshme që drejtohej nga Parashqevi Qiriazi dhe botohej në Boston (ShBA), po e japim në vijim për lexuesin e gazetës “Mapo”.
Këshilla të urta për shqiptarët e Amerikës nga Edith Durham – mikja e vërtetë e Shqipërisë
Editoresha e Yllit të Mëngjesit në qershor 1917 mori një letër nga e dëgjuara filo-shqiptare Miss M. Edith Durham, e cila midis të tjerave shkruan këto:
Pik së pari u falemndersë për “Yllin e Mengjezit”.
Me këtë rast dëshironj t’u heq vërejtjen tërë patriotëvet shqiptarë se një nga kundërshtimet që kanë të jashtmit për një Shqipëri të lirë është se shqiptarët janë të përçarë edhe zihen kaq shumë midis tyre sa me gjithë që e dëshirojnë lirin’ e Shqipërisë nuk e shohin dot si mund të realizohet edhe në u realizoftë si mund të përmbahet. Se ka të këtilla përçarje unë shumë mirë e dij; po besoj se shqiptarët mund ta kapërcejnë këtë rrezik po të jenë të gatshëm t’i lënë mënjanë çështjet vehtiake edhe fetë edhe të mentojnë vetëm për të mirën e përbashkët. Jam e bindur se fetë e ndryshme i kanë zili njëra-tjetrës edhe është gjë e vështirë të kuptohet se fetë janë vetëm udhë të ndryshme me anën e të cilavet njerëzit përpiqen të arrijnë gjithë atë vënt. Është një mjerim për Shqipërinë se ka tri fe të ndryshme kundërshtare. Më të shumtat e luftravet edhe mjerimevet të kësaj bote janë shkaktuar prej fevet. Ajo që duhet të bëjmë është të punojmë të gjithë për njerëzimin, edhe jo për një parti të veçantë priftërinjsh edhe për besimet e tyre.
Një komb, si një njeri i veçantë, lipset të rritet vehtë si një trup. Asnjeri tjetër nuk mund ta bëjnë këtë punë për të. Fati i Shqipërisë qëndron në duart e shqiptarëvet. Në qoftë se shqiptarët do të i lënë mënj’anë mendimet e tyre të pathemelta edhe dëmprurëse për hir të lirisë së kombit, besoj se Shqipëria do të ketë një të pritme të madhe. Po në qoftë se kundërshtimi midis Veriut edhe Jugës edhe mërzitja midis fevet pason, atëherë nuk mund të shoh përveçse ndarjen e Shqipërisë, gjë për të cilën do të më vinjë shumë keq.
Në kohën e tanishme e para pyetje që më bëhet është, “Në qoftë se u jepet shqiptarëve lirija ç’qëllojnë të bëjnë? Çfarë qeverie mund të formojnë? Cilët janë njerëzit që kanë besimin e tërë popullit?” Pyetje në të cilat asnjeri nuk mund të përgjigjet sot.
U lutem ja u bëni të njohur këto shqiptarëve të Amerikës.
Unë po përpiqem të bëj atë që mund për t’i shërbyer çështjes shqiptare; po është një gjë shumë e vështirë se nuk mund të përgjigjemi në tërë pyetjet me rëndësi duke mos patur shqiptarët vehtë një politikë të përbashkët edhe të vendosur.
Shpresoj se kjo letër do të të bjerë në dorë. U lutem jepni të falat zonjës Dako (Sevasti Qiriazi-V.H.). Sa gjëra me rëndësi kanë ngjarë që kur se e pashë të pastajmen herë.
London, Maj 20, 1917
Edith Durham
Profil i Edith Durhamit
Edith Durham (1863-1943), etnografe dhe publiciste angleze. Kaloi shumë vjet në udhëtime nëpër vendet e Ballkanit qysh nga fundi i shek. XIX dhe u bë njohëse e mirë e tyre. Tregoi interesim e ndjenjë të veçantë për shqiptarët. Shkroi libra e artikuj mbi temat më të mprehta të periudhës së pavarësisë: për çështjen e caktimit të kufijve, të padrejtësive të Fuqive në kurriz të Shqipërisë, për lakmitë e shteteve fqinje etj. Në kohën e vet kanë patur jehonë sidomos dy libra të saj anglisht: Lufta për Shkodrën (1914) dhe Njëzet vjet ngatërresa ballkanike (1920). Vepra themelore e saj në fushën e etnografisë është: Mbi origjinën e disa fiseve, kanune dhe zakone të vendeve të Ballkanit (1928), kushtuar studimit të origjinës së fiseve kryesore të Shqipërisë së Veriut dhe të Malit të Zi, lidhjeve familjare e zakoneve, të drejtës kanunore, edhe disa figurave mitologjike e besimeve pagane. Vrojtime me interes etnografik gjenden dhe në Shqipëria e Epërme (1909). Edith Durham ka mbështetur prejardhjen ilire të popullit shqiptar, ka vënë në dukje karakterin origjinal të kulturës së tij tradicionale.
Në periudhën e luftërave ballkanike E. Durham mori anën e shqiptarëve. Edhe pas Luftës së Parë Botërore i ruajti lidhjet me qarqet kombëtare shqiptare dhe ngriti zërin në favor të ripohimit të pavarësisë së Shqipërisë dhe pranimit të saj në Lidhjen e Kombeve. Ajo mbeti deri në fund një mbrojtëse e çështjes shqiptare.
Profil i Parashqevi Qiriazit
Parashqevi Qiriazi (1880-1970), veprimtare e Lëvizjes Kombëtare dhe për emancipimin e gruas shqiptare, gazetare e publiciste, Mësuese e Popullit. Lindi në qytetin e Manastirit si motra e vogël e Gjerasim, Gjergji dhe Sevasti Qiriazit. Pas mbarimit të studimeve për letërsi në Kolegjin Femëror Amerikan (Womens College) në Stamboll (1900-1904), u kthye në atdhe dhe iu kushtua mësuesisë. Shërbeu në Shkollën Shqipe të Vashave të Korçës. Mori pjesë si delegate në Kongresin e Manastirit dhe botoi “Abetare për shkollat e para”. Themeloi të parën Shoqëri të Gruas Shqiptare në Korçë (21 janar 1909). Më 1912 hartoi programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Themeloi e drejtoi revistën dyjavore shqiptare “Ylli i Mëngjesit” (1917-1920) në Boston Mass, duke u bërë kryeredaktorja e parë femër në historinë e shtypit shqiptar. Mori pjesë në Konferencën e Paqes (Paris 1919), si delegate e “Partisë Kombëtare Shqiptare” të shqiptarëve të Amerikës (Parti e formuar nga Sevasti Qiriazi), ku dha një ndihmesë të vyer për çështjen e lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë. U kthye në atdhe më 1921 dhe u bë një nga themelueset dhe drejtueset kryesore të Institutit Femëror “Kyrias” në Tiranë e Kamzë (1922-1933), duke e shndërruar institucionin në një nga shkollat e mesme më serioze në Shqipëri. Për shkak të qëndrimit të saj antifashist, më 15 tetor 1943, u internua nga Gestapoja në kampin e Anhalit (Banjica). I mbijetoi vdekjes dhe pas mbarimit të luftës u kthye në atdhe. Vdiq në Tiranë.
Revista “Ylli i Mëngjesit”
Ylli i Mëngjesit (1917-1920), revistë e përdyjavshme politike, historike, gjuhësore, letrare, pedagogjike e kulturore. U drejtua nga Parashqevi Qiriazi dhe u botua në Boston. Trajtoi probleme të kulturës dhe arsimit kombëtar; u kushtoi faqe të tëra heronjve të traditave luftarake dhe patriotike të popullit shqiptar; ngriti zërin kundër masakrave të ushtrive ndërluftuese në territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore; pasqyroi programet dhe përpjekjet e delegacioneve shqiptare për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë e tërësisë tokësore të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) etj. (burimet u hoqën nga Koha.net, për shkaqe teknike).