Shoqata Kulturore “ Xhemajl Fetahaj Raushiqi”, do të mbajë akademi përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së heroit të kombit Xhemajl Metë Fetahaj.

Akademia përkujtimore do të mbahet sot, duke filluar nga ora 19:00, në Gjermani, konkretisht në adresën Gemeindehaus St. Anna, Hermann-Kurz-St.2 71069 Sindelfingen-Maichingen.

Xhemajl Fetahaj, u lind më 27 maj të vitit 1964, në një familje të ndershme, e njohur për tradita të larta atdhetare në fshatin Raushiq të Pejë.

Xhemajl Fetahaj, apo Xhema, siç e thërrisnin familjarët, shokët e bashkëluftëtarët, nuk u pajtua kurrë me regjimin okupues serb. Shquhet për vendosmëri, inteligjencë, devotshmëri, stabilitet, maturi dhe vetëdije të lartë kombëtare e njerëzore, për të sakrifikuar deri në flijim për lirinë e atdheut. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij atdhetare e gëzoi përkrahjen e pa rezervë të familjes, por edhe të shokëve të luftës e të idealit.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, shkollimin e mesëm në Shkollën e Mesme Ekonomike në Pejë, ku u bashkua me shumë nxënës nga Deçani, Istogu, e vende të tjera të Kosovës, të cilët ishin të përjashtuar e të burgosur politikisht më herët.

Që në vitin 1982, Xhema ishte kyçur në radhët e lëvizjes ilegale të kohës, si nxënës i shkollës së mesme.

Përveç aktiviteteve ilegale, bashkë me shokët, bënte përpjekje për të organizuar diçka më të qëndrueshme, një organizim më të thellë. Në këtë kontekst Xhemajli e formon një grup ilegal, në kuadër të të cilit organizohen djem të fjalës e të besës, të cilët shquhen për guxim e besnikëri, në një varg veprimtarish atdhetare e detyrash të rëndësisë së veçantë.

Lexo po ashtu:  Shqiponja, simboli i perëndisë!

Krahas angazhimeve në radhët e organizuara ilegale, në vitin 1983, i vazhdon studimet në Degën e Historisë, në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit të Prishtinës. Në ndërkohë, për shkak të aktiviteteve të shumta atdhetare bie në sy të agjentëve të sigurimit shtetëror. Më 27 janar 1984, Xhemajli burgoset së bashku me të vëllain Demën dhe bashkëveprimtarë të tjerë. E dënuan me 6 vjet burgim për “kundërrevolucion”. Pas vuajtjeve, torturave e peripecive të shumta të kaluara nëpër burgjet jugosllave, Xhema doli edhe më i fortë.

Xhemajl Fetahaj ishte nismëtari i parë i lëvizjes gjithë popullore për pajtimin e gjaqeve, i cili që në burg ia kishte vënë vetes për detyrë që në rastin e parë t’i pajtonte dy familje të hasmëruara në fshatin e tij.

Pas daljes nga burgu, Xhemajl Fetahaj me shokë dallohet në organizimin e demonstratave të viteve 1989-1990 në Pejë e më gjerë. Sërish punëtorët e të ashtuquajturit “sigurim shtetëror” serb, vëhen në ndjekje të Xhemës. Në tetor të vitit 1990, forca të mëdha të sigurimit dhe të policisë serbe të Pejës e rrethojnë familjen Fetahaj në Raushiq. E bastisin dhe i keqtrajtojnë rëndë anëtarët e familjes me pretekst të kërkimit të armëve dhe për arrestimin e Xhemajlit, i cili nuk gjendej në shtëpi.

Xhemajli detyrohet të kalojë në ilegalitet, pa hequr dorë asnjëherë nga veprimtaria atdhetare.

Xhema përkundër dëshirës së tij detyrohet të emigrojë në Gjermani. Sapo vendoset atje, pa humbur kohë inkuadrohet në rrjedha të lëvizjes dhe së bashku me shokët që vepronin atje në kuadër të LPK-së e vazhdon aktivitetin atdhetar. Në saje të punës dhe të veprimtarisë së palodhshme për çështjen kombëtare, Xhemajl Fetahaj zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Në regjionin ku ishte i vendosur, caktohet përgjegjës për Fondin e luftës “Vendlindja Thërret” dhe rekrutimin e ushtarëve të rinj.

Lexo po ashtu:  Për kë e shkroi Noli elegjinë “Syrgjyn-Vdekur”?

Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në mbledhjen e fondeve për luftën. Shumë shpejt atë e gjejmë ndër përfaqësuesit kryesorë të Fondit “Vendlindja Thërret” për diasporë, por edhe për sigurimin e armatimit nëpërmjet disa linjave të tij, por nuk u mjaftua vetëm me kaq, sepse ditën që të jetë në vijat e para të frontit, përkrah luftëtarëve trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte pritur me vite.

Pranvera e vitit 1999, e gjen në radhët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” të UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, ku tregon guxim e heroizëm të rrallë, në thyerjen e kufirit të dhunshëm ndër-shqiptar. Ishte anëtar i Shtabit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të Zonës Operative të Dukagjinit, përgjegjës për sektorin e zbulim-kundërzbulimit, zëvendëskomandant i Trupave Komando “Delta” të kësaj brigade dhe komandant i Togut të Parë.

Që në ditët e para të sulmit kundër forcave serbe në Koshare, Xhemajli disa herë kishte hyrë në brendi të territoreve të armikut. Vlen të përmendet aksioni i ndërmarrë ditën e tretë të sulmit në Koshare, më 12 prill 1999, kur forcat serbe ishin të pozicionuara në dy shtëpi. Njësiti i UÇK-së i drejtuar nga Xhemajl Fetahaj me një sulm rrufe i asgjësoi tërësisht forcat serbe. Xhemajli me njësitin e tij ishte pararojë në luftimet e zhvilluara në Koshare, si në karakollin e Koshares, si në luftimet e zhvilluara te Rrasa e Koshares, si në Gomure, në Ujëz te Rrasa e Zogut, ku forcat serbe pësuan humbje të mëdha. Janë të njohura deklarimet e tij të jashtëzakonshme për luftën për liri, të dhëna nga fronti i luftës në Koshare për mediet e huaja, të cilat kanë mbetur si testament i lirisë.

Lexo po ashtu:  Dokumentet e FBI-së: Tito u zhduk në vitin 1937, Jugosllavia u drejtua nga një agjent rus

Më 31 maj 1999, bie heroikisht në përleshje me forcat pushtuese serbe, për të mos vdekur kurrë.

Dëshmorët e kombit Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala janë dëshmorët e parë, që u varrosën dy javë pas rënies në Kompleksin e Dëshmorëve në Koshare.

Për Xhemajl Fetahajn janë shkruar dhjetëra shkrime, poezi e janë kënduar këngë. Për të kanë shkruar Faton Mehmetaj, Hasan Hasani, Hasan e Lajde Blakaj; Ibish Neziri i ka kushtuar monografinë “Këtu jam për t’i luftuar armiqtë – Monografi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj”, botoi Shoqata e të Burgosurve Politikë, Prishtinë, 2013; Regjisori Esat Brajshori, bashkëvuajtës në burgjet serbe me Xhemajlin, ia kushtoi dokumentarin “Liri për Kosovën”, etj.

Xhemajl Fetahaj është dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës”, nga presidentja Atifete Jahjaga, me rastin e 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Heroi i kombit Xhemajl Fetahaj gjithnjë përkujtohet e nderohet me pietet të lartë për gjithë jetën, veprimtarinë dhe rënien e lavdishme për lirinë e atdheut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *