Ludvig van Bethoven, një nga kompozitorët më të njohur të të gjitha kohërave, përveç simfonive legjendare, njihet – të paktën nga të pasionuarit e krijimtarisë së shkruar – edhe për letrat e dashurisë.

Bethoven nuk u martua kurrë, por në fillim të të 40-ave ai u dashurua marrëzisht pas një gruaje misterioze, e cila edhe sot njihet me termin “e dashura e pavdekshme”, me të cilin kompozitori i njohur i drejtohej në letrat e tij.

Libra të tërë janë shkruar me supozime për identitetin e kësaj gruaje dhe shumë historianë besojnë se bëhet fjalë për Antonie Brentano, një aristokrate vjeneze e martuar me një biznesmen nga Frankfurti.

Të përfshira në 50 letrat më të bukura të dashurisë, ashtu si edhe muzika e tij, këto letra mbeten kryevepra të një gjeniu romantik.

E diel, 5 korrik 1812

“Engjëlli im, vetja ime… A mund të ekzistojë dashuria jonë pa sakrifica, pa kërkuar asgjë nga njëri-tjetri? A mund ta ndryshosh faktin që nuk je plotësisht e imja dhe nuk jam plotësisht i yti? I dashur Zot, shikoje natyrën me gjithë bukurinë e saj dhe vendosi gjërat ku duhet të jenë.

Lexo po ashtu:  “Gjithmonë mbaj mend që gjëja më e rëndësishme në një martesë të mirë nuk është lumturia, por stabiliteti”. - Thënie nga “Dashuria në kohën e kolerës”

Dashuria i kërkon të gjitha dhe me të drejtë. Sa shumë gjëra dua të të them! Por ka momente kur kuptoj se fjalët janë të papërshtatshme për ty. Ji e gëzuar dhe ji gjithmonë e imja, e dashura ime e vetme, gjithçkaja ime, ashtu sikurse unë jam i yti. Zoti do të na dërgojë gjithçka tjetër.

I yti, Ludvig”.

E hënë, 6 korrik

“Çfarë jete kjo tani, pa ty! Sado e madhe të jetë dashura jote për mua, ajo që ndiej për ty është akoma më e madhe. Zot i madh! Sa afër! Sa larg! A nuk është dashuria jonë e lidhur në parajsë?”

Mëngjesi i 7 korrikut

“Edhe pse jam në shtrat, mendja më shkon te ti, e dashura ime e pavdekshme! Ji e qetë, më duaj. Sot, dje, sa lot të derdhur për ty, ty, jeta ime, gjithçkaja ime…! Oh, vazhdo të më duash, mos e gjyko keq zemrën besnike të të dashurit tënd! Përjetësisht yti. Përjetësisht imja. Përjetësisht tanët”.

Nga Elona Qose

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *