Ndryshimet demografike kanë qenë gjithmonë një rrezik për shoqëritë e shteteve, në çdo fazë të zhvillimit të tyre. Për sa kohë që shteti e merr kuptimin dhe jetësohet prej shoqërisë, ato të dyja janë të ndërvarura pandashëm nga njëra-tjetra. Si rrjedhojë ndryshimet në karakteristikat e një shoqërie reflektojnë edhe ndryshimet në tiparet e një shteti.

Shteti shqiptar është karakterizuar nga fertiliteti në shoqëri dhe nga zotërimi i një grup-moshe të re, megjithatë statistikat më të fundit nga INSTAT shquajnë një ndryshim të këtyre karakteristikave.

Në publikimin e INSTAT, “Plakja e Popullsisë, Situata e të moshuarve në Shqipëri”, vërehet se numri i të moshuarve në Shqipëri është rritur me ritme të shpejta, nga 5% në 11% gjatë periudhës 1989-2011. Ndërkohë parashikohet që në vitin 2060 të moshuarit të përbëjnë 29% të popullsisë.  Ky është indikatori i parë që tregon se struktura e shoqërisë në Shqipëri po ndryshon, por nuk është i vetmi, e sidomos as nuk është i vetmi faktor që tregon se shoqëria shqiptare po zvogëlohet.

Një tjetër indikator i rëndësishëm që konstaton plakjen dhe zvogëlimin e popullit shqiptar është numri i lindjeve. Mjaftojnë shifrat e INSTAT që tregojnë se lindshmëria në tremujorin e dytë të vitit 2018 ka rënë me 25.3% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2017, për të shquar problemin e rëndë me të cilin shteti shqiptar do përballet në të ardhmen. Indiciet janë që rënia e lindshmërisë do të vazhdojë të jetë progresive edhe për vitin 2019 e më tej.

Shoqëria shqiptare, si një shoqërie e kryqëzuar vazhdimisht  mes problemeve me karaktere sociale, ekonomike dhe politike, është një shoqëri e përndjekur vazhdimisht nga fenomeni i emigrimit. Kjo është një tjetër indicie që tregon mbi deformimin e strukturës sociale të shtetit shqiptar. Sipas INSTAT, në vitin 2018, 8.000 shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria për ta krijuar jetën e tyre tjetërkund. Emigracioni, veçse tkurrjen e shoqërisë rrjedhon dhe probleme të tjera, ndër to më e rëndësishmja mund të cilësohet disbalancimi i raportit mes femrave dhe burrave në Shqipëri. Pritet që në vitet në vijim raporti të përkeqësohet duke arritur 88.4 burra për 100 femra.

Lexo po ashtu:  ÇFARË NDODHI PAS TIJ ME TROJET SHQIPTARE? Kongresi i Berlinit, punimet që shembën Shqipërinë

Për një problem kaq thelbësor ekzistencial për shoqërinë shqiptare, nuk mjaftojnë shpjegimi i të dhënave empirike nga zyrat e statistikës. Të dhënat duhen kuptuar, mbi to duhet reflektuar e më pas ndërmarrë një tërësi veprimesh, që në mos zgjidhin gjë, duhen të paktën të minimizojnë problemin. Shkuarja tek shkaku prezanton zgjidhjen.

Fenomeni në ‘syrin’ e sociologëve

Sociologia Edlira Çepani, në reflektimet e saj mbi statistikat e INSTAT dhe situatën tregon se pasiguria e jetës në aspektin ekonomik, shërbimet e dobëta në shëndetësi e arsim dhe mungesa e shpresës në përgjithësi tek shoqëria shqiptare shkaktojnë uljen e lindshmërisë.

Sigurisht pasiguria ekonomike ndikon në vizionin e çdo qytetari mbi të ardhmen e tij dhe familjes që dëshiron të krijojë. Rritja e standardit të jetesës, përveçse të mirave të njohura që sjell, rrjedhon dhe rritjen e kostove të jetesës. Një person që të tashmen e tij e ka  të pasigurtë dhe me pamjaftueshmëri financiare sigurisht që dhe të ardhmen e tij e të fëmijës së tij e imagjinon të pasigurte. Pezmatimi i së tashmes ndrydh dëshirat për të ardhmen. Për këtë arsye faktori ekonomik renditet nga shumë ekspertë si elementi kryesor që shkakton shuarjen e popullsisë.

Tjetër problem që shihet në hallkat e para të shqetësimit për plakjen e popullsisë është rritja e moshës së martesës. Valbona Treska, nga Urdhri i Psikologut, shprehet se emancipimi i gruas dhe rritja pavarësisë së saj, por dhe ndryshimi i stilit të jetesës në përgjithësi në shoqërinë shqiptare ka sjell dhe ndryshimin e modelit të prindërimit. Fakti është që mosha e martesës në të shkuarën ka qenë mesatarisht 23 vjeç, sot është 28, çka rrjedhimisht ndikon në numrin e fëmijëve që lind një familje. “Një familje e krijuar në moshë të re është e predispozuar të bëjë më shumë fëmijë, krahasimisht me familjet e krijuara në moshë më të madhe.”, konstaton Treska.

Lexo po ashtu:  Nuk ka shqiptar më idealist e atdhetar se Imzot Nikollë Kaçorri

Profesori i sociologjisë, Zyhdi Dervishi paraqet një tjetër hallkë të rëndësishme të problemit demografik shqiptar. Ai shton se aspekti psikologjik i shoqërisë shqiptare është ndikues në ndryshimin e strukturës së kësaj të fundit. Sipas tij, shoqëria shqiptare prej 30 vitesh kalon trauma të rënda psikologjike, gjithmonë në përpjekje të vazhdueshme për mbijetesë dhe jo për zhvillim. “Shoqëria shqiptare është e depresionuar, e paqetë dhe gjithmonë me idenë në kokë për të emigruar. Problemi i shoqërisë sonë nuk është emigrimi i qytetarëve, që në fakt është një fenomen i njohur dhe për vende të tjera, por fakti se emigrimi jonë ka potencialin për të ndryshuar strukturën e shoqërisë dhe ky përbën një nga aspektet më negative të emigrimit.”, referon Dervishi. Emigrimi i tepërm i burrave dhe paaftësia e shoqërisë për t’i zëvendësuar ata  nëpërmjet riprodhimit, patjetër që e lë strukturën e shoqërisë më të varfër.

Reflektimi mbi hallkat e problemit çon në përmirësim, por vetëm në rastet kur reflektimi konkretizohet në politika të ndërmarra. Politika sociale e Shqipërisë duhet sot më shumë se kurrë, që për të nesërmen të hartojë veprimet e duhura për të evituar një kolaps shoqëror.

Politikat pro-lindshmërisë

Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ikonomi tregon se shteti shqiptar ka reflektuar duke zhvilluar disa politika, sikurse ‘Çeku i Bebes’, zhvillimi i kapaciteteve infrastrukturore dhe teknologjike të materniteteve, këshillimi i femrave mbi abortin apo dhe leja e lindjes për babain.

Megjithë këtë, shumë ekspertë të fushës tregojnë se këto politika mbeten ‘shkurtabiqe’ përballë këtij problemi ‘vigan’.

Sociologia Edlira Çepani thekson se legjislacioni shqiptar duhet të thellohet akoma më shumë dhe t’i përgjigjet më mirë problemeve demografike të shoqërisë. “Ne jemi një shtet i varfër por më shumë se ekonomik, problemi është çështje vizioni. Do të duhet që shteti shqiptar të fokusojë vizionin e tij tek politikat sociale. Duhet që një fëmijë të mbështetet financiarisht nga shteti deri në moshën 18 vjeç sepse kjo do të rrisë optimizmin e individëve që dëshirojnë të formojnë një familje.”, shprehet Çepani.

Lexo po ashtu:  Tre sofistët që hodhën themelet e dijetimit, ata që u bënë urëkalimi i njeriut në dritën e vezullimtë të qytetërimit, nga Protagora, Gorgiasi te Trasimaku

Promovimi i vlerave të familjes dhe mbështetja ekonomike e saj është një element tjetër kryesor që përmirëson ndjeshëm gjendjen demografike shqiptare, shton Valbona Treska, nga Urdhri i Psikologut.

Ndërsa profesor Dervishi, për një problem kaq të rrezikshëm dhe radikal, parashtron zgjidhje radikale. “Duhet mbështetur çdo nënë për 3 vite me radhë me një pagë fikse. Për nënat që s’janë në marrëdhënie pune duhet siguruar një mbështetje financiare gjithashtu. Duhet ristrukturuar me themel sistemi i çerdheve për nënat me më shumë se një fëmijë”, parashtron Dervishi.

Përpos të mësipërmeve ka akoma më shumë zgjidhje që mund të propozohen. Zhvillimi i sistemit arsimor dhe ofrimi i një shërbimi shëndetësor të kompletuar, janë element shumë të rëndësishëm që lehtësojnë problemin demografik që ka kapluar popullsinë shqiptare. Sigurisht, sikurse për shumë sfera të tjera të jetës shoqërore, ekonomia si aspekti më i rëndësishëm duhet zhvilluar për të ofruar siguri tek individi dhe familja, për të tashmen e për të ardhmen.

E sigurtë është që listës së gjatë të problematikave të një vendi në zhvillimi e sipër sikurse Shqipëria është, i duhet shtuar dhe situata demografike. Krahas shtetit të së drejtës, Shqipëria duhet të reformojë rrënjësisht dhe shtetin social, si një komponent i domosdoshëm i një shteti, që mbi të gjitha, mbron ardhmërinë e vet.

Dosti Banushi  /www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *