Politika e Teatrit dhe teatri i politikës

Politika e Teatrit

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri mbështet ruajtjen e kompleksit të objekteve të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental në Tiranë. Prej fillimit të rezistencës qytetare, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë marrë pjesë në organizimet dhe prezantimet e ndryshme në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Prandaj, solidarizimi ynë është vazhdimësi e mbështetjes tonë për qytetarët të cilët prej më shumë se një viti e gjysëm protestojnë kundër planeve për ta rrënuar këtë simbol të kulturës shqiptare me vlera shoqërore, artikekturore, edukative, shpirtërore, artistike dhe historike.

Politika kombëtare duhet të ruajë trashëgiminë kulturore; politika qytetare duhet të prioritizojë demokracinë dhe të përfillë qytetarët; politika shoqërore duhet të kujdeset për mirëqenien dhe standardet e jetesës; ndërsa politika e drejtësisë do të duhet të luftonte kundër mafias e interesave të përfitimit të shpejtë që synojnë uzurpimin dhe shkatërrimin e së përbashkëtës. Çdo qasje tjetër nuk do të ishte politikë por vetëm antipolitika me të cilën kasta në pushtet ushqen shqiptarët tash e tre dekada.

Sipas specialistëve të historisë dhe arkitekturës, kompleksi i Teatrit Kombëtar ka vlera unike arkitekturore për Shqipërinë, dhe perfaqëson si pak objekte të mbetura me vlera historike në Tiranë, një mekanizëm të komunikimit kulturor në breza. Ai është tejet i rëndësishëm sa i përket kujtesës sonë të përbashkët dhe këtë e ndjejnë edhe ata që nuk janë specialistë. Shumë arkitektë restauratorë kanë dëshmuar me fakte se Teatri Kombëtar është krejtësisht funksional nëse restaurohet sipas standardeve bashkëkohore. Ndërkaq, kthimi i një pjese të këtij kompleksi në muze do të shtonte një vendndodhje të çmuar në hartën historiko-kulturore të qytetit, që do t’i shërbente kultivimit artistik të brezave të ardhshëm. Nevoja për një tjetër teatër në Tiranë nuk mund të justifikojë rrënimin e ndërtesës së tanishme, që do të rrafshonte një pjesë tejet të rëndësishme të historisë tonë të përbashkët. Një teatër i ri mund të ndërtohet tjetërkund.

Lexo po ashtu:  Nëse fiton Trump-i/ Shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë!

Synimi për ta shkatërruar teatrin ekzistues dëshmon për një qark të shkurtër mes pushtetarëve dhe oligarkëve të ndërtimit, duke cenuar pasurinë historike e larminë arkitekturore të Shqipërisë. Ky rast tregon edhe se si ligji bie pre e oreksit të mafias së ndërtimit. Miratimi i një “ligji special” për interesa specialë, ka për qëllim t’i zhvasë qendrës historike të Tiranës një pjesë të zonës së mbrojtur, me synimin për të ngritur ndërtime të reja, të larta e private në truallin e Teatrit Kombëtar. Njëkohësisht, zona historike e Tiranës është rrudhur në vitin 2017 me vendim të Këshillit të Ministrave, për t’i hapur rrugën ndërtimeve të reja në zonën e mbrojtur. Kjo dëshmon se si ligji është shndërruar në plastelinë në duart e një karteli me trajta politiko-mafioze. Prej fillimit të viteve 2000, ka patur dy tentativa të tjera nga pushteti për ta prishur Teatrin Kombëtar, por ato tentativa fatmirësisht janë ndalur nga lart. Kësaj radhe, janë qytetarët ata që po e mbrojnë Teatrin Kombëtar me qëndresën e tyre.

Lexo po ashtu:  Vjosa Osmani ka reaguar ndaj ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë

Sa i përket çështjes së politikave sociale, tashmë mbingarkesa me ndërtime të larta i ka cenuar rëndë standardet e mirëqenies dhe të jetesës në Tiranë. Rritja e dendësisë së popullsisë ka ardhur në përpjesëtim të zhdrejtë me hapësirat publike, sportive, kulturore, edukative, infrastrukturore, të gjelbëruara, zbavitëse e kështu me radhë. Tirana e mbushur me beton po synon ta mërgojë gjelbërimin në periferitë e saj, me projekte që tingëllojnë bukur, por pa efekt të konsiderueshëm, si “pylli orbital”, ose ta shndërrojë gjelbërimin publik në gjelbërim privat, përmes projekteve të “kopshteve vertikale”, ku parqet prishen për t’u kthyer në shumëkatëshe betoni, e më pas ato maskohen me bimë kacavjerrëse nëpër ballkone e dritare. Tashmë Tirana i ka shkollat e mbingarkuara, nuk ka kinema publike, i ka rrugët e trotuaret të ngushtuara e të mbingarkuara, është e ndotur, dhe ka plot probleme të tjera infrastrukturore e urbanistike që e vështirësojnë jetën e qytetarëve. Ndaj qëndresa për Teatrin Kombëtar është edhe qëndresë kundër politikave anti-sociale, të cilat shohin vetëm interesin e drejtpërdrejtë për fitim të shpejtë, kundër interesit afatgjatë të qytetarëve dhe të qytetit.

Lexo po ashtu:  Sot, në përvjetorin e 101 të vdekjes së Ismail Qemalit, nderojmë kujtimin e tij, Vazhdon përpjekja për një shtet të Bashkuar dhe të begatë Shqiptar.

Teatri i politikës

Situata rreth Teatrit Kombëtar i shpërfaq pushtetarët si aktorë të një teatri marionetash. Atyre ua luajnë telat ato pak kompani të mëdha e korporata të cilat tashmë kontrollojnë përmes monopolesh, oligopolesh e kartelesh gati gjithë ekonominë e Shqipërisë. Politikat që burojnë nga interesat e oligarkëve i kanë prioritetet e investimit në fusha jo emergjente për qytetarët. Ajo që pushtetarët mundohen ta shesin si qeverisje serioze, në të vërtetë është një aktrim i qeverisjes. Një qeverisje vërtetë në dobi të interesit publik kurrsesi nuk mund të kuturisë në të tilla projekte antipublike. Në çdo vend të zhvilluar politika demokratike afirmon fuqinë e vet drejtuese mbi të gjithë qytetarët, përfshi edhe mbi kapitalin. Në Shqipërinë ku të gjitha partitë ndjekin ideologjinë neoliberale, shteti është dobësuar aq shumë sa që shërben vetëm për të shpërndarë tendera e leje ndërtimi, koncesione e licenca. Kapitali i oligarkëve e kontrollon plotësisht shtetin, sepse pangopësia e pushtetarëve të partive të vjetra e ka nxjerrë demokracinë dhe shtetin në shitje.

Ky teatër politik duhet të përfundojë. Politika shkatërrimtare neoliberale dhe uzurpimi i hapësirëve publike, duhet të zmbrapset. Krahas të drejtës së qytetarëve mbi qytetin, Shqipëria ka nevojë për shtet të qytetarëve, shtet të zhvillimit, modernizimit e drejtësisë, që e lufton krimin, monopolet e kartelet, dhe që mbron publiken dhe vlerat historike e kombëtare.

Tiranë, 22 korrik 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE! 
Qendra në Shqipëri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *