Dallime mbi ndëshkimet për vjedhje brenda shtëpisë, fisit dhe kishes sipas të drejtës zakonore shqiptare

Dihet se burimet kryesore në të drejtën zakonore shqiptare ishin kanunet. Në territoret shqiptare janë apikuar një mori kanunesh, por tre prej tyre ishin më të njohur, pasi që fushëveprimtaria e tyre regjionale ishte më e gjerë. Këto kanune ishin Kanuni i Lekë Dukagjinit (KLD), Kanuni i Skënderbeut (KS) dhe Kanuni i Labërisë (KL).

Definicioni i vjedhjes sipas kanuneve

Objekt i këtij artikulli është instituti juridik i së drejtes penale të posaçme vepra penale e vjedhjes brenda shtëpisë (anëtarve të familjes) dhe ndëshkimi i tyre, si sanksion penal për vepren e tij sipas së drejtës zakonore shqiptare. Prandaj, së pari do të trajtohet definicioni i institutit të vjedhjes sipas kanuneve të lartë përmendura.

Vjedhjen si institut juridik i së drejtes penale e kishin inkriminuar të gjitha kanunet shqiptare. Kështu sipas Nenit 768 a, i KLD-së vjedhja definohej: akti i kryer nga dora e një personi (cubi) ndaj një pasurie (gjaje) të huaj. Gjithashtu edhe në Art. IV, neni 3181 të Kanunit të Skenderbeut me vjedhje nënkuptohej marrja ndonje gjë tinës e ndokujt. Ndërsa, në Nenin 722 të Kanunit të Labërisë me vjedhje nënkuptohej marrja pa të drejtë, nga vjedhësi në menyrë të fshehtë ose të hapur, me dije dhe dashje të pasurisë së tjetrit, në dobi të vet, me qëllim për ta përvetësuar për vete ose për një tjetër.

Për shkak të mangësisë së elementeve themelore të këtyre definicioneve ne kanune, të cilat e përbëjnë figuren e veçantë të veprës penale vjedhje, do të përkufizohet definicioni i vjedhjes në mënyrë të pergjithshme, qe e pranon e drejta zakonore shqiptare si vijon: me vjedhje kuptohej marrja e padrejtë, e fshehtë e pasurisë së tjetrit, me qëllim të nxjerrjes së përfitimit material për vete ose për tjetrin.

Subjekt i kryerjes së vepres penale të vjedhjes brenda shtëpisë ishte kushdo që ishte anëtar i familjes, pra burrë ose grua, djalë apo vajzë, të cilet kishin arritur moshën madhore. Mosha madhore tek meshkujt, sipas kanuneve shqiptare konsiderohej se arrihej me gëzimin e të drejtës së mbajtjes së armëve, e që ishte rreth 15 vjeç.

Objekti i të mirave juridike të mbrojtura në vepren penale vjedhje konsideroheshin sendet e luajtshme sipas Krye shtatë, Neni 64 i KLD :

  1. Fitime e të prishuna;
  2. Armët;
  3. Remet, hekurishta, almistraqesh;
  4. Rraqe shpijet – shtroja e mbloja;
  5. Gjaja e gjallë: lopë, qe, kual, dele e dhi;
  6. Drithi e cdo bimë aret;
  7. Bletët;
  8. Djathi e tlyeni;
  9. Vena e rakija;

Definicioni i shtëpisë

Në Kreun I, Art I, neni 992 të Kanunit të Skënderbeut është dhënë definicioni i shtëpisë. Në këtë nen me shtepi lën të nënkuptohet një banesë që ban tym, ku banojnë në menyrë te vazhdueshme njerëz që kanë lidhni gjaku, pune, pasunie, jetese, në nji zot e një zojë shtëpie. Ndërsa, ne nenin pasues përcaktohet se çdo shtëpi ka pasunit e veta të tundshme e të patundshme. Në nenin 994 janë përcaktuar në menyre precize sendet (pasuria) e luajtshme, të cilat mund të jenë objekt i vjedhjes, e ato janë: Rraqet e shtëpisë e të punës, gjaja e gjallë, grazhdi, të hollat dhe ushqimet.

Lexo po ashtu:  Memoriali më i vjetër i luftës në botë ndodhet në Siri

Gjithashtu edhe në nenin 723 të KL është paraparë se kush mund të jetë objekt i vepres penale të vjedhjes. Në perputhje me këtë nen objekt i kesaj vepre mund të jenë: bagëtia (gjëja e gjallë), kafshët (lopët, qetë, kali, mushka, gomari), prodhimet bujqësore e blegtorale, bleta, sendet shtëpiake, sendet vetjake, paratë dhe cdo pasuri tjetër me vlerë ekonomike.

Në KLD, familja sanksionohet si guri themeltar i qytetërimit arbëroro-shqiptar, e cila kishe organizim patriarkal. Në Librin e dytë, Kreu i dytë, Nye e Nandët i Kanunit të Lekë Dukagjinit përcaktohet kuptimi i Familjes. Në nenin 19 përmendet se : […] Familjen e përbëjnë gjindja e shtëpisë, të cilët kur të dahen e zgjerohen e perbëjnë një komb. Ndërsa, në nenin vijues të këtij kanuni përcaktohet se për sundimin në shtëpi është kompetent anëtari më i vjetër nën kulm të asaj shtëpie apo vllau i parë, por mund të jetë edhe ndonjë më i mencur, ma `i urtë e ‘ma kujdestar. Ky person është shembull i patria potestas, i cili ka (tagër) kompetencë edhe për ndëshkimin e njerëzve të shtepisë, kur ata nuk hecin si e lyp e mara e shtepisë.

Ndëshkimet që mund t’u shqiptoheshin njerëzve të shtepisë sipas KLD-së :

a) Me lanë pa hangër (për një kohë të caktuar *autori);

b) Me u hjekun armët e krahit a të brezit për nji apo dy javë (konsiderohej dënimi më i rëndë);

c) Me lidhë e me burgosun në shtëpi (ku në katin e parë kulla kishte qilarin – hajatin – burgun për bagëtinë, e në një kënd ishte dhe vendi ku “izolohej” i ndëshkuari, për të vuajtur ndëshkimin e shqiptuar nga i zoti i shtëpisë, për veprën penale të vjedhjes apo për vepra tjera të renda që kishte kryer);

d) Me e nda nga shtëpia (Familja), me pjesen që i përket, për me shporrë shnjerëzimin e rrezikun.

Duhet theskuar se autoriteti i zotit të shtëpisë ushtrohej mbi të gjithë pjestarët e familjes dhe në raporte me interesat e familjes.

Për ndëshkimin flitej edhe në Nenin 2217 të Kanunit te Skenderbeut. Aty definohet ndëshkimi si vijon: Ndëshkimi në gojë të kanunit asht një e keqe që populli, pari e vogjeli i ban fajtorit, për denim të ndonji së keqje së bame prej saj.

Pra, themi se sipas se drejtes zakonore shqiptare, zoti i shtepisë për vepra të vjedhjes të cilat preknin sendet e luajtshme të prones familjare, të cilat i kryenin anëtaret e familjes (shtëpisë) ishte gjyqtari apo vendimarrësi (dominus litis) i vetëm i çështjes penale. Në këtë çështje nuk do të mund të ndërhynte kush nga jashtë, sepse ishte në kompetencën absolute të tij. Kjo dukuri do të mund të argumentohej sidomos edhe si pasojë e jetesës dhe mbrojtjës së përbashkët të vet familjes. Dihej gjithashtu se i zoti i shtëpisë gëzonte të drejtën mbi jetën a vdekjen e njerzëve të shtëpisë. Prandaj, nga ky parim i cili atij i siguronte pushtetin absolut mbi anëtarët e tjerë të familjes e argumenton më së miri edhe pushtetin e pronarit mbi tërë pronën familjare, e cila krijohej, zhvillohej e ruhej nga të gjithë anëtarët e shtëpisë. Pra, vlente parimi solidar të gjithë për një dhe njëri për të gjithë, njëherit vjedhja e shtëpisë konsiderohej edhe vjedhje e pasurisë së perbashket famijare, por gjithashtu edhe të pasurisë së secilit individ veç e veç. Me një fjalë kjo vjedhje konsiderohej edhe si dëmtim apo zvoglim pasuror ndaj vetëvetes. Meshkujt punonin sipas rekomandimit te zotit te shtëpisë dhe depozitonin në gjirin e familjes të gjithë fitimin, pa mbajtur asnjë metelikë për vete. Njerezit e shtepise, pa miratimin e zotit të shtëpisë, nuk mund të shisnin, as të blinin, as të shkëmbenin sende nga pasuria e përbashkët, perpos të pushkës, që ishte pronë e tyre vetiake. Çdo veprim i kundërt konsiderohej i pavlefshëm dhe i ndëshkueshëm.

Lexo po ashtu:  Kur diskutohej divorci në 1930: “Shka Zoti ka bashkue, njeri s’mundet me e nda…”

Më tutje shkurtimisht është me rëndësi të bëhet dallimi i vjedhjes së pasurisë brenda shtëpisë (familjes) nga vjedhja e pasurisë brenda fisit (jashtë familjes shtëpiake). Kështu përderisa tek vjedhja brenda shtëpisë (familjes) nuk parashiheshin ndëshkime nga ndonje organ jashtë shtëpisë, tek vjedhja brenda fisit procedura e ndjekjes, gjykimit dhe e ndëshkimit ishte e ngjashme me vjedhjen e cila kryhej jashtë fisit. Sipas kësaj të fundit, së pari i dëmtuari e paraqiste rastin tek bajraktari, nëqoftese ai nuk e kishte rikthyer pasurinë e vjedhur apo nuk ishte kompenzuar në ndonjë menyrë tjetër nga fajtori apo i zoti i familjes së të akuzuarit. Më pastaj do të caktoheshin betarët, para të cilëve ai do të mund të betohej për pafajësinë e tij. Mvarësisht nga objekti i vjedhjes caktohej numri i betarve. Nëse provohej vjedhja, i akuzuari, respektivisht i zoti i shtëpisë do të duhej të paguante dyfishin e vlerës së sendit të vjedhur. Pjesa e mbivlerës së sendit, ndahej midis pleqve, të cilët e kishin gjykuar çështjen. Një karakteristike e vecante dalluese midis këtyre dy veprave penale qëndron në faktin se për veprat penale që kryheshin brenda shtëpisë (familjes) pater familiasi kishte dhe funksionet e gjyqtarit, që vendoste pa i njohur të drejten apelimit të akuzuarit – të denuar, siç mund të ushtrohej tek vepra penale e vjedhjes në fis dhe jashtë tij.

Lexo po ashtu:  Gënjeshtra shekullore e serbëve. Zbulojeni – Gjurmë Shqiptare

Gjithashtu vlen edhe te behet nje krahasim i shkurter midis vjedhjes brenda shtëpisë dhe vjedhjes e cila ishte drejtuar kundër pasurisë së kishës. Kështu siç ‘u përmend më parë, vjedhja e shtëpisë drejtohej kundër pronës së përbashkët familjare, sipas KLD-së nuk parasheh ndëshkime jashtë familjes (shtëpisë) së vet, ndërsa vjedhja ndaj kishes kishte konsekuenca për kryesin e kësaj vepre penale nga ana e institucioneve kanunore (shiko p.sh. Nye e Tretë, Neni 6 paragrafi 1 ku thuhet se pasuria e kishes ishte e paprekshme e askush nuk mundej të të vëj dore me to. Në lidhje me vjedhjen e pasurisë publike, p.sh., të Kishes në Nenin 5 të këtij Neni thuhet: kush vjedh gjanë e Kishes, pos që do të kthejë atë gjë simbas Kanunit të vendit, ku gjindet Kisha, ka edhe për detyrë me i la gjoben kishes për nderë të marrme, e gjoben famullisë për ndore të cartne, pse kisha është ndorja e Famullis. Ndërsa, gjithashtu sa i perket vjedhjes në shtëpi, kryesi i kësaj vepre nuk ndëshkohej me detyrimin e kthimit të sendit. Për vjedhje jashtë shtepisë kërkohej dëmshpërblimi “dy për një”. Një mbrojtje e pasurisë së kishes është e paraparë edhe në nenin 3452, e gjithashtu në nenin 3456 ku parashihet edhe ndëshkimi në mënyrë analoge sikurse tek KLD. Është me rëndësi të theksohet edhe fakti se ai që vidhte sendet e kishes mund të detyrohej të paguante në tokë dhjetefishin e vlerës se atij sendi (M. ED, fq. 91. Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve).

Prandaj, si përfundim duke përcaktuar veprën penale të vjedhjes, si veprim shoqërisht të rrezikshëm, të parashikuar me të drejten zakonore shqiptare vlerësohet se qëllimi i ndëshkimit për veprën penale të vjedhjes në shtëpi (familje) ishte pkësëpari mbrojtja e pronës së përbashkët kolektive familjare.

Gjithashtu, meqë marrëdhëniet familjare në periudhën e aplikimit shumë shekullor të kanuneve karakterizoheshin nga sundimi i të zotit të familjes, zotit të shtëpisë edhe vendimi mbi ndëshkimin e autorit të vjedhjes në pasurinë shtëpiake ndërmerrej ekskluzivisht nga i pari i shtëpisë.

Prof. Ass. Dr. Islam Qerimi, LL.M.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *