Prej dy ditësh, një karvan i madh me pushues kosovarë ka pushtuar rrugët e vendit. U raportua se vetëm dje kishin hyrë nga Morina, rreth 22 mijë persona. Radhët janë aq të gjata të makinave, sa ti nuk mund ta dallosh fundin e tyre.

Janë pikërisht këto dhjetra apo qindra mijëra shqiptarë të Kosovës, që si çdo verë po mbajnë gjallë një prej burimeve më të rendësishme ekonomike të vendit tonë, turizmin.

Po shpëtojnë qindra e mijëra investime që janë bërë në këtë sektor.

Edhe pse në një klimë jo vëllazërore siç duhej të ishte, shpesh dhe jo shumë miqësore, me një spekticizëm të vazhdueshëm në shkëmbim mes njëri-tjetrit, sërish vizitorët nga Kosova po hedhin kursimet e tyre çdo sezon në këtë degë të ekonomisë shqiptare.

Nuk ka dyshim se kryesisht ata nisen nga çmimet më të mira që ofron vendi ynë për hotelerinë dhe ushqimin, krahasuar me fqinjët. Por duhet ta pranojmë se edhe në këtë drejtim nuk është se ka tashmë diferenca të mëdha me Malin e Zi, fjala vjen, ndërkohë që paketat dhe mundësitë që ofrojnë operatorët malazezë me traditë në këtë fushë, janë më të larmishme dhe më atraktive.

Lexo po ashtu:  Largohet nga detyra Ambasadori i Kosovës në Berlin, Beqë Cufaj

Tek kosovarët që vijnë me pushime masivisht në brigjet tona ka dhe një motiv shpirtëror. Ka një ndjesi, një si thirrje patriotike. E për këtë, ne duhet tu jemi atyre pa fund mirënjohës.

Sepse janë miliona euro që ata mund ti shpenzonin në Ulqin, Budva, apo edhe në Dubrovnik, apo në plazhet e veriut të Greqisë, ose në Turqi. Po kanë zgjedhur prej vitesh tashmë Shqipërinë, dhe ata janë pjesë e realitetit të muajve të verës.

Pushuesit nga Kosova po ushqejnë dhjetra mijëra familje dhe biznese të vogla e të mesme që jetojnë pikërisht falë punës që bëjnë në 3 muajt e verës.

Ndaj ata duhen mirëpritur e trajtuar me respekt e dashuri, nga Saranda në Velipojë.

Dhe duhet të mos ngurrojmë fare tu themi: Faleminderit!/Mapo/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *