Jahja Dranqolli

Në kërkim të historisë mijëvjeçare: Këto ditë shtatori shënohet përvjetori i formacionit të parë shtetëror të Abërisë mesjetare i përmendur më 1166…!

Pas njoftimeve burimere bizantine të shekujve XI-XII, etnonimi arbër, këtej edhe treva ku jetonin arbërit, zuri të quhej në dokumente të kohës Arbëri. Ndonjë historian i sotëm ka paraqitur të zvogëluar hapësirën gjeopolitike të arbërve dhe të Arbërisë gjatë mesjetës. Në këtë kuadër është bërë përpjekje jo rrallë që shteti i Arbërit gjatë mesjetës të kërkohet në një trevë të ngushtë të Shqipërisë së sotme. Dokumentet e kohës provojnë se arbërit gjatë mesjetës duhet parë në tërë arealin tonë etnik dhe duhet kuptuar se “vendbanimi i sotëm i shqiptarëve nuk është një trevë ekspansioni, por trevë restriksioni, përfundim i një ngushtimi të pandërprerë gjatë historisë”. Së këtejmi, gjatë mesjetës formacionet shtetërore arbërore u ngritën në treva bregdetare që nga Arta deri në Raguzë. Ndërkaq, në krahinat lindore në trevat e qyteteve Nish, Shkup e Ohër, krahinat përgjatë rrugës së rëndësishme Nish – Shkup – Manastir – Kostur – Janinë – Artë formonin kufirin lindor deri ku shtriheshin trojet etnike arbërore. Në viset veriperëndimore të Arbërisë së Sipërme që herët (shek. XI) ishte formuar një njësi gjeopolitike me emrin Dioklea, e cila gjatë shekujve të mesjetës përmendët edhe me emrin Zeta (Xenta, Zenta) si pjesë e Arbërisë.
Boshllëqët në burimet që kemi nuk na lejojnë të ndjekim me hollësi rrugën dhe rrethanat të cilat ndikuan në formimin e Arkondisë së Durrësit si organ i sundimit nga kryezotërinjtë vëndës. Ne mund të mbështetemi në supozim se forcimi i vazhdueshëm ekonomik i elementit vendas çoi në konflike dhe, së fundi, në një mënjanim të përkohshëm të faktorit bizantin; nga një arkonti vasale, në fillim ende e varur, u krijua, njëlloj si në vende fqinjë, një shtet feudal i pavarur. Një burim historik monumental i vitit 1166 na jep një pikë tjetër referimi në lidhje me shkallën e ndërmjetme të rolit gjithnjë më të madh të shtresave sunduese vendëse. Është fjala për një princ të Arbërisë, i cili përkrah ofiqarëve të lartë laikë dhe kishtar, mori pjesë në një kremtim ceremonial për shugurimin e kishës së Shën Trifonit në Kotorr. Në ceremoni kishte marrë pjesë edhe Isaku, administrues bizantin për Dalmaci, Diokle dhe Arbëri. Edhe pse, Ndreu (Andrea), princ apo prior i Arbrit, e njihte atëbotë sovranitetin bizantin, megjithatë, bëhet e ditur se autonomia politiko- administrative e Arbrit ishte rritur, siç mund të shihet edhe nga privilegjet e vitit 1153 të perandor Emanuelit dhuruar Krujës, qendër e Arbërisë. Nga analiza e hollësishme e një titulli të ngjashëm, e funksionit të Priorit të Zarës, ndonjë studiues serioz arriti në përfundim se në këtë mjedis nuk ishte fjala për një funksion të autonomisë qytetare, siç mendonte ballkanologu M. Sufflay, por për guvernatorin e Themës së Dalmacisë. Pra, këtu është fjala për kreun e një njësie provinciale autonome, që nuk është identike me Themën e Durrësit.

Lexo po ashtu:  Kanceri është kthyer në biznes. Kimioterapia nuk është zgjidhja

Burimi: Origjinali i aktit ose i diplomës ruhet në Arkivin HAZU të Zagrebit!