Shërbimi Gjerman i BBC-së e përdori satirën për t’ju qasur gjermanëve të zakonshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qëllimi ishte të thyhej monopoli nazist për lajmet brenda Rajhut të Tretë, shkruan Kristina Moorehead.

Ishte natë e vonë në Londrën e vitit 1940, kur mërgimtari austriak Robert Lucas po shkruante në tavolinë e punës. Bombat në qytet po binin çdo natë si breshëri shiu, Ushtria e Hitlerit po fitonte në gjithë Evropën dhe pushtimi i Anglisë po shihej si i mundshëm. Përkundër sirenave të sulmeve ajrore – apo siç thoshte ai, “zhurmave rreth meje, të Ferrit të makinerive të luftës” – Lucas përqendrohej në punë: që të “luftojë për shpirtrat e gjermanëve”. Ai po e mendonte një transmetim në radio për qytetarët e Rajhut të Tretë. Jo si lutje që të vinin në vete, por një përpjekje për t’i bërë të qeshur.

Lucas kishte punuar për Shërbimin Gjerman të BBC-së, që nga Kriza e Sudetenit në shtator 1938. Qëllimi i Shërbimit Gjerman ishte – qëkur e transmetoi përkthimin e fjalimit të Neville Chamberlainit, para se të nënshkruante Marrëveshjen famëkeqe të Munihut – të thyente monopolin nazist për lajmet brenda Rajhut të Tretë.

Nazistët nuk mund të ndalnin valët e huaja të radios në Gjermani, por mund ta cilësonin krim dëgjimin e stacioneve të armikut. E bënë këtë që në fillim. Ata që u zunë duke dëgjuar, u burgosën, ndërsa dënimi për përhapjen e lajmeve nga transmetuesit e armikut ishte dënimi me vdekje. Gjermanët që ishin mjaft trima për të mos e respektuar ligjin, duhej të kishin kujdes nga përgjuesit dhe nga fqinjët që nuk kishin mirëkuptim, ndaj dëgjonin nën batanije sikur po e shëronin veten nga ftohja e madhe me enën me ujë të vluar.

Por, pse në ato rrethana duhet të transmetohej satira?

Ishte strategji e mirë të tregosh barsoleta, për të ruajtur moralin në frontin e brendshëm të Britanisë, dhe kjo u dëshmua me satirën e BBC-së “It’s That Man Again” (Prapë ai njeri). Por, për propagandën e armikut? Dhe, kush do ta rrezikonte jetën duke e dëgjuar?

Në fakt, kur Lucasi nisi të shkruante “Die Briefe des Gefreiten Adolf Hirnschal” (Letrat e tetarit Adolf Hirnschal), nuk e kishte “idenë nëse do ishin 50 njerëz në Gjermani që do ta dëgjonin”. Siç tha më vonë, foli “në errësirë, pa asnjë jehonë”. Por, fakti se programi i tij dhe dy seritë tjera satirike të quajtura “Frau Wernicke” dhe “Kurt und Willi” (Kurti dhe Ueilli) ishin miratuar që më 1940, dëshmon qasjen e guximshme dhe eksperimentale të miratuar që në fillim nga Shërbimi Gjerman.

Lexo po ashtu:  Gazetaria shqipe me telashe të mëdha

Në fillim, mungonte stafi dhe pajisjet për t’iu qasur si duhet detyrës së përditshme të kundër-propagandës. Për më tepër, ishte territor i pakontrolluar. Radioja ishte akoma medium relativisht i ri dhe transmetimi te armiku ishte përvojë krejtësisht e re. Megjithatë, kjo solli një frymë kreativiteti dhe aventure. “Në rregull, mund ta provojmë”, i tha Lucasi BBC-së, kur u porosit “Adolf Hirnschal”-i.

Programet satirike mbështeteshin në një si bashkim të vështirë midis BBC-së, zyrtarëve të propagandës britanike dhe mërgimtarëve që flisnin gjermanisht. Nga njëra anë, zyrtarët britanikë këmbëngulnin që mesazhi i Shërbimit Gjerman duhej të tingëllonte “po aq anglez sa pudingu i Jorkshajrit”. Por, gjithashtu duhej të shfaqte njohuri për psikikën gjermane dhe për këtë duhej kontributi i mërgimtarëve. Por, marrëdhënia nuk ishte gjithmonë e lehtë; si një “armik i huaj”, Lucas dhe shokët e tij të mërguar shiheshin shpesh me dyshime.

Përmbajtja e çuditshme e programit duhet të kuptohet në kontekstin e kësaj aleance interesante. Seria e parë paraqet letrat fiktive të shkruara nga fushëbeteja nga një tetar gjerman për gruan e tij. Protagonisti ia lexon letrat shokut të tij, para se ato të dërgohen me postë. Adolf Hirnschal i përkushtohet “Fyrerit të tij të dashur”. Megjithatë, sado jobindëse është besnikëria e tij, qëllimi është i qartë: të ekspozojë gënjeshtrat e proklamatave naziste. Në letrën e tij kur i shpallet lufta BRSS-së më 1941, i tregon gruas së tij sesi i mirëpriti lajmet nga togeri se po dërgoheshin në kufi me Rusinë: “Kërceva nga gëzimi dhe thash: ‘Z. toger, kërkoj me mirësi lejen për t’u shprehur se jam jashtëzakonisht i kënaqur që po vëllazërohemi me rusët. A nuk e tha Fyreri ynë i dashur më 1939 se miqësia jonë me rusët është e parevokueshme dhe e pakthyeshme”?

Hirnschali ekspozon hipokrizinë e politikës së Hitlerit ndaj Rusisë, gjithnjë nën mbulesën e besnikërisë absolute. Kjo ishte metoda që Bruno Adler – historian gjerman i artit dhe autor që kishte ikur në Angli më 1936 – e përdori për personazhen Frau Wernicke. Protagonistja ishte amvisja me zemër të mirë, por fjalamane nga Berlini, e cila përmes monologjeve ankohet për padrejtësitë, racionet dhe kontradiktat e jetës së përditshme gjatë luftës. Duke e ballafaquar mbështetjen e saj pseudo-naive për nazizmin me realitetet e ashpra të jetës gjatë luftës që ajo përshkruante, qëllimet e Adlerit ishin të qarta. Në një rast, Frau Wernicke e pyet shoqen e saj se pse është kaq e mërzitur, dhe pastaj menjëherë i përgjigjet pyetjes së saj: “Veç pse burri yt duhej të mbyllte biznesin e tij dhe sepse djali yt tani është me Wehrmachtin dhe e lodh me të dhe sepse vajza jote Elsbeth duhet të bëjë vitin e dytë të detyrueshëm të punës ndaj shtetit dhe sepse – siç e thua ti – nuk ke më jetë familjare dhe nuk je e lumtur”!? Sa ironike është kjo “veç pse”!

Lexo po ashtu:  Si fshihet propaganda serbe pas portaleve “nacionaliste” shqiptare

“Kurt und Will” po ashtu u shkrua nga Bruno Adler. Është kjo një seri e dialogëve mes dy miqve: i pari ish-drejtor shkolle, i fundit zyrtar në Ministrinë gjermane të Propagandës. Teksa diskutojnë për ngjarjet e luftës duke pirë nga një birrë në një bar të Berlinit, Kurti merr përsipër rolin e një gjermani mesatar e naiv. Willi është një oportunist imoral e cinik, që ia tregon shokut të tij dredhitë dhe gafat e Ministrisë së Propagandës.

Këto programe kishin sens të tillë humori që nuk përkthehen mirë – fjalë për fjalë nga gjermanishtja në anglisht (dhe gjuhë të tjera – v.j.), e as nga radioja në shtyp. Dhe, natyrisht, ato i takojnë kohës. Mirëpo, shtronin dilema të mëdha. A kanë mundur të kenë ndikim? A mund të përdorej satira si armë që do t’i bënte gjermanët të kenë këndvështrim britanik dhe ta duan fundin e luftës? A ishte e duhur kjo? Drejtori i BBC-së për Transmetimet Evropiane, Noel Newsome, i kishte dyshimet e tij. Duke iu referuar transmetimit të serisë “Kurt und Will”, më 1944 shkroi: “Në radiot shtëpiake, gjermanët […] nuk i kuptonin shakat kur i kalonin valët te Londra”.

Që në fillim pra kishte dyshime për propagandën satirike. Eksperimenti i parë me humor në Shërbimin Gjerman u transmetua Ditën e 1 Prillit 1940. Producentët duhej të bindnin zyrtarët e propagandës në “Electra House” (ndërtesë në Londër – v.j.) se transmetimi “Der Führer Spricht” (Flet Fyreri), një parodi për Hitlerin e shkruar dhe e luajtur nga mërgimtari austriak Martin Miller, ishte veç një përjashtim. Por, siç e dimë, nuk ishte. Pasuan programet tjera humoristike dhe së shpejti rusët u futën në veprim. Radio Moskau eksperimentoi me formate të ngjashme, njëra prej të cilave – “Frau Künnecke Will Jarnischt Gesagt Haben” – ishte kopje e “Frau Wernicke”. Por, asnjë prej këtyre programeve nuk u transmetua me rregull si “Hirnschal”, “Frau Wernicke” dhe “Kurt und Will”. Ato na çonin – qoftë një apo dy herë në javë – nëpër luftë, që nga vera e vitit 1940 e deri në fund.

Lexo po ashtu:  Gazetaria shqipe është e sëmurë

Por, kush e dëgjonte Shërbimin Gjerman dhe çfarë fitonin nga ajo?

Sipas Robert Lucasit, një “mori e letrave falënderuese” arriti nga dëgjuesit e Shërbimit Gjerman, posa mbaroi lufta. “Transmetimet nga Londra më shpëtuan nga vetëvrasja, gjatë ditëve më të zeza të luftës së Hitlerit”, thuhet në një letër nga Arkivat e BBC-së. Një tjetër letër thotë: “Fal BBC-së pata forcën morale të mos bëhem bashkëfajtor”. Shumë nga letrat veçuan programet e satirës: “Kur ju na sollët humor, kjo të padurueshmen e bënte të durueshme”, ka shkruar një dëgjues, teksa një tjetër shprehu admirim se “sa mirë e kuptoni shpirtin e njerëzve”.

Ndoshta këto letra ofrojnë arsyetim të mjaftueshëm nëse dyshoni – siç bëri Charlie Chaplin pasi mësoi për mizoritë e nazistëve dhe e bëri filmin “The Great Dictator” (Diktatori i madh) – nëse ishte e moralshme të talleni. Theodor Adorno këmbënguli se satira antifashiste nuk arriti ta kuptojë ose përshkruajë realitetin dhe, për më keq, injoroi gravitetin e nacional-socializmit. Por, a nuk mundet e qeshura të paktën të përkujtojë se çfarë do të thotë të jesh njeri? A nuk e shfaqi ekzistenca e programeve satirike besimin në intelekt dhe, mbi të gjitha, te njerëzorja e audiencës?

“Si çdo tirani tjetër, nacional-socializmi ishte plot me humor”, shkruan Robert Lucas. Kur kthehesh në të kaluarën, mbase ky ishte suksesi kryesor i programeve pioniere satirike të Shërbimit Gjerman. Prandaj, ishte një fushë në të cilën nazistët nuk kishin asgjë për të ofruar dhe ku nuk mund të bënin garë. Dhe, edhe nëse monologjet absurde të personazheve Frau Wernickes ose Adolf Hirnschal do të dëgjoheshin nga një numër relativisht i vogël i gjermanëve, edhe nëse nuk ishin gjithmonë qesharake, ato ofronin rehati dhe mbase edhe përndritje. Dhe, kjo ishte provë që misioni i Lucasit të “luftonte për shpirtrat e gjermanëve” nuk ishte gjë e kotë. /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *