Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) nënshkruan sot në Tiranë protokollin e bashkëpunimit të ndërsjellë për periudhën 2020-2021.

Ky protokoll, i cili u nënshkrua nga kryetari i ASH-së, akad. Skënder Gjinushi dhe kryetari i ASHAK-së, akad. Mehmet Kraja, mbështetet në marrëveshjen kuadër të bashkëpunimit ndërakademik dhe ka për synim të përcaktojë përparësitë e bashkëpunimit për periudhën dyvjeçare në vijim.

Ndër përparësitë kryesore të këtij protokolli janë: ringritja e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe kujdesi për një rregullim shkencor e ligjor të përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare; organizimi i takimit të parë të albanologëve të hapësirës historike shqiptare dhe të qendrave dhe shkollave të studimit të botës shqiptare jashtë saj; parapërgatitja dhe konceptimi i një enciklopedie panshqiptare; botime në shkencat e identitetit; kërkime dhe konferenca për pasuritë natyrore dhe mjedisin; bashkëpunim për nëndisiplina të reja të dijes si nanoteknologjia, shkencat e jetës (bioshkenca), inteligjenca artificiale, si dhe në disiplina që kërkojnë vëmendje të ngutshme (si sizmologjia).

Lexo po ashtu:  Gjirokastra po ndërtohet me modelin më të mirë të trashëgimisë kulturore

Protokolli përmban zotime të drejtpërdrejta për një sinergji shkencore ndërakademike dhe mundëson edhe bashkëpunime me institucione të tjera shkencore në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në botën arbëreshe./atsh/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *