Ndërkohë që koronavirusi i ri vazhdon të përhapet në Kinë dhe në vende të tjera, po kështu po përhapet dhe keqinformimi dhe paniku. Gjatë javëve të kaluara, frika nga koronavirusi ka shkaktuar një rritje të ksenofobisë dhe ndjenjave raciste ndaj kinezëve dhe komuniteteve të tjera aziatike.

Bizneset kineze janë bosh, pronarët e dyqaneve po i mbyllin ato dhe shtetasit kinezë apo persona që duken të tillë po sulmohen.

Incidente janë shënuar në shumë vende të botës, duke përfshirë Shqipërinë, Italinë, Gjermaninë, Francën, Kanadanë, SHBA etj.

Para disa ditësh, në rrjetet sociale në Shqipëri, qarkulloi një video e filmuar në qytetin e Elbasanit, ku shfaqej një i ri shqiptar që po udhëtonte me makinë dhe i drejtohej me fjalë ofenduese një qytetari kinez që po ecte në trotuar. Por, si ky rast ka pasur dhe të tjerë.

Ndërkohë në Itali, shumë biznese kanë vënë njoftime në hyrje të tyre ku thuhet se nuk u lejohet hyrja klientëve kinezë, një shkollë muzike u tha studentëve aziatikë që të mos paraqiteshin në mësim për shkak të disa incidenteve raciste dhe katër guvernatorë në rajonet e Italisë veriore u bënë thirrje fëmijëve që ktheheshin nga udhëtime në Kinë që të mos shkonin në shkollë për 14 ditë.

Lexo po ashtu:  Kampi i Tepelenës nëpërmjet kujtimeve të mia!!

Sipas mediave, një studente kineze u sulmua në Sheffield, Angli, vetëm sepse mbante një maskë në fytyrë, një rast i ngjashëm ndodhi në Berlin, Gjermani.

Në Francë, shtetasit aziatikë kanë filluar një fushatë me hashtagun JeNeSuisPasUnVirus (UnëNukJamNjëVirus). Kjo erdhi pas disa sulmeve kundër tyre, jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë por dhe nga një gazetë franceze që pëdori titujt “Alarmi i verdhë” dhe “Rreziku i verdhë” për t’iu referuar koronavirusit.

Në Japoni, Korenë e Jugut dhe Vietnam, bizneset kanë mbyllur dyert për këdo që vjen nga Kina.

Në Japoni, në rrjetet sociale po qarkullon hashtagu #ChineseDon’tComeToJapan (#KinezëMosHajdeniNëJaponi). Dhe në Singapor më shumë se 126,000 persona kanë nënshkruar një peticion që shtetasit kinezë të largohen nga vendi dhe të mos lejohet hyrja e tyre.

Në Amerikë, një universitet u ka shpërndarë studentëve informacion ku thuhet se “është normale të kesh ndjenja ksenofobizmi” dhe se “është thjesht frikë për të ndërvepruar me persona që mund të jenë nga një vend aziatik”.

Lexo po ashtu:  SBASHK-u del me njoftimin destruktiv

Në fakt, nuk është hera e parë që ky lloj racizmi ndodh. Ka ndodhur dhe në të shkuarën, kur po qarkullonte virusi i Ebolës. Në atë kohë të njejtat sulme kanë përjetuar dhe afrikanët në të gjithë botën.

Sipas ekspertëve të të drejtave të njeriut “frika e ndryshimit, frika e diçkaje të re, frika e ndryshimeve sociale, po e ushqen dhe po e zmadhon epideminë e frikës”.

Një rol në nxitjen e ksenofobisë po luajnë dhe mediat ndërkombëtare dhe interneti. Gjatë këtyre ditëve, lajme të rreme, informacione të pabaza dhe tituj që nxisin frikën kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe nëpër media.

Tituj si “Virusi i krijuar në Kinë”, “Kush e krijoi virusin”, “Koronavirusi, i krijuar në Kinë, kur globalizmi kthehet ne një rrezik vdekjeprurës”, “Rreziku i verdhë”, e shumë tituj të tillë vetëm sa rrisin frikën mes njerëzve që i lexojnë, duke shkaktuar kështu tek ata ndjenjat e racizmit dhe ksenofobisë.

Të gjitha këto teori konspirative kanë arritur në një pikë kur titujt e lajmeve po bëhen po aq të frikshme sa dhe vetë virusi.

Lexo po ashtu:  ‘Propagandat fetare dëmtuan Shkodrën, ku pati turq e kaurë por jo shqiptarë’

Në fund të fundit, viruset nuk kanë kombësi. Fjala dhe mënyra se si ajo thuhet është e rëndësishme.

Burimi: BBC, CNN, CGTN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *