Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka  folur për gatishmërinë e tij për përfshirje në dialogun me Serbinë, si dhe për përfshirjen e SHBA në këtë proces përmes emisarit special të presidentit Trump, ambasadorit Richard Grenell.

Si e shihni qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që, përmes zhvillimit ekonomik në Kosovë e Serbi, mund të lehtësohet arritja e marrëveshjes përfundimtare?

Kurti: Besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që të dyja janë të pazëvendësueshme për Kosovën nëpër të gjitha proceset, në të cilat ne kalojmë – përfshirë këtu edhe atë të bisedimeve me Serbinë – jam optimist që rolet e tyre mund të jenë edhe përplotësuese edhe atëherë kur nuk janë të njëjta. Në këtë kuptim,padyshim që ne e mirëpresim angazhimin amerikan në raportet tona me Serbinë.

Grenell i ka dhënë energji të re procesit të dialogut

Si e komentoni angazhimin e ambasadorit Richard Grenell dhe suksesin e tij për arritjen e pajtimit të Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore dhe atë hekurudhore në kohën kur dialogu i Brukselit ka stagnuar?

Kurti: Kemi shprehje të interesit në disa fusha për marrëveshje siç është ajo e fluturimeve dhe e hekurudhës. Tash, unë, në parim, do të udhëhiqem prej Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saj, në njërën anë, dhe prej parimit të reciprocitetit dhe vullnetit të mirë, në anën tjetër. Besoj se angazhimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Berlin, i ka dhënë energji të re procesit.

Lexo po ashtu:  Humanizmi/ Vetëm gjatë vitit 2021 diaspora shqiptare dërgoj 1.14 miliard euro në Kosovë

Kur jemi te këto dy iniciativa, janë parë si historike dhe si mënyrë e mirë për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ju, si i vlerësoni këto marrëveshje?

Kurti: Ambasadori amerikan në Berlin, beson që për investime ekonomike në rajon, marrëveshja është çelësi. Unë nuk e mohoj që një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do t’i ndihmonte perspektivës së zhvillimit ekonomik të rajonit, por si kryeministër i Republikës së Kosovës, si fitues i zgjedhjeve, që ka garuar me një program të fuqishëm ekonomik, besoj që këtu nuk duhet neglizhuar tre faktorë të rëndësishëm.

I pari është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë që krijon besueshmëri për investitorët.

I dyti është luftimi i varfërisë së popullsisë, në mënyrë që të ngrihet kërkesa agregate për mallrat dhe gjithashtu mendoj se e treta është jo më pak e rëndësishme – qasja sa më e lehtë në financa, pra në një lloj të kapitalit fillestar për ndërmarrësinë ekonomike.

A prisni arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë brenda këtij viti?

Kurti: Unë kam gatishmëri për dialog. Nuk dua të paragjykoj shpejtësinë e arritjes së marrëveshjes. Për mua qëndrueshmëria e bisedimeve është shumë e rëndësishme dhe sa më parë që arrijmë marrëveshje, aq më mirë. Aktualisht, në këtë muaj ne vetëm sa kemi filluar në Qeverinë e Republikës së Kosovës që të bëjmë këtë fuzionim të ministrive. Është dita e katër e punës sime. Ende nuk i kam as 100 orë punë, se lëre më 100 ditë. Ndërkaq, në anën tjetër, Serbia po fillon një fushatë zgjedhore për zgjedhjet e saj atje. Kështu që duhet të kemi pak mirëkuptim edhe për këto dy dinamika në dy vendet tona.

Lexo po ashtu:  Sot bëhen 20 vite nga rënia e Bujar Pllanës që me mullirin e tij ishte bërë “magje” e shumë familjeve të zhvendosura

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *