Nga Elona Caslli

Çdo herë që përballem me opinionin tuaj zonja Xhunga, më duket sikur përplas kokën me një objekt të fortë dhe menjëherë mbi kafkën time, formësohet një xhungë, e cila më djeg.

E njëjta gjë ndodhi sot, teksa u përballa me opinionin tuaj, lidhur me takimin dhe mostakimin e Kryeministrit Albin Kurti me jo të ngjashmit e tij në Tiranë.

Fillimisht, duhet nënvizuar fakti, se nuk është e nevojshme të pohoni se jeni nxënëse e Rexhep Qoses.

Qëndrimet tuaja e dëshmojnë kthjellët këtë fakt dhe publiku i gjerë nuk ka kurrfarë dyshimi për këtë.

Së dyti, jeni shprehur e keqardhur se Kryeministri i Kosovës nuk e ka takuar Kryetarin e Tiranës (sikundër e quani ju), zotin Erion Veliaj.

Madje, nga mënyra se si jeni shprehur, mund të lexohet edhe një lloj revolte, për këtë mostakim, pasi keni guxuar t’i jepni zotit Kurti edhe një leksion politike duke cituar Fatos Nanon.

Nuk marr përgjegjësinë të gjykoj arsyet e mostakimit në fjalë, por marr përgjegjësinë të shpreh opinionin tim, lidhur me zhgënjimin tuaj për këtë mostakim.

Lexo po ashtu:  Shqipëria, vendi që ia jep shansin çdo budallai!

Kryetari Tiranës, siç e quani ju Veliajn, është në të vërtetë Vrastar i këtij qyteti.

Është pikërisht ky vrastar i kobshëm dhe i paepur që ka krijuar të gjitha Xhungat në këtë kryeqytet.

Në çdo hap të këtij kryeqyteti ka një Xhungë që mban firmën e tij.

Kjo bashkësi xhungash përbën aktualisht, atë xhungël të madhe, që quhet Tiranë.

Shekulli e gjen kryeqytetin të gjymtuar dhe ajo, çka në botën e qytetëruar quhet kujtesë historike, në Tiranë pothuajse është e mekur.

Bëni një shëtitje në këmbë në Tiranë zonja Xhunga! Hidhini sytë rreth e rrotull, përpiquni të merrni frymë dhe do të shihni se do t’ju zihet fryma dhe mandej kthjellohuni dhe shprehni opinionin tuaj.

Në rast se pas shëtitjes, nuk do të keni ndryshuar mendim, do të thotë se jeni veçse Xhunga në mes të xhunglës.

Post Scriptum- Kurti mund të jetë i ri në pushtet, por është i lashtë në opozitë dhe ky fakt e ka medoemos një domethënie, zonja Xhunga.

Lexo po ashtu:  Rama ëndërronte të merrte çmimin Nobel duke shitur tokat e Kosovës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *