Skerdilajd Zaimi

Nuk kalon ditë këto muajt e fundit pa lexuar një titull, apo ndonjë lajm për tarifën e qeverisë së Kosovës ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnje-Hercegovinës. Taksat dhe tarifat janë shprehje e sovranitetit të një shteti, e drejtë e tij për të kërkuar mënyrën sesi do të zhvillojë tregëtinë me vendet e tjera dhe ekonominë e tij. Ato aplikohen konform marrëveshjeve dhe mund të jenë të posaçme, me karakter proteksionist, apo edhe thjesht fitimi. SHBA-ja është një ndër vendet që ka çuar në nivele të paprecedenta politikën e jashtme përmes sanksioneve, tarifave dhe taksave ndaj produkteve të importit. Dhe e bën këtë edhe pse sistemi ndërkombëtar aktual është shprehi e vullnetit të këtij vendi që pas luftës së Dytë Botërore përcaktoi drejtimin ekonomik të botës perëndimore dhe të institucioneve të saj.

SHBA është quajtur shpesh nga kundërshtarët e vet si shtet gangsterësh, kaubojsish dhe duhet thënë se që nga ngjarjet e Iranit në vitet ’50, ajo ka e ka kompromentuar rëndë misionin që i ka mveshur vetes përmes të ashtuquajturës Veçanësia amerikane. Bota është bërë një xhungël ku vepron parimi i më të fortit dhe SHBA thjesht e ka pranuar pa asnjë hezitim këtë realitet, ndonëse mesazhet moralizuese vazhdojnë si një ritual që formalizon një bashkëjetesë që është e palidhur më me ndonjë nevojë thelbësore.

Këto parime të një shteti që di të paketojë mirë çdo politikë të përdhunës, kanë dalë në sipërfaqe fare qartë me Kosovën. Së fundmi dy zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Erath dhe Brad Berkley të SHBA kanë qëndruar në Kosovë. Pas vizitës u shpërnda një njoftim nga ambasada ku thuhet ndër të tjera:

Tarifat ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës janë pengesë në rrugën drejt përparimit, dëmtojnë partneritetin tonë dhe duhet të pezullohen, në mënyrë që dialogu me Serbinë të ecë përpara

Qasja ka brenda një paradoks jo vetëm për vendet e vogla. Nga njëra anë afimohet shtetësia e Kosovës përmes ndihmës së SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë, nga ana tjetër asgjësohet ajo duke kërkuar që dalja në arenën ndërkombëtare të korrigjojë çdo shprehi sovraniteti. Kjo është kriza e vetë sistemit ndërkombëtar për të cilin janë përgjegjës të gjitha vende sipas masës dhe fuqisë. Dikush mund të thotë se e vetmja politikë që mund të luajnë vendet si Shqipëria dhe Kosova është vetëm të thotë “po” për çdo gjë që urdhëron i madhi. Kjo ka një të vërtetë brenda, por asnjë vend nuk ka detyrimin dhe as duhet ta dorëzojë dinjitetin e vet edhe në (mos)shprehjen e mendimeve.

Lexo po ashtu:  Seanca e turpit qentë shijojnë lirinë

Marrëdhënia mbi raportin e forcave do ta reduktojë përherë e më shumë nevojën që në vendet e vogla të angazhohen njerëz që me të vërtetë kanë formimin dhe përfaqësojnë diçka me vlerë, përderisa në politikë do të duhen gjithnjë e më shumë ata që thonë po, mjafton që të vënë rregull minimal mbi mëhallën e tyre. Në këto kushte vetë arsyeja e sovranitetit nis e vihet në pikpëyetje sa më shumë që relativizohet dhe formalizohet si shtojcë e garancive dhe direktivave nga jashtë. Dhe për këtë arsye edhe përpjekja për shtet dhe demokraci është e destinuar të dështojë.

Loja me standardin “i vogli- i madhi” po luhet edhe me Shqipërinë. Së cilës nuk i kërkohet të heqë ndonjë tarifë, pasi këtë gjë do ta kishte bërë me kohë dhe pa folur aspak. Në Shqipëri po ndodh diçka edhe më e paprecedentë: po i kërkohet opozitës që të mos protestojë. Dhuna e pesë kapsollave po përdoret si gjethe fiku.

Shqipëria me përkufizimin e BE-së është një vend me demokraci hibride, ku nuk funksionon ligji dhe drejtësia. Ku sundon krimi dhe korrupsioni. Sigurisht vendi ynë po ecën drejt Europës, por ai po e bën këtë si shteg gjeopolitik dhe jo si rrugë standardesh. Shqipëria dhe fqinjët e saj duhen mbajtur afër që të mos shkojnë gjetkë. Kjo është e qartë. Anëtarësimi i tyre në BE është vizion gjeopolitik dhe jo ndjesi e përbashkët identitare. Këtë nuk ka për të na e thënë kush ndonjëherë. Do të duhet ta kishim kuptuar vetë përpara se të rendnim drejt një flamuri që nuk është i yni. Singapori nuk është në Europë, por standardet i ka si Europa. Po kështu edhe Koera e Jugut. Një vend mund të zhvillohet dhe të kapë trenin e demokracisë pa qenë detyrimisht pjesë e një familjeje të madhe. Përkatësia jonë europiane, mund të ishte edhe një ëndërr, një aspiratë, por ajo nuk përkon me sentimentin e një kontinenti të tërë dhe kjo duket sidomos te shndërrimi i Europës në një destinacion nuk ka procedura konsullore.  

Lexo po ashtu:  Qeveria e re - shpresë për kthesë drejt bashkimit kombëtar

Për këtë arsye dhe të tjera këshillat e miqve që vijnë në Tiranë dhe japin konferenca për shtyp duhen marrë për atë që janë: deklarata burokratësh që thjesht nuk kanë kohë – me të drejtë ndoshta – të kuptojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. As edhe besojnë te sprova e tyre për demokraci.

Kjo nuk do të thotë se ne duhet të rendim qorrazi pas opozitës së tanishme. Sepse ne i njohim drejtuesit e saj dhe e dimë se ku duhet të ishin. Por nëse ata janë pjesë e një problemi të thellë, qeveria është provë e një rreziku eminent. Që kërcënon stabilitetin e së ardhmes sonë duke vrarë çdo shpresë se në këtë vend Fjala ka kuptimin që duhet të ketë. Shashkat dhe shtyrjet e policëve janë në fakt gjimnastika e domosdoshme e një reagimi që duhet të lexohet si urdhëresë pozitive demokratike nga qeveria dhe shumica, për të funksionalizuar rregullat e sistemit; duke pranuar se zgjidhja politike kërkon patjetër ndryshimin e qeverisë. Jo për trille dhe për teka, por sepse qeveria dhe kryeministri janë përçues dhe gjenerues të krizës.

Lexo po ashtu:  I pranuat votat e Listës Serbe nga Beogradi për formimin e qeverisë, tash mos na shisni moral se nuk i pranoni testet!

Zoti Rama nuk po sillet si dikush që lexon votën dhe i përgjigjet asaj. Ai po sillet si dikush që votohet dhe bën çfarë të dojë brenda një koniunkture ku perceptohet si e keqja më e vogël, si garanti i sigurisë së rreme të status quosë. Zoti Rama ka patur sukses në korruptimin e çdo aspirate, energjie, apo nisme pozitive, qoftë naive apo dashamirëse në këtë vend, përmes shndërrimit të spektaklit politik dhe mediatik në një ekran përfaqësimi selektiv dhe afirmimi të suksesit imagjinar. Është ky spektakël që ndikon ndoshta edhe miqtë nga Europa që duket se janë dakord që ai të vazhdojë edhe për disa kohë.

Kjo panoramë e një neokolonializmi të brendshëm dhe të jashtëm, ku kryeministri është guvernatori që prodhon lajmet e mira dhe zbulon vandalët primitivë të opozitës në një vend ku dhuna eksportohet si mall ekzotik në metropolin europian, na kujton filmin e njohur të Gillo Pontecorvos, “Queimada”, në të cilin një agjent britanik ngre në kryengritje vendasit kundër portugezëve. Më vonë ai thirret sërish në detyrë për…shuarjen e kryengritjes ndaj anglezëve udhëhequr nga i njëjti njeri që dikur vetë rekrutoi. Ofertës “miqësore” të agjentit luajtur nga i madhi Brandon, rebeli i përgjigjet me mesazhin në një shishe alkoolio, dikur provë e marrëdhënieve të afërta: Nuk pi më anglez

Kriza e tanishme mund të kapërcehet, por po bëhet e qartë se marrëdhënia me Perëndimin po ripërcaktohet dhe kjo nuk ka të bëjë thjesht me opozitën dhe shumicën e tanishme. Fundja edhe Europa po e bën këtë brenda vetes. /MekuliPress.com/
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *